Shpërblimi i qeverisë për pensionistët, Grida Duma: Paketë turpi!

Shqipëria

Shpërblimi i qeverisë për pensionistët, Grida Duma: Paketë turpi!

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 14:31
Grida Duma

Vetëm pak pasi kryeministri njoftoi përmes rrjeteve sociale paketën e shpërblimeve të fundvitit që do të ofrojë për pensionistët dhe për çdo foshnje të re që do të vijë në jetë nga familjet shqiptare, ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e cila e ka quajtur atë si një “paketë turpi dhe fyerjeje për pensionistët dhe shoqërinë”.

“Të rinjtë në protestë për të ardhmen, të moshuarit në lëmoshë për jetën. Thotë se ka dhënë 50 dollarë pako turpi për pensionistët, sikur t’i ketë nxjerrë nga xhepi dhe jo nga buxheti i përbashkët i qytetarëve. 460 lekë në muaj! Vetēm indeksimi do të duhej të kishte qenë dyfishi”, shkruan Grida Duma në Facebook.

Sipas saj, kjo pako prej 50 dollarësh në vit është denigruese, pasi fatura e energjisë është dyfishuar, fatura e ujit trefishuar, ndërsa për ilaçet shpenzohet mesatarisht 3.000 lekë në muaj.

“Vetëm nga rritja e çmimeve dhe shtrenjtësia e jetës do të duheshin minimalisht 50 dollarë në muaj për të pasur të njëjtat shërbime si 5 vite më parë. Siç tallet sot me të rinjtë, që pasi i zhvat thotë ‘hajde bëjmë muhabet’, njësoj tallet me pensionistët, që pasi iu rrit çmimet i trajton si gjynafqarë, ndërkohë që duhej të ishin kategoria më e respektuar e shoqërisë”, thotë më tej Duma.

Sipas saj, për pensionistët ka vetëm një zgjidhje: alternativa e PD-së, 250 mijë lekë pension minimal. Kjo sepse është “shtresa që meriton respekt e mirënjohje për kontributet e një jete punë, të cilës i detyrohemi minimum dinjiteti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat