Grabitja e bankës, dy policët privatë tregojnë përse nuk lëvizën "as një fije floku"

Shqipëria

Grabitja e bankës, dy policët privatë tregojnë përse nuk lëvizën "as një fije floku"

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 09:50
Ata janë të dyshuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur të premten e kaluar

Gjykata e Durrësit la dje në burg dy policët privatë të akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Ata janë të dyshuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur të premten e kaluar, ku persona ende të paidentifikuar iu grabitën nën kërcënimin e armëve 7.5 milionë lekë. Gjykata e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Fejzi Sakaj dhe Astrit Gjata dhe vendosi të marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë për masën shtrënguese “Arrest me burg”.

Të arrestuarit Fejzi Sakaj e Astrit Gjata e kanë konsideruar të padrejtë këtë vendim të Gjykatës, duke deklaruar se ata nuk kanë shpërdoruar detyrën, por u gjendën në befasi në momentin e sulmit. Për shkak të hetimit, pasi tre autorët nuk janë identifikuar dhe vazhdojnë të jenë të lirë, seanca e masës së sigurisë për dy efektivët e policisë private u zhvillua me dyer të mbyllura. Mësohet se ata janë pyetur për rrethanat në të cilat ndodhi sulmi, ku edhe kanë dhënë shpjegimet për të gjithë dinamikën e ngjarjes.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, në harkun e një minuti. Siç edhe kemi deklaruar në Polici, ne nuk e prisnim sulmin sepse kishim mbërritur në vendin që do të dorëzonim paratë. Nuk na shkonte mendja kurrë se mund të sulmoheshim pikërisht përpara bankës, e cila ndodhet në rrugën kryesore të Shkozetit. U gjetëm të papërgatitur, pasi në momentin që po zbrisnim nga makina, na drejtuan armët në fytyrë. Çfarë mund të bënim?! Një lëvizje e vogël dhe ata do të na qëllonin, pasi na paralajmëruan ‘nëse lëvizni sikur një fije floku, ju qëllojmë menjëherë’. Ishte e kotë të bënim rezistencë, sepse na kapën në befasi dhe nuk kishim asnjë lloj mundësie t’i zbraznim. Ne nuk ua dhamë vetë paratë, ata thyen xhamin e makinës me të cilën i transportonim dhe morën çantën, ndërkohë që njëri prej tyre e kishte drejtuar armën në fytyrën tonë”, thanë para togave të zeza dy të arrestuarit, Sakaj e Gjata.

Nga ana tjetër, Prokuroria vijon hetimet për ngjarjen. Burime nga organi i Akuzës thanë për Gazetën Panorama se ka dyshime të forta se autorët kanë bashkëpunëtorë të brendshëm në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor, që ka dhënë informacione për shumën e madhe dhe orarin që do të transportoheshin paratë drejt bankës së nivelit të dytë, e cila ndodhej as një kilometër larg. Policia ka shoqëruar për t’i pyetur disa persona nga ky institucion, ndërkohë që vijojnë kërkimet për tre autorët e grabitjes. Burime nga grupi i hetimit thanë se është bërë i mundur identikiti i autorëve por jo identifikimi i plotë i tyre.

Identikiti dhe përmasat trupore të tre autorëve ballafaqohen me ato të personave të dyshuar dhe atyre të skeduar më parë nga Policia për vepra të ndryshme penale. 

Në harkun e këtyre pesë ditëve nga grabitja, Policia e Durrësit dhe efektivët e Komisariatit të Shijakut kanë shoqëruar të paktën 20 persona, por nuk kanë ndaluar asnjë prej tyre. Tre personat e maskuar dhe të armatosur grabitën 7.5 milionë lekë të rinj pasditen e së premtes së shkuar, para të xhiros ditore të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat