“Shuplaka e studentëve”, Duma – Ramës: I pafytyrë, fillo numëro ditët e tua

Shqipëria

“Shuplaka e studentëve”, Duma – Ramës: I pafytyrë, fillo numëro ditët e tua

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 17:01
Grida Duma

Kryeministri Edi Rama sot në Kuvend pranoi se protesta e studentëve ishte një shuplakë për qeverinë, por theksoi se edhe ndaj opozitës ishte një grusht i fortë.

Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma.

Duma shkruan se Ramës studentët i kanë kthyer një përgjigje të qartë: Plotëso kushtet!  “Këta fatmirësisht janë studentët e lindur pas viteve ‘90. Nuk janë tredhur nga perversionet e sistemit ku autokritika ishte kërraba për të vjedhur pushtet”, shkruan deputetja demokrate.

Postimi i Grida Dumës:

Shuplakës turinjve, ai nuk i kthen faqen tjetër; i nxjerr fytyrën tjetër! Por çfarëdo fytyrë të nxjerrë, ata i përgjigjen:

Plotëso kushtet!

Këta fatmirësisht janë studentët e lindur pas viteve ‘90. Nuk jane tredhur nga perversionet e sistemit ku autokritika ishte krraba për të vjedhur pushtet.

Asokohe çohej lideri i madh, bënte autokritikë dhe të dhunuarit i përgjëroheshi: “mos, vetëm ti mos shaj veten, marrç nga ditët tona, se kjo s’durohet, nuk meritojmë ne as bukë as ujë, vetëm ju mos qani”.

Pastaj, meqë vuri kujën udhëheqja, i kërkohej edhe popullit të bënte autokritikë dhe lideri përlotej, e ministrat bënin si të këputur e si fajtorë; dhe ashtu si padashur teksa përmendnin sa të padenjë ishin, ata tregonin edhe sa shumë kishin punuar e përpjekur ..por për Partinë duhet të kishin bërë më tepër, ndaj vetëm për këtë meritonin çdo dënim. Nëse kishin dështuar, kishin dështuar pa dashje.

Dështimi pa dashje i bënte të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë, se dështon me dashje kush mendje e vullnet ka.

Dhe pastaj niste përroi psiqik i të folurit si nënë si baba, si hallexhi i dikurshëm dhe si hallexhi edhe më i madh në pushtet se “problemet nuk kanë të mbaruar” “se e gjetën Shqipërinë rrënim e për shpirt të babës nuk e dinim që s’do ia dilnim dot” ..por këtë e morën vesh tani që e morën pushtetin që s’mund ta lënë më, se pastaj zhyten vetë në dëshpërim.

Dhe populli i tufëzuar pasi dëgjonte  autokritikën, psherëtinte:

“O lider i madh. Vetëm ti mos qaj. Marrsh nga ditët tona.”

Nuk është fantazma e askujt lideri global që shfaqet sot me ulërima e hungërima planesh 100 vjeçare të realizuara me vështirësi sa per mijëra vjeçarë.

Është portreti dhe skeleti i plotë i pavdekur që vërtitet gjallë, jo për të kujtuar, por për te përjetësuar ëndrrën e errët e thellë për të qeverisur me përçarje.

Nga ky vend i përçarë, 60% e shqiptarëve duan të ikin. Të ikin nga një bilanc lufte. Në këtë vend të përçarë, dikush ende do të përfitojë.

Sepse jemi të gjithë njëlloj. Sepse politika i paska ndyrë të gjithë. Sepse ka ardhur koha të parashutohen  politikanë të rinj nga Marsi që nuk janë politikanë. Sepse ka organizata politike që nuk merren me politikë. Se hap vendin ti që të vij unë. Se erdhi koha ime se ti boll ke vjedhur.

“Përça e sundo, përça e sundo”..

Thuaj “shpellarë” që të ndjehen mirë ca qytetarë, thuaj ngelës qe të mos bashkohen ca dhjetanjosë, thuaj talebanë që mos afrohet askush i lindur në Tiranë.

Bërtit “jashtë politika!” që të përveshësh mëngët e të bësh politikë vetë.

Mbushi ekranet me kukulla partie, zëvendësoje rininë me talente nga FRESSH-i!

Dhe kur një student i verbër ta plas të vërtetën në sy, ti hedh një foto në Instagram dhe kalon në postimin e rradhës.

Më dhatë një shuplakë, po unë do rri këtu, sepse e kam gati fytyrën tjetër!

Ky është avazi i njeriut të pafytyrë që ditët tona i ka marrë, dhe që prej tyre ende do të vjedhë.

Por dikush që ka lindur pas viteve ’90 prej ditësh po i thotë: Jo më.

Boll more nga ditët tona. Fillo numëro të tuat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat