PS bllokon bashkinë e LSI-së, rrëzohet buxheti i Skraparit

Shqipëria

PS bllokon bashkinë e LSI-së, rrëzohet buxheti i Skraparit

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 12:49
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Këshilltarët e Partisë Socialiste kanë votuar kundër miratimit të buxhetit të ri për Bashkinë e Skraparit, duke e rrëzuar atë me shumicë votash.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, që është shoqëruar me debate, këshilltarët e PS-së votuan kundër buxhetit, duke argumentuar se Bashkia e Skraparit ka shtim të numrit të personelit tej kapaciteteve të saj.

Fatos Hasanaj, kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë u shpreh se nuk do të ketë miratim buxheti pa ndryshimet e kërkuara prej tyre në numrin e punonjësve të bashkisë dhe ndërmarrjeve në varësi. Socialistët kërkojnë që nga 378 punonjës qe ka aktualisht bashkia, 178 duhet të largohen.

“Numri i punonjësve të bashkisë është më i madh sesa kërkojnë shërbimet. Ka punonjës që marrin vetëm 75% të pagës, ndaj ne e kundërshtuam miratimin e buxhetit. Jo sepse jemi kundër tij, por jemi kundër çështjes për miratimin e numrit të punonjësve të administratës”, tha kryetari i grupit të këshilltarëve të PS.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu tha se vendimi i këshilltarëve socialistë është politik. Sipas tij, Bashkia e Skraparit ka 9 Qendra Administrative që menaxhojnë 105 fshatra.

“Bashkia ka vetëm 230 punonjës që paguhen nga të ardhurat e saj, veç punonjësve të funksioneve të deleguara. Shkurtimi i numrit të punonjësve, ashtu siç pretendojnë këshilltarët e PS-së, do të linte jo vetëm qindra punonjës e familje në rrugë të madhe, por do të linte dhe shumë shërbime pa punonjës, si zjarrfikësen, pastrimin, shërbime të tjera plotësuese, etj.”, tha kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat