Protesta/ Studentët në 10:00 te Ministria e Arsimit, Rama i pret live në Facebook

Shqipëria

Protesta/ Studentët në 10:00 te Ministria e Arsimit, Rama i pret live në Facebook

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 08:25
Foto nga protesta

Protesta studentore hyn sot në ditën e saj të shtatë. Edhe pse dita e sotme është ditë pushimi për punonjësit e administratës për shkak të 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, një gjë e tillë nuk do të jetë për studentët.

Para tubimit masiv të martën, ata kanë paralajmëruar protestë edhe sot. Grumbullimi i studentëve të Tiranës nis si gjithmonë nga sheshi “Nënë Tereza” nga ora 08:30 deri në 09:30. Më pas do të vazhdojë marshimi drejt Ministrisë së Arsimit duke ndjekur rrugën e zonës së Bllokut dhe duke shmangur sërish Bulevardin qendror të kryeqytetit, përpara Kryeministrisë.

Studentët e Universiteteve në rrethe ftohen të bashkohen në orën 10:00 para MAS, ku nis dhe zyrtarisht protesta. “Studentë, ata duan të hiqni dorë – bashkohuni nesër më të fortë se kurrë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka ftuar studentët në një bashkëbisedim live në Facebook në orën 11:00 të paradites së sotme. Kreu i qeverisë ripërsëriti ftesën për dialog, por studentët refuzuan sërish duke i kërkuar pranimin e 8 kërkesave të tyre. Kryeministri insistoi duke u shprehur se është i gatshëm për një mekanizëm bashkëqeverisje me studentët me qëllim, siç u shpreh ai, për shërimin e plagëve të korrupsionit dhe keqadministrimit të universiteteve në vend. /a.meta

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat