Qindra studentë drejt Kryeministrisë: Prindërit nesër do të bojkotojnë punën

Shqipëria

Qindra studentë drejt Kryeministrisë: Prindërit nesër do të bojkotojnë punën

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 11:45
Protestat në Tiranë

(E plotësuar) -  Rreth dy orë ka zgjatur komunikimi mes studentëve para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit në Tiranë dhe të gjithë së bashku kanë rënë dakord për përshkallëzimin e protestës.

Studentët kanë lajmëruar nëpërmjet mediave se nuk ka përçarje, por ata kanë vendosur që të ndahen në disa grupe, pasi një pjesë do të zhvendosen para Kryeministrisë, qindra kanë bllokuar rreth-rrotullimin e “Zogut të Zi” dhe një pjesë e turmës do të mbetet para Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë studentët kanë paralajmëruar se nesër do të ketë një “black-out” në të gjithë Shqipërinë, pasi pritet që edhe prindërit e tyre që punojnë në uzina shtetërore ose fabrika private të lënë punën në shenjë proteste.

“Ditën e nesërme prindërit tanë do të bojkotojnë punën në institucione shtetërore dhe private. Do të shkaktohet një ngërç shtetëror. Do ta detyrojmë jo vetëm Ministrinë e Arsimit por edhe kryeministrin që t’i përgjigjet kërkesave të studentëve. Do të bllokohen dyert e universiteteve”, tha një prej studentëve për mediat.

Protesta arrin kulmin e saj, studentëve i bashkohen qytetarët e Tiranës

Që prej orës 10:00 të paradites protesës së studentëve në Tiranë i është bashkuar e gjithë rinia në Shqipëri, përfshi këtu dhe qytetarët e kryeqytetit, të cilët kanë qenë të shumtë që kanë ardhur për t’u bashkuar me të rinjtë.

Mijëra njerëz janë mbledhur në ditën e 7 të protestës, ditë e cila shënon dhe një pikë kulmore pasi ultimatumi i studentëve ka qenë i qartë, nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë qeveria do të përballet me një tjetër dimension të protestimit, grevën e urisë.

Të pyetur nga media, të rinjtë janë shprehur se gjithçka do të vendoset sot dhe se të shumtë janë ata të rinj që do të hyjnë në grevë urie, nëse vendoset që ky do të jetë hapi i rradhës.

Protestës i janë bashkuar dhe shumë qytetarë të Tiranës, duke ju përgjigjur kësisoj thirrje së të rinjve që të gjithë shqiptarët të vijnë për të protestuar për bijtë dhe bijat e tyre, për të rinjtë.

Ndërkohë në protestën masive kanë ardhur gjithashtu qindra nxënës në gjimnazeve të Tiranës.

Image
Image

Protesta masive e studentëve, Basha: Milionat e vjedhura në koncensione të shkojnë për arsimin

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me protestën e studentëve duke i drejtuar përmes rrjetin social disa këshilla të rinjve, për mënyrën e thjeshtë që shumë nga kërkesat e tyre mund të realizohen brenda ditës.

Basha shkruan se nëse qeveria heq koncensionet e saj korruptive nga supet e shqiptarëve, atëherë buxheti për arsimin mund të dyfishohet brenda ditës. Kryedemokrati shkruan se heqja e ligjit për arsimin e lartë është një domosdoshmëri për t’i dhënë një hov të ri sistemit arsimor në vend.

STATUSI I BASHES:

Ndryshimi në arsimin e lartë fillon me shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimin e buxhetit të arsimit. Të hiqen paratë e qytetarëve nga koncesionet plaçkitëse të check-up-it, të incineratorëve me pronarë të fshehur, të rrugëve me kosto 10 fish sa në SHBA.

Paratë e projekteve fasadë që pasurojnë Edi Ramën dhe klientët e tij të investohen në arsim. Vetëm 30 milionë euro që Edi Rama tenton të vjedhë me kompanitë guackë mjatojnë për të ndërtuar një kampus modern për Universitetin e Tiranës, të cilin e studentët e kërkojnë prej vitesh.

Protesta masive e studentëve sjell në Tiranë mediat globale

Protesta masive e studentëve ka arritur kulmin e saj në ditën e 7 e cila shënon dhe fundin e afatit që të rinjtë i kanë dhënë qeverisë për plotësimin e 8 kërkesave të tyre të panegociueshme.

Por duket se protesta e studentëve në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e mediave të mëdha në rang global. Kësisoj, agjenci të mëdha mediale si Reuters, Associated Pres, ANSA, Neës York Times apo Ëashington Post, kanë sjellë në Tiranë ekipet e tyre për të raportuar mbi ngjarjen që për herë të fundit në Shqipëri është parë në kapërcyell të vitit 91’.

Protesta po ndiqet edhe nga këto media, të cilat e kanë përcjellë protestën në ditët e fundit përmes lajmeve të tyre./Express

***

Studentët po protestojnë para Ministrisë së Arsimit për plotësimin e kërkesave të tyre.

Kjo është protesta më masive që kur studentët dolën në rrugë për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, duke mos pranuar negociatat dhe dialogun me kryeministrin Edi Rama.

Protesta masive e studentëve para Ministrisë së Arsimit

Mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria po protestojnë në ditën e shtatë pa nderprerë, duke këmbëngulur në përmbushje të plotë të kërkesave të tyre.

Ata kanë marshuar në kryeqytetin shqiptar, si dhe në vendet tjera të Shqipërisë, edhe pas thirrjeve të institucioneve për të dialoguar.

Studentëve të Universiteteve të Shqipërisë u janë bashkuar edhe disa gjimnazistë të cilët kanë bojkotuar mësimin në simbol solidariteti me studentët.

Përmes këtyre protestave, studentët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre që lidhen me koston e lartë të studimeve në Universitetin publik dhe cilësinë e arsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat