Pupovci: Përgatitemi për Kampionatin Botëror, për një prezantim më të denjë të Kosovës

Skijim

Pupovci: Përgatitemi për Kampionatin Botëror, për një prezantim më të denjë të Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 15 janar 2019 Në ora: 10:14
Agim Popuvci në mes

Në javën e parë të muajt shkurt fillon Kampionati Botëror i skijimit, që do të zhvillohet në Qendrën e Skive në Are të Suedisë. Edhe Kombëtarja e Kosovës do të përfaqësohet në ngjarjen më të madhe dhe me një synim, për një prezantim sa më të denjë përballë skiatorëve të nivelit më të lartë botëror, austriakut Marcel Hirscher,  norvegjezëve Aksel Lund Svindal, Henrik Kristoffersen etj. Selektori i kombëtares së Kosovës, Agim Pupovci, tha se po përgatiten me forcat që kanë, që të janë të gatshëm për sfidën e madhe të këtij viti në Are. Pupovci është i kënaqur me nivelin që po tregojnë skiatorët në disiplinat dhe kategoritë e ndryshme por edhe me trashësinë e borës që ka rënë gjatë këtyre ditëve.

Image

“Jam shumë i kënaqur, sezoni ka filluar shumë mirë, ka borë dhe të gjitha klubet janë të përgatitura, disa nga skiatorët përgatitjet i kanë kryer edhe brenda Kosovës e disa jashtë. Rezultatet janë të mira, fëmijët po skijojnë shumë më mirë dhe ka borë të mjaftueshme në Bogë, mbi 70 centimetra”, tha Popuvci.  Më tutje selektori tha se ka rivalitet mes skiatorëve dhe kjo është e mira për këtë sport atraktiv. “Ka rivalitet të madh, edhe te klubet tjera edhe te Alpi, të cilat janë përgatitur shumë mirë”. 

Pupovci ka folur edhe për skiatorët me të cilët do të garojnë në Kampionatin Botëror, në lëshim, në Super-G, sllallom dhe sllallom të madh. “Përzgjedhja ekziston dhe në Kampionatin Botëror do të shkojmë me Albin Tahirin, Faton Shurdhajn, Arbi Pupovci, Fiona Blakaj dhe Adea Kollçaku. Botërori mbahet në shkurt, ndërsa ekipi ynë është duke u përgatitur, ku kemi përgatitje disaditëshe me ekip edhe në Austri, disa do të shkojnë në Kollashin të Malit të Zi e disa në Bullgari. I kemi edhe dy javë përgatitje, kurse Albini do të garojë në disiplinat e shpejta, si në lëshim e Super – G, të tjerët në sllallom dhe në sllallom të madh”, theksoi ai.

Sipas tij, skiatorët kanë përmirësuar edhe kohën: “Kanë përmirësuar kohën, e kanë më të mirë, por në Kampionatin Botëror është niveli i lartë, konkurrencë e fortë, ku janë edhe kampioni në fuqi i botës, Hirscher, pastaj Svindal etj. Do të mundohemi që Kosovën ta paraqesim sa më denjësisht”, shprehet Pupovci. Është hera e dytë që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror, pasi që para dy viteve garuan në St. Morritz të Zvicrës. Është Kampionati i dytë Botëror për ne, ku kishim marrë pjesë në St Morritz para dy viteve, pastaj në Lojërat Dimërore në PyeongChang. Na duhet një përkrahje më e madhe e institucionale që me arritur rezultate më të mira.

Image

Skijimi është sport i shtrenjtë, duhet përgatitje si verës si dimrit dhe duhet një përkrahje edhe pse e kemi nga ministria e sportit, por na duhet edhe më shumë, sidomos rreth pajisjeve. Pajisjet janë problemet me të mëdha, sepse duhet ski të reja, ku aktualisht i kemi skitë e olimpiadës dhe të vitit të kaluar. Presin që të na pajisin me ski, sepse me veshje sportive jemi mirë. Duhet pajisje sipas standardeve, skitë e reja sepse krejt terreni është i akullt në Are, nëse dojnë me arritur rezultat më të mirë”, theksoi selektori.

 E kënaq që Arbi ka arritur të tejkalojë pikët e normës olimpike. “Nga Albini  pres rezultat më të mirë se në Olimpiadë, po ashtu edhe Fatoni është shumë i mirë, pastaj Arbi është shpresë e skijimit, që e plotëson normën olimpike dhe ka 120 pikë (e ka tejkaluar për 20 pikë), ku norma është 140 pikë. Është prodhim vendorë, që i ka tejkaluar të gjitha parashikimet. Fatoni jeton në Austri dhe ushtron atje, i cili ka qenë në garën ndërkombëtare në Turqi dhe ka dy vendet e treta në sllallom”, tha Pupovci.

A do të keni gara tjera para Kampionatit Botëror, që do të jetë një test i mirë? “Albini do të garojë në Slloveni dhe në Itali, Fatoni në Austri, Arbi në Bullgari, ku do te jetë një test i mirë.  Me 3 shkurt mbërrijmë në Are, kurse me 4 shkurt është hapja e Kampionatit Botëror dhe do të qëndrojmë për 20 ditë”, përgjigjet Popuvci. Ai flet edhe për klubin e tij, Alpi: “Klubi i Alpit po i përsërit rezultatet dhe sukseset, që 20 vite është kampion. Synimet tona janë me vazhduar mi mbajtur titujt”.  Klea Vrella dhe Elba Kokaj, dy skiatore të reja, do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj, që mbahet prej 9-16 shkurt 2019 në Jajce. Përgatitje e Kleas e Elbës do të vazhdojnë në Kollashin nga data 16-22.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat