Lufta ndaj trafikimit, diplomatja amerikane: Shqipëria, shembull i shkëlqyer për rajonin

Shqipëria

Lufta ndaj trafikimit, diplomatja amerikane: Shqipëria, shembull i shkëlqyer për rajonin

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 18:11
Ministria e Brendshme ka organizuar Konferencën Kombëtare Kundër Trafikimit të Personave me moton: “Bashkë mundemi të ndalojmë Trafikimin”.

Gjatë kësaj konference, diplomatja amerikane, Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë i bëri thirrje Qeverisë së Shqipërisë të vazhdojë të jetë një shembull i shkëlqyer për rajonin.

Gjatë takimit morën pjesë, zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda,  Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA,  Duncan Norman, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar,  Robert Wilton, Zëvendësambasador i Prezencës së OSBE-së. Në takim morën pjesë diplomatë, prefektë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.

Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në fjalën e saj u shpreh se, qytetarët duhet të bëhen pjesë dhe të përfytyrojnë vuajtjet që ka kaluar një i trafikuar.

“Dua që të futemi në botën e tyre, sepse ato janë kudo dhe ne duhet t’i shohim. Gjithashtu duhet të vlerësojmë forcën e tyre, trimërinë e tyre dhe mundësitë që ato mund të kenë në të ardhmen, nëse mund ta ndalojmë trafikimin, së bashku. Përfytyroni se jeni një fëmijë, 13 ose 14 vjeç, në një dhomë të errët dhe të panjohur. Ju mund të largoheni vetëm kur trafikanti juaj – rojtari i burgut tuaj, në të vërtetë – ju lejon të punoni si prostitutë, në një fabrikë ose në një fushë. Ju jeni atje, sepse dikush ju shikoi dhe pa te ju përfitimin sesa një qenie njerëzore. Dikush ju premtoi një jetë të bukur në një qytet të madh, një punë të shkëlqyer dhe një të ardhme të ndritshme. Por, në realitet, dikush ju skllavëroi”, tha Moses-Ones.

“Gjithashtu mund ta përfytyroni veten në të 20-at, të 30-at, dhe kështu me radhë. Sepse jo të gjitha viktimat janë të reja në moshë dhe jo të gjitha viktimat janë vajza, megjithëse pjesa më e madhe e tyre janë të tilla. Por pavarësisht moshës së viktimave dhe pavarësisht se nga vijnë, të gjitha kanë një nevojë të qartë. Duhet të shpëtohen”, bëri thirrja zyrtarja amerikane.

“Por për t’i shpëtuar, duhet t’i identifikojmë ato. Identifikimi i viktimave të trafikimit është thelbësor për të shpëtuar jetën e tyre dhe me rëndësi jetike për ndjekjen e suksesshme penale. Viktimat duhet të identifikohet që të marrin shërbime. Dhe kjo është arsyeja pse trajnimi i duhur i policisë, i punonjësve socialë, i prokurorëve dhe i gjyqtarëve është aq i rëndësishëm. Këto nuk janë ushtrime të thata, burokratike. Këto shpëtojnë viktimat”, nënvizoi Moses-Ones.

“Pasi shpëtohet, dy nga gjërat më të rëndësishme për një viktimë janë strehimi dhe drejtësia. Strehëzat e Shqipërisë për viktimat e trafikimit janë të shkëlqyera dhe reputacioni i tyre është shumë i fortë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. E nxis qeverinë shqiptare të përmbushë angazhimin e saj për të siguruar fonde për këto strehëza për vitin e ardhshëm fiskal dhe për të siguruar financim të qëndrueshëm për të ardhmen. I bëj thirrje Qeverisë së Shqipërisë të vazhdojë të jetë një shembull i shkëlqyer për rajonin”, tha Moses-Ones.

“Dhe pastaj është drejtësia. Rëndësia e drejtësisë është e dyfishtë. Së pari, u jep viktimave ngushëllim kur shohin që personat që i futën në kurth dhe i shfrytëzuan po shlyejnë atë që bënë. Kjo gjithashtu parandalon trafikantët që të skllavërojnë të tjerë përsëri. I nxis kolegëve tanë të zbatimit të ligjit që të vazhdojnë hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve – përfshirë zyrtarët që e lejojnë këtë krim të tmerrshëm të ndodhë. Dhënia e drejtësisë për shkelësit i shpërben ndjekjes penale. Gjithashtu kjo mbron viktimat e mundshme”, theksoi ajo.

“Dua të theksoj edhe se qëllimi i drejtësisë është t’u shërbejë viktimave, jo t’i dënojë ato. Ndonjëherë kjo duket e qartë, por viktimat vazhdojnë të ndiqen penalisht – zakonisht për prostitucion. Ndjekja penale e viktimave për shkak se janë skllavëruar nuk është e drejtë, prandaj i bëj thirrje qeverisë dhe zbatuesve të ligjit që të rrisin zbatimin e ligjit shqiptar që i përjashton viktimat nga gjobat për veprime të paligjshme që janë kryer si pasojë e trafikimit. Ju lutem, mos i viktimizoni viktimat”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, njëkohësisht koordinatore kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave bëri të ditur se, “Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Brendshme e kanë vendosur parandalimin dhe goditjen e trafikimit të personave, ashtu sikurse edhe mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave në prioritetet kryesore të punës së tyre, pasi, lufta dhe parandalimi i këtij trafiku është sot një nga sfidat kryesore të shteteve, por edhe shoqërisë në mbarë botën”.

“Nga viti 2015 deri tani, me fondet e buxhetit të shtetit, është mundësuar paga e punonjësve socialë në 3 qendrat jopublike që ofrojnë asistencë për viktimat e trafikimit. Kështu, për vitin 2015 u mundësua paga e 12 punonjësve socialë, për vitin 2016, paga e 24 punonjësve dhe, për vitin 2017 e 2018, paga e 30 punonjësve të këtyre 3 qendrave. Për të 4–in vit radhazi, në tetor, organizuam Fushatën Kombëtare “Muaji i Luftës kundër trafikimit të personave”, tha Voda.

“Këtë vit, Ministria e Brendshme/Zyra e Koordinatorit Kombëtar Anti trafikim, në bashkëpunim partnerë shtetërorë dhe jo shtetërorë, brenda në këtë sallë, por dhe të tjerë, që, për arsye të ndryshme nuk janë këtu sot, hartuam së bashku 2 dokumente të rëndësishme: Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit, të cilat do t’i prezantoj në pjesën e dytë të Konferencës dhe, Planin Kombëtar të Veprimit për luftën kundër trafikimit të personave 2018-2020, të cilin presim së shpejti të miratohet në Këshillin e Ministrave”, tha Voda.

Zv/Ministrja Voda bëri të ditur gjithashtu se, “Qeveria amerikane, ka mbështetur vazhdimisht qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të luftuar trafikimin e personave. Kjo mbështetje është ofruar përmes trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe ekspertizës më të mirë në përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes penale si dhe paralelisht mbështetjes për ofrimin e shërbimeve direkte për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit. Qeveria amerikane ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të vyer në rritjen e kapaciteteve të strukturave shtetërore në nivel qendror dhe lokal, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit. Gjithashtu, vlen të theksohet kontributi i çmuar që qeveria amerikane ka dhënë në përgatitjen e strategjive kombëtare antitrafik, si dhe në financimin e qendrave pritëse për ngritjen e Njësive Lëvizëse në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, ku, falë mbështetjes së saj, është mundësuar identifikimi, referimi, mbrojtja dhe ri-integrimi i viktimave të mundshme të trafikimit”, tha Voda në fjalën e saj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat