Meta: Zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga të gjithë - Bota Sot
Meta: Zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga të gjithë

Shqipëria

Meta: Zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga të gjithë

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 19:37
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti sot ceremoninë e organizuar me rastin e 11-vjetorit të përfundimit të programit të Akademisë shqiptare të Studimeve Politike dhe të dorëzimit të diplomave brezit të ri, që përfundoi studimet këtë vit.

Gjatë fjalës së tij presidenti Meta falënderoi për mbështetjen dhe vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim për nxitjen dhe inkurajimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike, si dhe në proceset demokratizuese të vendit.

“Ky është viti i dytë që unë marr pjesë në ceremoninë e diplomimit, dhe me kënaqësi konstatoj se përsëri gratë dhe vajzat mbizotërojnë në trupën e studentëve. Kjo është një tjetër shenjë e vitalitetit dhe forcës së shoqërisë shqiptare ku fuqizimi i grave duhet të vijë natyrshëm, por edhe falë ambicies dhe përkushtimit gjithnjë e më të spikatur të atyre vetë”u shpreh Meta.

Në fjalën e tij Meta nuk mund të anashkalonte protestën e studentëve në kryeqytet, por edhe në disa qytete të tjera.krye.

“Nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit. Mendoj se ka një konsensus të gjerë publik që i konsideron kërkesat e tyre si të drejta, legjitime dhe plotësisht të realizueshme. Ndaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë. Unë kam besim se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë për një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e këtyre kërkesave të drejta në interesin më të mirë, jo thjesht të studentëve, por në radhë të parë në interesin më të mirë të gjithë vendit. Pasuria më e madhe të cilës duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje se sa deri tani është rinia, është potenciali i saj dhe investim madhor e afatgjatë duhet të jetë një edukim sa më cilësor dhe i aksesueshëm për të gjithë të rinjtë. Formimi profesional i të rinjve në të gjitha fushat është domosdoshmëri. Pa bërë një ndryshim të ndjeshëm e afatgjatë për investimin në kapitalin njerëzor do ta kemi të vështirë për një rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse!” – nënvizoi gjatë përshëndetjes së Tij Presidenti Meta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...