Studentët shqiptarë, të varfër në xhep, s’duan të ngelen të varfër edhe në kokë

Shqipëria

Studentët shqiptarë, të varfër në xhep, s’duan të ngelen të varfër edhe në kokë

Nga: Zymer Mehani Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 16:30
Studentët kanë të drejtë në kërkesat e tyre.

Siç jemi të njoftuar tashmë, qe disa ditë studentët e Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve tjera të Shqipërisë kanë shpërthyer në protesta kundër Ministrisë së Arsimit, por edhe kundër vetë Qeverisë së Shqipërisë, duke kërkuar uljen e tarifave të shkollimit dhe përmirësim në cilësinë e arsimit publik. Ata kanë refuzuar thirrjet e institucioneve për dialog, duke thënë se nuk duan negociata, por vendime për përmbushje të kërkesave të tyre. Ata kërkojnë ulje tarifash, përmirësim të cilësisë së arsimit publik, përmirësim të kushteve në konviktet, ku jetojnë si dhe një sërë pikash të tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e tyre në bordet administrative.

“Nuk ka negociata” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, janë brohoritjet e studentëve.

GJENDJA AKTUALE E STUDENTËVE SHQIPTARË

Tarifat vjetore për studentët në universitetet shtetërore të Shqipërisë, variojnë nga 25 mijë lekë (rreth 200 euro) deri në 40 mijë lekë (rreth 325 euro) në ciklin e parë të studimeve (bachelor). Ndërsa, për ciklin e dytë të studimeve, sipas profilit që ndjekin, tarifat varirojnë nga 63 mijë (rreth 510 euro) deri në 204 mijë lekë (rreth 1,600 euro). Këto tarifa konsiderohen të jenë ndër më të lartat në Evropë për universitetet publike, në kohën kur shumë shtete si Gjermania dhe vendet e Skandinavisë kanë hequr tërësisht pagesat për shkollimin publik.

Duke qenë se Shqipëria vazhdon të jetë ndër shtetet më të varfra në Evropë, mendojmë se studentët kanë të drejtë në kërkesat e tyre.

Arsimi i lartë dhe arsimi në tërësi nuk është parë prioritet, por qeverisjet të ardhura të gjitha nga një sistem totalitar, e kanë shfrytëzuar atë edhe për fushata elektorale, edhe për hapje universitetesh me vend edhe pa vend, por asnjëherë nuk është parë arsimi si element i qenësishëm i zhvillimit të vendit. Ndërkohë që të gjitha vendet e Rajonit subvencionojnë arsimin deri në 5% të PBB, pa folur për Finlandën që shpenzon 7% të PBB, qeverisjet tona,edhe kjo aktuale, vazhdon të bëjë shumë slogane për arsimin, por në fakt nuk i jep rëndësinë e duhur duke shpenzuar 5% të PBB, gjë që do ta vendoste edhe arsimin e lartë në ato parametra që ka Rajoni apo edhe vendet e OECD-së.

Në këto kushte, studentët shqiptarë prore përballen vit pas viti me ndryshime, me probleme,  me protesta dhe reagime të kësaj natyre. Politika e ka konsideruar Reformën në Arsim të lidhur me mandatin e qeverisë.

Arsimi është një e mirë publike kombëtare. Dhe përballë kësaj të mire publike duhet një politikë kombëtare.

Është momenti për një reflektim të thjeshtë, më shumë dashuri ,sepse këta studentë janë bijtë e këtij vendi që kanë preferuar të shkollohen në Shqipëri.

Të paktën të plotësohen këto kërkesa:

-Të investohet 5%, siç është premtuar edhe nga kjo qeverisje për arsimin e lartë.

-Të formohet bibliotekë online për studentët

-Të mos ligjërojnë “profesorët doktorë”, pa shkollë të mesme!

-Të konsiderohen si institucione dijeje, por jo si biznese fitimprurëse të gjitha kolegjet private.

-Të vendoset një sistem dhe një reformë që t’i përballim problemet në pikëpamje kombëtare.

-Reformat në shëndetësi, në arsim, në bujqësi nuk duhet të jenë reforma mandatesh, por duhet të jenë reforma që japin impakt për 20-30 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat