Nikolla futet mes turmës, studentët e përzënë! Ministrja: S'ka bërë asnjë gabim

Shqipëria

Nikolla futet mes turmës, studentët e përzënë! Ministrja: S'ka bërë asnjë gabim

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 14:10
Pamje nga protesta

E shoqëruar me forcat e sigurisë personale, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, në mënyrë krejt të pa paralajmëruar, kur askush nuk e priste, është futur mes turmës së studentëve të mbledhur prej orësh sot në ditën e katërt, para godinës së institucionit që ajo drejton.

Por është nxjerrë nga turma, dhe është detyruar të kthehet sërish në godinën e Ministrisë. "Turp, turp, turp", janë dëgjuar të thonë në kor studentët. Nikolla pati menjëherë më pas një lidhje telefonike në OraNews ku tha se është e gatshme t'i takojë studentët për të negociuar me ta në lidhje me kërkesat e tyre.

"Unë dola në shesh e bindur që nuk është sheshi që jep zgjidhje por e dëshiruar për të qenë krah atyre fëmijëve. I pres studentët të biseojmë të zgjedhim më të mirën për arsimin", tha ministrja në telefon për Oranews.

Por kjo është pikërisht edhe pika që studentët nuk vënë në diskutim! "Nuk ka negociata, vetëm plotësim të kërkesave".

"Të vijë këtu të festojë me në kur të ketë plotësuar kërkesat tonë, nuk ka negociata nuk ka bisedime. Kërkesat tona nuk plotësohen këtu, ato plotësohen tek ministria dhe kryeministria. Ne jemi të prerë në vendimin tonë, ja kemi çuar kërkesat të përpikta, le t'i zbatojë ato. Pa paralajmëruar pa rënë dakord me ne, në mënyrë të papritur me badigardët e saj kaloi mes turmës, ky ishte provokim për të nxitur ndonjë reagim dhe të thonë ne jemi vandalë, të dhunshëm. Deri tani është thënë: Jo negociata, por plotësim të kërkesave", u shprehën studentët.

"A do të jepte dorëheqjen?" - u pyet ministrja nga gazetarja në lidhje telefonike: "Është në kushte papërgjegjshmërie të bësh atë veprim, Lindita Nikolla nuk ka bërë asnjë gabim dhe ka ende shumë për të bërë në arsim", u përgjigj ministrja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat