Ballkani Perëndimor me rëndësi strategjike për NATO-n

Shqipëria

Ballkani Perëndimor me rëndësi strategjike për NATO-n

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 20:36
Ditmir Bushati

Ballkani Perëndimor është një rajon me një rëndësi strategjike për Aleancën Atlantike. Kjo u konfirmua në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, ku u diskutua për sfidat dhe sigurinë transatlantike.

Duke folur për mediet pas këtij takimi, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati informoi se “në këtë ministerial u konfirmua po ashtu edhe angazhimi i nevojshëm dhe ndërveprimi mes NATO-s nga njëra anë dhe BE-së, për të gjitha vendet që janë të përfshira në rrjedhat europiane dhe euroatlantike”.

“Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s diskutoi në lidhje me sfidat dhe mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në jug dhe në lindje të Aleancës. Po ashtu diskutoi mbi  angazhimet që ka vetë organizata dhe vendet partnere në Afganistan, sikundër sfidat me të cilat përballet sot për sot familja jonë e përbashkët transatlantike”, tha Bushati.

Po ashtu ai theksoi se “u përcaktuan disa mesazhe të qarta politike për angazhimin e mëtejshëm të NATO-s me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

NATO, tha ai, vijon politikën e dyerve të hapura dhe presim që Shkupi të jetë vendi i 30-të që bashkohet me familjen euroatlantike.

Bushati tha se “në takim pati mbështetje të gjerë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke i hapur rrugë procesit të pajtimit”. “U theksua nevoja për një bashkëpunim edhe më të ngushtë përmes KFOR-it me Kosovën, për një angazhim dhe mbështetje të të gjithë aktorëve relevantë, për sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog duhet të normalizojë plotësisht marrëdhënien ndërmjet dy vendeve dhe t’i hapë rrugë procesit të pajtimit dhe më tutje, afrimit të Kosovës në familjen euroatlantike”, tha Bushati.

Aleanca, theksoi Ministri, bëri sot një hap para drejt ankorimit të mëtejshëm të Bosnjës në rrjedhat euroatlantike, duke kufizuar kësisoj influencën e aktorëve të tretë malinj në rajon. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat