Studentët i përgjigjen Ramës: Po e kthen shënjestrën nga pedagogët e korruptuar

Shqipëria

Studentët i përgjigjen Ramës: Po e kthen shënjestrën nga pedagogët e korruptuar

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 06:39
Foto nga protesta

Teksa kryeministri i ka shtrirë dorën për një dialog të hënën, studentët kanë reaguar përmes një deklarate për shtyp.

Lëvizja për Universitetin shprehet se nuk do të ketë negociata me qeverinë për tetë kërkesat e parashtruara.

Sipas grupimit në fjalë, ligji i arsimit të lartë ka vdekur dhe në universitete ka lindur nevoja për rithemelim të trupës së pedagogëve.

Ja deklarata e plotë e Lëvizjes për Universitetin:

Përmes një komunikimi publik kryeministri Rama ka kërkuar të çoroditë mijëra studentët protestues. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se ai dhe qeveria e tij janë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e jetës universitare publike.

Në vitin 2015 kanë miratuar një ligj të arsimit të lartë që bazohet në parimin klientelist: varfërim i universiteteve publike dhe shpërndarje e buxhetit të arsimit edhe për universitetet private. I njëjti ligj i ka dhënë qeverisë mundësinë të kontrollojë pothuajse të gjitha bordet e administrimit të universiteteve publike, duke rrënuar autonominë universitare. Siç ka ulur përqindjen e votës studentore nga 20% i ulët në 10% e papërfillshëm.

Në panik nga vrulli i ortekut studentor, qeveria kërkon ta kthejë shënjestrën te burokratët dhe pedagogët e korruptuar. Si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin i kemi goditur këta të fundit në çdo rast. Por deri më sot abuzimet e tyre kanë qenë të pandëshkuara pikërisht prej mburojës që kanë gjetur te qeveria dhe strukturat e saj.

Ligji i arsimit të lartë ka vdekur. Universitetet kanë nevojë të rithemelohen nga trupa e universitarëve – studentë e pedagogë – pa ndërhyrjen e qeverisë në asnjë fazë të procesit.

Protesta e studentëve është autentike pikërisht se askush nuk ka tagrin t’i përfaqësojë. Ajo i tremb të gjitha partitë pikërisht se është e tillë. Prandaj studentët brohorasin njëzëri: “Jo negociata!”

Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin u bëjnë thirrje të gjithë studentëve që ta vazhdojmë protestën deri në dorëzimin e plotë dhe pa kushte të qeverisë.

“Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”

/a.rada

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat