Kush e kundërshtoi prishjen e xhamisë në Shkodër?

Shqipëria

Kush e kundërshtoi prishjen e xhamisë në Shkodër?

Nga: Paul Tedeschini Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 10:46
Paul Tedeschini

Çdo ditë kur shkojshe në gjimnaz kalojshe para Kishes Madhe, Para Kishes së Françeskanve, para Xhamisë në Qender të Qytetit (Fushe Çele), para Kafes Madhe, para Bibliotekes (aty ku  sot asht Bashkia) dhe mrrijshe në gjimnaz. Në oren 12 te drekes shikojshim nga dritarja e klases tonë se kur po del hoxha në minaren e Xhamisë me dy Minare në Parrucë per të kendue lutjen e vet, se njat herë mbaronte ora e katert. Pritshim hoxhen, sepse na në atë kohë nuk kishim asnjeni orë dore. Në klase ishim si të krishterë si dhe musliman. Ishim mësue me Kisha e Xhamija. Unë nuk mund të flas per breznitë e tjera, veçse po e tham me shumë knaqësi dhe nostalgji, se në brezninë tonë kena shkue aqë mirë musliman e të kshtenë sa ju tham të drejten as që e kena ndigjue ndonjiherë diferencen midis nesh dhe miqesinë e kena ruejt deri tesh e kesajë dite.

Baba i jem avokat Emid Tedeschini e kishte zyren në zonen e Parruces ku ishin të gjithë avoketnit, afer Xhamisë me dy Minare. Ngandonjiherë unë u shkëputshe në pushim të mësimit per të shkue me e pa. Herë ishte vetem, herë me ndonji klient, herë me ndonji hallexhi, herë me ndonji koleg, herë me ndonji intelektual, herë ndonji prift o herë me ndonji hoxhë. Myftinia ishte në shpindë të vargut të zyreve avokatore, aty ku sot asht Lulishtja e Madhe. Baba i im prej moshes 7 vjeçe e deri ne 27 vjeçe asht rritë në Europen Qendrore: Austri-Itali-Gjermani-Zvicer, prandej kjo ka qenë aresyeja, që kur u kethye në Shqipni zgjodhi pikrisht Shkodren si banim e jo qytet-lindjen e tij Durresin, sepse vetem në Shkoder gjente njerz me kulturë tamam europiane. Ai ishte nji njeri i hapun dhe pa paragjykime. 

Në mos gabofsha ishte viti 1956. Sa shpejt kalojnë vjetet! Tue shkue në shkollë pashë se xhaminë e Fushes Çeles, nji xhami relativisht e vogel e vendosun njaty ku kan qenë dikur “Pese Herojt” para se ti trasfirojshin para Radio Shkodres, pra këtë xhami po e prishëshin disa punetor. Na ishim mësue në Shkoder me pa tue na prishë gjithçka, tue ndigjue burgosje njerzish, gjyqe të bujshme me altoparlanta, në salla të medha, në Kinema. Unë qyshe 4-5 vjeç ishe mësue me ndigjue naten automatikun kur pushkatojshin njerz mbas murit të vorreve të Rmajit jo larg shtëpisë time, vorre per të cilat flet Filip Shiroka në vjerrshen “Këthè Dallndyshe”. Na në Shkoder ishim mësue. Natyrisht na të tjert sepse ato të shkretit që ishin protagonista, zor se ishin mesue. Kështu edhe prishja e xhamisë, neve që po shkojshim në shkollë, nuk na bante pershtypje, sepse siç e thashë ma siper, na ishim mësue…….

POR, jo të gjithë ishin mësue, jo të gjithë e pranojshin këtë zhgatrrim total e në të gjitha pikpamjet të qytetit tonë. Kur u këtheva në shtepi mbas mësimit, baba i im me tregoi se ai kishte shkue tek Kryetari i Kom Ekz. Bilal Parruca dhe kishte kerkue me insistim mosprishjen e xhamisë së Fushe Çeles, tue e motivue se ajo xhami ka nji minarë me vlerë artistike, sepse minarja asht e ndertueme jo me beton, por me gur të latuem dhe per këtë aresye kjo minare, pra edhe xhamia nuk duhen prishe. Nuk ishte kollaj të takojshe menjiherë Kryetarin. Megjithë atë Bilal Parruca e kishte pritë dhe e kishte ndigjue me vemendje. Po ashtu nuk ishte aqë kollaj në atë kohë të shkojshe per të ba nji kerkesë të tillë. Bilali i kishte kerkue babes, që kerkesen ta paraqitete me shkrim. Te nesermen baba i im paraqiti në Komitet Ekzekutiv per Kryetarin Kerkesen me shkrim per mosprishjen e xhamise në fjalë, tue dhanë edhe motivimin perkates. Me të marrë Kryetari kerkesen me shkrim dha urdhen per pezullimin e prishjes së xhamisë deri në pergjegjen nga Tirana. Tirana dha urdhen per vazhdimin e prishjes xhamisë së Fushes së Çeles në qender të qytetit të Shkodres.

Në këtë menyrë Shkodres iu prish edhe nji tjeter veper arti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat