Pushka doli lodër, gjykata e Krujës ndryshon masën për vëllanë e Durim Bamit, nga qelia në ‘arrest shtëpie’

Shqipëria

Pushka doli lodër, gjykata e Krujës ndryshon masën për vëllanë e Durim Bamit, nga qelia në ‘arrest shtëpie’

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 07:57
Operacioni blic i RENEA dhe FNSH në fshatin Nikël të Fushë-Krujës në shtator 2018

Gjykata e Krujës ka vendosur të lirojë nga qelia Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, duke urdhëruar që ai të qëndrojë në masën e “arrestit në shtëpie”. Vendimi për Bamin është dhënë në datën 5 dhjetor 2018 nga gjykata e Krujës, e cila gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka vendosur të mos pranojë kërkesën e prokurorisë për të mbajtur Bamin në qeli. Në procesin e gjykimit për zëvendësimin e masës së sigurisë gjykata vlerësoi një akt-ekpertimi të laboratorit të policisë shkencore pranë ministrisë së Brendshme, i cili ka dalë në konkluzionin se arma tip pushkë e sekuestruar në banesën e Valter Bamit, nuk përmbush kriteret e një arme zjarri.

Pushka nuk kryhen qitje, pasi është një pushkë me ajër, e cila punon me kompresor. Kaq i ka mjaftuar gjykatës së Krujës për të zbutur masën e sigurisë për Valter Bamin, të cilin e ka nxjerrë nga qelia duke e dërguar në masën e “arrestit shtëpiak”. Ndërkohë, nuk është marrë një vendim i tillë për të arrestuarin tjetër Ylli Çangu, për të cilin gjykata e Krujës në datën 5 dhjetor 2018 ka vendosur të mos pranojë kërkesën e avokatëve për zbutjen e masës së dënimit.

Ankesa tek Avokati i Popullit Tiranë
Pasi janë njohur me rezultatet e ekspertizës balistike të armës, avokatët e Valter Bamit kanë kërkuar disa herë që lirimi i tij të kryhet menjëherë, por kanë gjetur kundërshtinë nga prokuroria. Nisur nga kjo situatë, avokatët mësohet të jenë ankuar dhe tek Avokati i Popullit, pasi sipas tyre Valter Bami, po mbahej padrejtësisht në burg, dhe se ajo që ata quanin me të rëndë, është mos përfaqësimi i akuzës së Krujës në seancat gjyqësore, duke sjellë shtyrjen për të disatën herë të gjyqit.

Operacioni i RENEA që solli 5 të ndaluar
Operacioni blic i RENEA dhe FNSH në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, në shtator 2018 solli arrestimin e 5 personave dhe shoqërimin e 11 të tjerëve. Rreth 100 efektivë të dy reparteve kanë mësyrë në banesat e familjeve Haka dhe Bami në Nikël, me qëllim kryerjen e një kontrolli të imtësishëm me shpresën e gjetjes së sendeve të paligjshme. Prokuroria e Krujës kishte lëshuar 9 urdhëra kontrolli banesash në Nikël dhe për pasojë forca të shumta policie kanë hyrë në banesa. Në fakt përpara se të hynin në Nikël, policia ka kërkuar fikjen e dritave në këtë fshat, me qëllim që kamerat e sigurisë që janë instaluar në banesat e autorëve të dyshuar të dilnin jashtë funksionit.Aksioni ka nisur në orët e para të natës dhe ka vijuar deri në orët e mëngjesit, ku në këtë operacion u konstatua dhe prezenca e Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili monitoroi nga afër situatën e arrestimeve, kontrolleve në banesa dhe shoqërimin e personave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat