Ngrihet Komiteti i Pakicave Kombëtare

Shqipëria

Ngrihet Komiteti i Pakicave Kombëtare

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 16:42
Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për organizimin dhe funksionimin e Komitetit të Pakicave Kombëtare.

Sipas këtij vendimi, Komiteti për Pakicat Kombëtare është person juridik, publik, buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë dhe ka për qëllim sigurimin e mbrojtjes dhe të promovimit të të drejtave dhe interesave të pakicave kombëtare.

Ky institucion funksionon në bazë të ligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe legjislacionit përkatës në fuqi.

Vendimi i qeverisë parashikon që marrëdhëniet e punës së nëpunësve rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil, ndërsa marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

Sipas këtij vendimi, për nëpunësit civilë aktualë të Komitetit Shtetëror për Minoritetet zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Komitetit për Pakicat Kombëtare, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale të Komitetit Shtetëror për Minoritetet vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat