Rrjeti kombëtar për të rinjët në Shqipëri (ANYN): SHBA dhe BE mbështesin studentët!

Shqipëria

Rrjeti kombëtar për të rinjët në Shqipëri (ANYN): SHBA dhe BE mbështesin studentët!

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 17:51
Pamje nga protesta

Tiranë, 13 Dhjetor 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) i drejton këtë thirrje publike Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe përfaqësisë së Bashkimit Europian për të mbështetur njëzëri kërkesat e studentëve.

Përmes kësaj thirrje publike ANYN i kërkon SHBA-së dhe BE-së të mbështesë publikisht kërkesat e studentëve duke përdorur të gjitha kanalet e komunikimit dhe influencën që ata kanë për ta shtyrë Qeverinë Shqiptare që të marrë të gjitha masat urgjente në zgjidhje të kërkesave të tyre. Prej disa ditësh, një pjesë e madhe e studentëve në të gjitha Universitetet e vendit janë ngritur në protestë për të kërkuar cilësi në arsim, kushte më të mira në rezidencat universitare studentore dhe veting në arsimin e lartë publik.

Ndërkohë, Qeveria nga ana tjetër edhe pse ka kërkuar të dialogojë për kërkesat e studentëve ende nuk ka marrë asnjë hap konkret për t’i siguruar dhe për t’i dhënë besim dhe një frymë zgjidhjeje të gjithë kësaj situate. Të rinjtë në Shqipëri përfaqësojnë rreth 25% të popullsisë, ndërkohë që 26% e tyre janë ende të papunë. Niveli i lartë i papunësisë rrjedhimisht sjell edhe një nivel të lartë të dëshirës për t’u larguar nga Shqipëria.

Sipas sondazhit më të fundit të GALLUP, rreth 79% e të rinjve, kërkojnë të largohen nga vendi! Një situatë alarmante kjo që prek pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor si dhe një gjendje kritike për shtetet pritëse të Bashkimit Europian. Në shifra shqetësuese vjen dhe braktisja e shkollës përsa i përket vijimësisë së arsimit nga ai i mesëm në arsimin e lartë.

Papunësia dhe një arsimim jo cilësor ka sjellë në Shqipëri realitetin ku thuajse 50% e të dënuarve për krime në Shqipëri i përkasin moshës 15-30 vjeç. Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri e ka mbështetur dhe vijon të mbështesë protestën e studentëve, ndërsa kërkon prej të gjitha përfaqësive diplomatike në Tiranë, ndërhyrjen e menjëhershme të tyre me të gjitha mekanizmat që disponojnë për të gjetur mënyrat e nevojshme për plotësimin e kërkesave të studentëve dhe të rinjve shqiptarë.

Për më tepër informacion, jeni të lutur të na kontaktoni në adresën e e-mailit: [email protected].

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat