“Rama nuk duhet thjesht larguar, ai duhet të shkojë pas hekurave bashkë me kriminelët e tij”

Shqipëria

“Rama nuk duhet thjesht larguar, ai duhet të shkojë pas hekurave bashkë me kriminelët e tij”

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 14:35
Lulzim Basha

Në fjalimin e tij përpara Kuvendit Kombëtar të PD-së, lideri i demokratëve Lulzim Basha foli për nevojnë urgjente që Shqipëria ka për të larguar nga pushteti kryeministrin Rama.

Madje Basha shprehet se kryeministri së bashku me kastën e tij të kriminelëve e ka vendin përpara hekurave të qelisë. Kryetari i PD-së ka hequr dhe paralele mes tij dhe Enver Hoxhës.

Basha: Ndaj sot ne duhet të luftojmë për ndryshim, jo për pushtet. Vetëm kështu do të kemi nesër një qeveri të përgjegjshme, demokratike, transparente dhe paqësore. Dua të jem i qartë pa asnjë mëdyshje. Edi Rama e ka shtyrë Shqipërinë në buzë të greminës. Pas Enver Hoxhës ai është njeriu më i dëmshëm që ka patur ndonjëherë Shqipëria.

Largimi i tij nga pushteti është i domosdoshëm për të ndalur fundosjen e Shqipërisë. Largimi i tij nga pushteti është hapi i parë drejt ndryshimit të drejtimit të vendit. Madje Edi Rama nuk duhet thjesht larguar: ai dhe gjithë banda kriminale me të cilën ai po shkatërron Shqipërinë duhet të dalin para drejtësisë. Asnjë qeveri që do të vijë në pushet nuk do të jetë serioze dhe e ndershme, nëse nuk nxjerr Edi Ramën para drejtësisë. Ne shpesh nuk kemi mbajtur qendrim ndaj të shkuarës dhe sidomos ndaj krimeve dhe korruptimit të politikës.

Basha deklaroi më tutje se Shqipërisë i nevojitet një elitë e re politike.

Basha: Shqipëria ka nevojë për një mentalitet të ri politik, për një politikë ndryshe. Prej të paktën një shekulli, politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve, politika ka qenë më shpesh pengesë se shtytje për përparim ka qenë më shpesh ndarje se sa bashkim, ka qenë një mjet në duart e disave për të grabitur dhe sunduar gjithë shqiptarët tjerë. Sot, ne kemi nevojë për një politikë perëndimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta jo për parrulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk eshte e lehte por as e pamundur.

Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re.

Lideri i opozitës e ka patur dhe një mesazh për kritikët e tij në PD.

Basha: Hapja dhe konkurenca e lirë në PD janë parime të shenjta që ne i kemi vënë në themel të partisë sonë. Kjo hapje do të thotë që kushdo që dëshiron të jetë pjesë e PD-së dhe kushdo që do të kontribojë ka vendin e vet brenda PD-së. Por kontribut nuk do të thotë të kesh post, dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat