Akuzohet për vrasjen e studentes në Greqi, dhunohet shqiptari në burg

Shqipëria

Akuzohet për vrasjen e studentes në Greqi, dhunohet shqiptari në burg

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 09:27
Foto ilustrim

Aleksandër Luca është dhunuar në qelitë e burgut në Greqi nga të burgosurit e tjerë.

20-vjeçari shqiptar është një nga dy personat e akuzuar për vrasjen e studentes 20-vjeçare Eleni Tofaloudi, ngjarje e ndodhur në ishullin Rodos më 27 Nëntor

Mediat greke kanë publikuar edhe pamje disa sekonda të filmuara nga vet të dënuarit, ku shihen duke dhunuar Aleksandër Lucën, raporton tvklan.al. Të burgosurit e sulmuan atë verbalisht dhe fizikisht. Njëkohësisht e pyesnin edhe përse bëri krimin në Rodos. “Nuk e bëra unë, e bëri ai tjetri”, u përgjigjet 20-vjeçari shqiptar, duke akuzuar shokun e tij grek, bashkëpunëtor në ngjarje.

Aleksandër Luca mori fillimisht ndihmën e parë në burg dhe më pas u dërgua në spital. Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur një hetim të brendshëm për të zbuluar se si të burgosurit e tjerë u futën në qelinë e shqiptarit Aleksandër Luca. Ky i fundit dhe bashkëpunëtori i tij grek, Manolis Koukouras janë vendosur në burgje të ndryshme.

Ata akuzohen për përdhunimin dhe vrasjen e studentes 21-vjeçare, të cilën pasi e dhunuan e hodhën në det me këmbë të lidhura.

Aleksandër Luca ka qenë i pari që pranoi përfshirjen në krim pas arrestimit, por deklaroi se autori kryesor është shoku i tij grek Manolis Koukouras, për të cilin tha se ai e goditi me hekur në kokë dhe insistoi që trupin e studentes ta hidhnin në det.

Ndërkohë, ditën e djeshme në shtypin grek qarkulloi me shpejtësi lajmi që autori tjetër grek, Manolis Koukouras, pretendon se vrasjen e ka kryer shoku i tij shqiptar. 21-vjeçar grek vazhdimisht kishte mohuar përfshirjen në krim, pavarësisht se ndaj tij rëndonin provat e gjetura. Në këtë pikë, hetuesit grekë kanë dy dëshmi nga të pandehurit, të cilët akuzojnë njëri-tjetrin.

Aleksandër Luca, Manolis Koukouras dhe studentja Eleni Tofaloudis kanë qenë së bashku në shtëpi mbrëmjen e 27 Nëntorit. Policia dyshon se ngjarja ndodhi pasi vajza ka refuzuar të kryejë marrëdhënie me të dy, dhe në këtë moment është tensionuar situata. Ajo u qëllua me hekur në kokë, dhe goditjet ishin aq të forta saqë i ishte këputur veshi i majtë. Më pas, dy të rinjtë e lidhën me litar nga këmbët vajzën 21-vjeçare dhe e hodhën në det. Trupi i të ndjerës u gjet të nesërmen e 28 Nëntorit.

Mjekët konfirmuan se Eleni kishte humbur jetën si pasojë e mbytjes, çka do të thotë se ajo ishte gjallë kur u hodh në det. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon gjithashtu se 21-vjeçarja ishte përdhunuar dhe dhunuar. Por hetuesit nuk janë të qartë se kur është përdhunuar vajza, pasi ka dyshime, referuar edhe dëshmisë së dy të rinjve, që ajo fillimisht mund të ketë kryer marrëdhënie me ndonjërin prej tyre. 

I dyshuari Manolis Koukouras ka thënë në dëshmi se shoku i tij Aleksandër Luca e qëlloi me hekur në kokë pasi u mërzit kur ajo i tha se “seksi me të nuk ishte aq i mirë sa me shokun e tij“, raportuan mediat greke një ditë më parë. Megjithatë, hetimet janë ende në vijim dhe policia mendon se në ngjarje mund të jetë i përfshirë edhe një person i tretë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat