'Plotëso kërkesat studentore ose do ikësh me bisht ndër shalë', UAMD proteston

Shqipëria

'Plotëso kërkesat studentore ose do ikësh me bisht ndër shalë', UAMD proteston

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 06:10
Foto nga protesta

Studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës bojkotuan dje masivisht mësimin dhe zhvilluan për dy orë protestë përpara kampusit, duke ju bashkuar më pas protestës përpara ministrisë së Arsimit.

"Plotëso kërkesat studentore ose do ikësh me bisht ndër shalë", "Duam biblioteka, jo burgje" dhe "Mos na detyroni të urrejmë vendin tonë", ishin disa nga pankartat.

"Pikat tona janë bërë të qarta edhe në ministri dhe ne nuk presim më as edhe një orë, as negociata, duam disa vendime që janë shumë të thjeshta sepse udhëheqësit tanë e kanë treguar se kur duan marrin vendime të shpejta", tha Kostandin Kaçorri, student në Fakultetin e Shkencave Profesionale, Universiteti i Durrësit.

 Një pjesë e pedagogëve ju bashkuan protestës, ndërsa të tjerë thanë studentët, kërkuan që të mos braktisnin provimet, pasi do të klasifikoheshin mbetës. UAMD po zhvillon këto dy javë sezonin e provimeve.

 Studentëve dhe pedagogëve në godinat e universitetit në Spitallë e Currila ju bashkuan edhe gjimnazistët, që së bashku me 6 autobuzë të ofruar vullnetarisht udhëtuan në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat