A janë 1.6 milionë shqiptarët e diasporës, shifra e rrudhur e INSTAT?!

Shqipëria

A janë 1.6 milionë shqiptarët e diasporës, shifra e rrudhur e INSTAT?!

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 15:07
Jashtë llogaritjeve ngelen shtetasit shqiptarë të lindur jashtë vendit dhe të paregjistruar në Shqipëri, si edhe ata individë që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare

Për herë të parë, Instituti i Statistikave ka bërë një vlerësim të përmasave të diasporës shqiptare. Sipas të parit raport statistikor të publikuar ndonjëherë për këtë qëllim, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë afërsisht 1.6 milionë.

Kjo shifër, megjithatë, përbën një të dhënë të pjesshme, sepse vlerësimi i saktë i diasporës paraqet vështirësi të kuptueshme të natyrës teknike dhe metodologjike. Instat përfshin te diaspora vetëm individët me shtetësi shqiptare, ndërsa ata që ndodhen jashtë regjistrit civil të shtetasve nuk janë të përfshirë.

Jashtë llogaritjeve ngelen shtetasit shqiptarë të lindur jashtë vendit dhe të paregjistruar në Shqipëri, si edhe ata individë që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare.

Në këtë përllogaritje nuk përfshihen diaspora e vjetër dhe pasardhësit e emigrantëve të hershëm shqiptarë, të para Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e të cilëve sidoqoftë vazhdojnë të mbajnë lidhje me Shqipërinë.

Një fakt domethënës është se diaspora shqiptare ka një moshë mesatare 32 vjeç, ndërsa për popullsinë rezidente në Shqipëri mosha mesatare ka arritur në 35 vjeç, raporton TV Scan.

Ndarja e diasporës shqiptare sipas vendbanimit mbështetet në të dhëna të pjesshme dhe kryesisht në censet e organizuara nga shtetet ku ata jetojnë. Bazuar në këto të dhëna, vendet me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë janë Italia me 483 mijë banorë dhe Greqia me 481 mijë banorë.

Në Shtetet e Bashkuara jetojnë afërsisht 78 mijë shqiptarë, ndërsa në Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar afro 11 mijë.

Megjithatë, këto cense i takojnë periudhave më të hershme se shtatë vjet dhe ndërkohë numri i shqiptarëve, sidomos në vendet e Bashkimit Europian, ka vazhduar të rritet.

Me të dhënat më të fundit, numri i shqiptarëve në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet të jetë dyfishuar.

Gjithashtu, nëse në diasporë do të përfshiheshin të dhënat e anketimeve jo zyrtare, si edhe ato të diasporës së hershme, numri i shqiptarëve do të rezultonte shumë më i lartë. Për shembull, në SHBA vlerësimet janë për të paktën 215 mijë shqiptarë, duke përfshirë së bashku diasporën e re dhe atë të hershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat