Ministri Lleshaj: Asnjë procedim ndaj studentëve e pedagogëve!

Shqipëria

Ministri Lleshaj: Asnjë procedim ndaj studentëve e pedagogëve!

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 12:14
Sander Lleshaj

Në fjalën e tij të parë në një seancë plenare që prej emërimit dhe dekretimit si ministër i Brendshëm, Sander Lleshaj ka dashur të saktësojë për opinionin publik se “nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu, apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit”.

Një ditë më parë, prej mëngjesit nisi të qarkullonte lajmi për fillimin e procedimeve penale ndaj disa studentëve dhe pjesëmarrësve. Ai gjeti jehonë të gjerë mediatike e publike, duke shkaktuar edhe diskutime të shumta.

“Edhe miq të mi në radhët e profesorëve më kanë shqetësuar dje lidhur me pakumtimësinë e atij lajmi, ose më saktë e kësaj ‘ndërhyrjeje të policisë’, e në momentin e parë që gjeta kohë për t’u marrë me këtë çështje i kërkova informacione të detajuara Policisë së Shtetit. Për befasinë time, rezulton që lajmi është plotësisht i pavërtetë. Dje nuk ka pasur asnjë procedim penal, ndaj askujt”, tha ndër të tjera ministri Lleshaj.

Sipas ministrit të Brendshëm, kjo ka qenë lehtësisht e provueshme, nëse dikush do të kishte marrë mundimin të interesohej pranë organeve të Prokurorisë apo përmes avokatëve përkatës.

“Sigurisht që pas këtij konstatimi kam filluar procedurat për të nxjerrë përgjegjësinë ndaj atyre personave përgjegjës në Policinë e Shtetit, të cilët nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për ta përgënjeshtruar këtë lajm, i cili mori vëmendje të madhe publike dhe ngatërroi shumëçka”, deklaroi në fund ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat