Sot procesi për ngritjen e KLP - Bota Sot
Sot procesi për ngritjen e KLP

Shqipëria

Sot procesi për ngritjen e KLP

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 10:30
Ilustrim

Në Shqipëri, nis sot procesi për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili i paraprin mbledhjes së nesërme të gjyqtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, dy institucionet kyçe të sistemit të ri të parashikuar nga Reforma në Drejtësi.

Në një deklaratë të përbashkët, Ambasada amerikane në Tiranë dhe Delegacioni i Bashkimit europian, theksuan dje nevojën, që ngritja e këtyre organeve të përmbyllet pa vonesa. “Ne u bëjmë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë që të sigurojnë një proces zgjedhor të lirë dhe transparent për magjistratët në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ndërtimi i vazhdueshëm i institucioneve të reformës së drejtësisë duhet të mbahet dhe të konfirmohet këtë javë”. Në deklaratën e tyre, dy përfaqësitë më të rëndësishme diplomatike në vend theksojnë se “ky është shansi për gjyqtarët dhe prokurorët që të kontribuojnë dhe të formësojnë sistemin shqiptar të drejtësisë për të ardhmen. Ne presim që ata të tregojnë ndjenjë përgjegjësie në krijimin e këtyre institucioneve jetësore. Një gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm dhe profesional do të jetë në dobi të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë shprehur me shumicë dërrmuese mbështetje për reformën në drejtësi. Një sistem gjyqësor plotësisht funksional është gjithashtu në interes të qartë të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë”, theksohet në deklaratë, ndërsa vihet në dukje, rëndësia e këtij procesi dhe për të ardhmen e rrugës së vendit drejt Bashkimit Europian. “Konsolidimi i mëtejshëm i progresit, veçanërisht nëpërmjet krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore të parashikuara nga reforma kushtetuese, është një hap thelbësor në rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit në qershor 2019”, nënvizon deklarata.

Në një mesazh drejtuar Prokurorëve, para mbledhjes së sotme, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku e cilëson ditën e sotme si “dita ku ne do ti japim jetë Qeverisë së Re të sistemit prokurorial si ingranazh i rëndësishëm i makinerise së madhe të reformës në drejtësi dhe që me krijimin e KLP-ës, hyn në fazën e zbatimit të plotë të saj. Ne sot kemi fatin që me pjesmarrjen dhe votën tonë të hedhim të parët themelet i institucionit të parë të ri të drejtesise ndaj mos e humbni këtë shans për asnjë arsye”, shprehet zonja Marku.

Të dy Këshillat, përbëhen nga 11 anëtarë, nga të cilët 5 vijnë nga jashtë sistemit, ndërsa 6 anëtarët e tjetër përzgjidhen sipas ndarjes në shkallë të gjykatave dhe prokurorive: 3 nga ato të Shkallës së Parë, 2 nga Apeli, ku të paktën njëri duhet të jetë nga organet që veprojnë në rrethe, dhe 1 nga Prokuroria e Përgjithshme në rastin e KLP-ës dhe 1 nga Gjykata e Lartë në rastin e KLGJ-ës.

Kanditatët për në KLP , për 3 vendet nga prokuroritë e Shkallës së Parë janë 5: Dritan Prençi - Prokuroria Kukës; Vat Staka -Prokuroria Shkodër; Antoneta Sevdari - Prokuroria Tiranë; Gentian Osmani - Prokurori e Krimeve të Rënda dhe Besnik Muci– Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga këta Dritan Prenci, është i vetmi nga jashtë Tiranës e pritet të kalojë automatikisht. Të tjerët do t’i nënshtrohen votimit për dy poste.

Për dy vende nga Prokuroritë e Apelit janë vetëm dy kandidatë, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës e dhe Bujar Sheshi, nga Apeli i Krimeve të Rënda. Dy kandidaturat e tjera, Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u rrëzuan.

Ndërsa për një vend nga Prokuroria e Përgjithshme janë kualifikuar dy prokurorë që kanë kaluar testin: Anila Leka dhe Kostaq Beluri.

Ngritja e KLGJ-ës dhe KLP-ës pritet të rikthejë normalitetin në sistemin e Drejtësisë, ndërsa i hap rrugë dhe formimit të Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, si dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, organe të cilat do të jenë të fokusuara te lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...