Çeku për bebet, si do të kryhet procedura për marrjen e parave nga shqiptarët

Shqipëria

Çeku për bebet, si do të kryhet procedura për marrjen e parave nga shqiptarët

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 17:22
Ilustrim

Këtë të mërkurë qeveria shqiptare kaloi përmes një VKM-je bonusin në para që do të marrin ato familje shqiptare që lindin fëmijë, një çek që do të nisë që nga 1 janari.

Në vendimin e mëposhtëm të Këshillit të Ministrave shpjegohet dhe procedura për marrjen e parave

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 38, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura dhe procedurën e dhënies së tij, si më poshtë vijon:

a) Në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë për lindjen e fëmijës së parë;

b) Në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për lindjen e fëmijës së dytë;

c) Në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim;

ç) Për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilin fëmijë;

d) Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për secilin fëmijë.

2. Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.

3. Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.

Pas regjistrimit kryen verifikimet e nevojshme për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të këtij vendimi. Procedura e verifikimit on-line për identifikimin e nënës së fëmijës së lindur dhe statusit të saj, si dhe mënyra e përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Brendshëm.

4. Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi) sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, i jepet nënës, menjëherë, pas lëshimit të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”, në përfundim të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

5. Masa e ndihmës së menjëhershme financiare jepet në formën e një çeku, të emetuar në emër të nënës, dhe ose sipas rasteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, dhe të pagueshëm:

a) 35 (tridhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”;

b) 75 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”;

c) 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”;

ç) diferenca e mbetur prej 5 (pesë mijë) lekësh, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

6. Vlera e përcaktuar në çek tërhiqet në bankat e nivelit të dytë me të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.

7. Në rast se strukturat përgjegjëse konstatojnë përfitimin pa të drejtë të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale merr masa, sipas legjislacionit në fuqi, për kthimin e shumës së përfituar pa të drejtë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në 1 janar 2019.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat