Nëntë ditë protesta – Meta kthen për rishqyrtim Ligjin për buxhetin 2019

Shqipëria

Nëntë ditë protesta – Meta kthen për rishqyrtim Ligjin për buxhetin 2019

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 16:26
Protestat e studentëve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka vendosur të kthejë për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për buxhetin e vitit 2019, me qëllim rishqyrtimin e tij pas kërkesave të studentëve.

Këtë vendim, sipas një njoftimi për media nga Zyra e Presidentit është thënë se Meta e ka marrë “duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend”.

Presidenti është “duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si të drejta, legjitime dhe të realizueshme”, thuhet në njoftimin e presidentit.

Ky vendim i presidentit u kundërshtua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se “vazhdon papushim e në çdo formë presioni mbi studentët për të qëndruar larg dialogut”.

Mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të protestuar para Kryeministrisë dhe Kuvendit, në ditën e nëntë të protestave.

Atyre, të enjten u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, duke i përkrahur kërkesat që ata i kanë drejtuar ndaj Ministrisë së Arsimit.

“Protesta i dha një shuplakë Qeverisë, një grusht opozitës dhe një shpresë shoqërisë”, tha kryeministri Edi Rama.

Këto fjalë kryeministri Rama i tha nga foltorja e Kuvendit më herët gjatë ditës së enjte, përderisa jashtë ndërtesës së tij studentët kërkojnë me ngulm që 9 ditë plotësimin e 8 kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me ulje të tarifave, përmirësim të cilësisë së arsimit publik dhe përfaqësimit të tyre në borde administrative.

“Qeveria zgjidhjen e ka dhe do ta japë me dialog”, tha kryeministri, i cili vazhdimisht ju ka bërë thirrje studentëve që të krijojnë përfaqësi dhe të ulen në tavolinën e bisedimeve me të.

Ata, megjithatë, kanë refuzuar çdo lloj dialogu, duke thënë se këto kërkesa janë të padialogueshme dhe kërkojnë vendime të menjëhershme nga Qeveria për miratimin dhe plotësimin e tyre.

Në foltoren e Kuvendit, gjatë seancës plenare të së enjtes ka folur edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Edhe ajo, sikurse kryeministri, u ka bërë thirrje studentëve për dialog.

Nikolla, duke thënë se Qeveria në krye me Edi Ramën, për 5 vjet në pushtet kanë reformuar sistemin e arsimit për të cilin duhet kohë që të ndjehen efektet, raporton rel.

“Ligji i ri ka krijuar kushtet për një erë të re në arsimin tonë të lartë, por ligji duhet zbatuar dhe sigurisht kërkon kohën e tij për të dhënë frutet pas”, tha ajo.

Ministrja e Arsimit u dha të drejtë studentëve që po protestojnë dhe tha se ata kanë ngritur shqetësime legjitime.

“Studentët kanë ngritur shumë çështje. A është problemi i arsimit tonë të lartë çmimi i dijes, apo vetë cilësia me të cilën dija jepet? A janë sot dhe gjithë ditët ndryshimet e mëdha në mënyrën se si përgatiten studentët tanë dhe se si qeverisen universitetet? Për këtë nuk ka nevojë të flasë koha. Po e bërtas edhe unë: një po të madhe dhe të fortë”, tha ministrja Nikolla.

Studentët që po protestojnë në Tiranë, por edhe në qytetet tjera të mëdha të vendit, refuzojnë çfarëdo lloj negociate me institucionet shtetërore. Meqë këto protesta ishin spontane që nga dita e parë, studentët vazhdimisht përsëritën se nuk kanë përfaqësi.

“Kërkesat i kemi të qarta, nuk kemi se çfarë të dialogojmë rreth tyre”, tha një student në protestë para Kryeministrisë.

“Këta duan që kërkesat e tyre të realizohen dhe pikë, dhe ne jemi këtu për t’i mbështetur”, tha një qytetare që i është bashkuar protestës.

Studentët protestues kanë këmbëngulur se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat