Gratë deputete dhe këshilltare, bashkë për barazinë gjinore

Shqipëria

Gratë deputete dhe këshilltare, bashkë për barazinë gjinore

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 16:38
Pamje nga paneli i diskutimeve

Mbi 60 gra të forcave të ndryshme politike nga i gjithë vendi u mblodhën në Tiranë për të diskutuar pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe koordinuar punën e përbashkët për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Aleanca e Grave Deputete dhe Aleanca Kombëtare e Këshilltareve, për herë të parë u mblodhën në një tryezë të përbashkët për të çuar përpara axhendën e barazisë gjinore në vend, me mbështetjen e UN Women në Shqipëri.

Në një njoftim për shtyp, UN Women bën të ditur se, diskutimet u përqendruan në sfidat e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike dhe hapat që të pranishmet dhe strukturat që ato kanë ngritur, duhet të ndërmarrin për adresimin e këtyre sfidave.

Elona Gjebrea, zv/kryetare e Aleancës së Grave Deputete u shpreh se aleanca do të ketë prioritet fuqizimin ekonomik të grave dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. “Ne duam të dalim nga kornizat e qytetit dhe të jemi aleate me gratë këshilltare për kauza të ndryshme”, u shpreh Gjebrea.

Gjatë takimit dy ditor aleancat e këshilltareve nga 24 bashki shkëmbyen arritjet dhe sfidat që kanë hasur gjatë këtij viti në zbatimin e programit të tyre që përfshin: fuqizimin ekonomik të grave, mbrojtjen dhe përfshirjen sociale dhe buxhetimin gjinor me pjesëmarrje.

“Problematikat e grave nuk kanë ngjyrë politike”, theksoi Klodeta Dibra, Kryetare e Aleancës Kombëtare të Këshilltareve. Ajo u shpreh se jemi në momentin e duhur për të diskutuar dhe dalë me nisma të përbashkëta ku qëllimi është i njëjtë: respektimi i grave dhe të drejtave të tyre. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat