Kryemadhi thirrje Arta Markut: Nis hetimet për Ramën, Gjiknurin dhe Qendron

Shqipëria

Kryemadhi thirrje Arta Markut: Nis hetimet për Ramën, Gjiknurin dhe Qendron

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 17:32
Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin e Lëvizjes së Gruas për Integrim i bëri thirrje i bëri thirrje Kryeprokurores Arta Marku që të nis hetimet dhe të marrë të pandehur kryeministrin Rama, ministrin Gjiknuri dhe drejtorin e ARRSH-së, Afrim Qendro.

Sipas saj projekti i Edi Ramës nuk ishte një projekt zhvillimi, por një projekt vjedhjeje.

Reagimi

Ishte një projekt vjedhje aq i turpshëm, saqë sot unë dua të bëj krahasimin midis dy grupeve. Edi Rama shkatërron jetën e 1000 familjeve për të përfituar në një dorë të vetme 20 milion euro.

Edi Rama shkatërron të ardhmen e fëmijëve të 1000 familjeve për të përfituar me një dorë të vetme 20 milion euro. Edi Rama shkatërron imazhin e vendit tonë duke falsifikuar firmën e një sekretari shteti për të përfituar për veten e tij 20milion euro. Edi Rama përdhosi simbolin tonë kombëtar shqiponjën, për të fituar 20 milion euro. Edi Rama bashkë me argatët e tij duhet urgjent të anullojë projektin e Unazës së Re, të tre lotet dhe i bëj thirrje Arta Markut si grua dhe si nënë, që sot ajo është përballë opinionit publik, opinionit të opozitës, opinionit të ndërkombëtarëve për të treguar që vlerat e një gruaje janë më të forta se vlerat e një politikani, për të treguar që vlerat e një gruaje janë më të forta se vlerat e institucioneve, për të treguar se vlerat e një gruaje janë më të forta se çdo gjë: se tundimi, se paraja,se pushteti, prandaj ajo sot më shumë se kurrë duhet të jetë e sinqertë me veten e saj, me fëmijët e saj, me familjen e saj, por mbi të gjitha me gratë shqiptare, me ato gra shqiptare që kanë një muaj që luftojnë për shtëpitë e tyre dhe për djersën e ballit të tyre dhe të burrave të tyre.

Prandaj Arta Markut i bëj thirrje si grua dhe si nënë: Mos hezito përballë Damian Gjiknurit, i cili lidhjet e tij janë të drejtpërdrejta me offshorin për vjedhjen e 20 milion eurove, mos hezito ndaj Afrim Qendros ku e ke me zë dhe me figurë në emisionet televizive, që mbron projektin e Unazës së Re duke reklamuar kompaninë amerikane, që sot është Fake. Mos hezito që të marrësh të pandehur dhe mos ja mbyll çështjet Edi Ramës, kokës së këtij projekti, të cilat këto para nuk dimë se çfarë do përdoreshin. Por hetoje si burrneshë, nëse je burrneshë, sepse sot ke shansin për tu dhënë emër grave dhe vajzave shqiptare. I bëj thirrje kryeministrit në ikje, Edi Rama të anullojë urgjent tenderin famkeq të unazës së re.  Ja ku i ka paratë e studentëve, 40 milion euro.  Të rregullojë godinat e studentëve. Nuk kanë nevojë studentët tanë për projekte 3dimensionale. Studentët tanë janë brezi më inteligjent, të cilët në kushtet e tmerrshme, mungesë laboratorësh, mungesë librash, përballje taksash dhe tarifash të larta. Përballen çdo ditë dhe i mbijetojnë dijes duke luftuar për ta përfituar atë deri në pikën e fundit. Sepse ata e kanë kuptuar që sot është përgjegjësi kombëtare të jesh një student dhe të jesh një student i ekselencës jo vetëm në nota, por edhe në vlera.

Tenderi i Unazës së Re duhet anulluar urgjent, ose përndryshe e gjithë opozita do t’i bashkohet banorëve të Unazës së Re. Jo me deputetë, por me anëtarë dhe me thirrje. Kërkesat e studentëve duhen marrë parasysh. Nuk ka nevojë as të çojmë deputetë tek studentët, por dimë të themi që opozita nuk do të ndalet, do të dalë dhe ajo në rrugë për të kërkuar të drejtat e studentëve.

Edi Rama duhet t’i bëjë llogaritë mirë, sepse nuk janë vetëm studentët në lojë. Janë naftëtarët që i gënjeu. Janë minatorët që i mashtroi. Janë mjekët dhe infermierët që i gënjeu dhe i tha do t’iu rris pagat me 20%, dhe nuk ua ka rritur as 6%. Janë bizneset që iu tha do t’iu ul taksat dhe iu ka rritur taksat. Janë shqiptarët që iu tha do t’iu rris pagat. Por jo vetëm nuk iu rriti pagat, por iu rriti dritat, ujin, taksat, taksa prone, taksë të Edi Ramës, taksë të Ben Ahmetajt, taksë të Lindita Nikollës. Në rrugët e Tiranës nuk janë studentët Edi Ram, por janë fëmijët e shqiptarëve që të urrejnë ty. Nuk të urrejnë ty si njëri, nuk të urrejnë ty si baba, as si bashkëshort dhe as si djalë. Por urrejnë simbolin tënd politik, atë që ti përfaqëson, krimin, grabitjen dhe zhvatjen që iu bën të varfërve shqiptarë.

Edi Ramën nuk e kemi armik si njeri, Edi Ramën e kemi armik si simbol të urrejtjes që ka ndaj shqiptarëve. Edi Rama duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë,  jo Edi Rama si njeri po e them përsëri, por Edi Rama si fenomen. Edi Rama duhet ta kuptojë që shqiptarët duan të jetojnë të lumtur në Shqipëri. Edi Rama duhet ta kuptojë që shqiptarët i duan fëmijët e tyre. Dhe për fëmijët e tyre japin jetën. Edi Rama duhet ta kuptojë që shqiptarët e duan shtëpinë e tyre, dhe sakrifikojnë për ta ndërtuar, zbukuruar dhe pastruar shtëpinë e tyre. Sepse kanë gra nikoqire, punëtore dhe me vlera. Vlerat e grave të tyre nuk do t’i lejojnë që t’i përdhosi njeri. Edi Rama duhet ta kuptojë që ne nënat dhe gratë shqiptare do bëjmë çdo gjë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Sepse fëmijët tanë janë dinjiteti ynë, janë vazhdimësia jonë, janë e ardhmja e këtij kombi. Sepse fëmijët e shqiptarëve janë ata që do të vazhdojnë të valëvisin flamurin shqiptar.

Unë jam koshiente dhe e di që në këto 27 vite tranzicion politika nuk i ka pasur mundësitë për të bërë çdo gjë. Qoftë për faj të saj, qoftë edhe për faj edhe të rrethanave që ajo është gjendur. Por unë mendoj që sot më shumë se kurrë politika dhe populli duhet të jenë të gjithë bashkë, duhet të jetë populli ai që duhet te fitojë nga politika dhe jo politika nga populli, duhet të jenë shqiptarët që duhet të fitojnë nga politika dhe jo politika nga populli. Rasti i denoncimit të Unazës së Re është standardi i ri që do të vendoset midis politikës dhe qytetarëve, standardi i Unazës së Re do të jetë ai standard ku politika nuk bën protesta për përfitimet e saj, por politika i shërben kauzës për ti dhënë shans dhe mundësi qytetarëve të tyre.

Sot, është fillimi i punës tonë, Lëvizja Socialiste për Integrim përveç Këshillave Bashkiak që do të ketë gratë dhe vajzat në lista, do të jenë edhe kandidate për kryetare, të cilat do të jenë kandidatet dinjitoze, ashtu si gjithmonë ne jemi prezantuar denjësisht me gratë dhe vajzat tona. Ne besojmë tek gratë, jo vetëm se unë jam një kryetare grua, por besojmë si filozofi politike tek gratë, sepse gratë janë ato që ndërtojnë familjen, janë ato që mbajnë familjen, nëse një grua ka aftësinë për të mbajtur familjen dhe për ta rritur atë, e ka aftësinë për ta drejtuar një Bashki, e ka aftësinë për të drejtuar një institucion dhe e ka aftësinë për të drejtuar dhe udhëzuar fëmijët e saj në rrugën e drejte, sepse nuk ka nënë që do ti çojë fëmijët e saj në rrugën e gabuar. Të gjitha nënat i duan fëmijët e tyre që ti shikojnë të lumtur, të begatë dhe me vlera.

Ta bëjmë Shqipërinë si shtëpitë tona, ta bëjmë Shqipërinë siç thonë edhe amerikanët “Home Sëeet home”, ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç themi, që të kthejmë shqiptarët të punojnë, ta ndryshojnë, ta ndërtojnë. Sepse jemi një vend i bekuar, në një zonë shumë  të bukur, që për shkak të pozicionit gjeografik edhe jemi masakruar. Por ta kthejmë këtë pozicion gjeografik në një vlerë dhe avantazh për ta kthyer Shqipërinë në qendrën e botës, ashtu siç i takon që të jetë. Me këta djem dhe vajza, me gratë tona, dhe me të gjithë shqiptarët punëtorë, unë jam e bindur që e ardhmja e Shqipërisë do të jetë e ndritur dhe e begatë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë realitet.

Sot unë ju falënderoj me zemër. Ju falënderoj me zemër sepse të gjitha ju më keni dhënë shansin dhe mundësinë për të krijuar opinionin e duhur qe gratë ndryshojnë botën. Dhe kur gratë ndryshojnë botën jam e bindur që shumë shpejt do ta ndryshojnë edhe Shqipërinë tonë të vogël. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti lutem Zotit t’iu ruajë ju dhe familjet tuaja. T’i lutem Zotit të na japi forcë që të përballojmë sfidat që kemi në familje dhe në shoqëri. Sepse të dyja këto sfida janë sfida të grave dhe të nënave, janë sfida e vajzave të reja për të ndryshuar shoqërinë dhe është sfida e një nëne për t’i dhënë forcë dhe pasion fëmijëve të tyre për të protestuar dhe për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur. Zoti ju ruajtë ju dhe familjet tuaja, Zoti i ruajtë shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat