Federata Skitare e Kosovës kërkon ndërhyrjen emergjente të shtetit!

Skijim

Federata Skitare e Kosovës kërkon ndërhyrjen emergjente të shtetit!

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 16:04
Federata Skitare e Kosovës kërkon ndërhyrjen emergjente të shtetit!

Federata Skitare e Kosovës, përmes një komunikate ka shprehur shqetësimet e saja dhe kërkon që të ndalen punimet të hidrocentraleve nëpër qendrat e skitarisë në Kosovë. “Federata Skitare e Kosovës kërkon ndërhyrjen emergjente të shtetit për ndaljen e punimeve të hidrocentraleve nëpër qendrat e skitarisë në Kosovë.

Federata Skitare e Kosovës i ka pritur me shqetësim të madh ndërhyrjet që po bëhen në ndërtimin e hidrocentraleve në qendrat turistike skitare të Republikës së Kosovës, siç janë Brezovica, Brodi, Deçani e Rugova, në të cilat përfaqësohet edhe sporti i skitarisë.

Bordi Ekzekutiv i FSK-së, në emër të dhjetëra klubeve të skitarisë, qindra sportistëve, konstaton se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve do të shkaktojë pasoja të mëdha dhe të pariparueshme në qendrat turistike dhe skitare në vend.

Mungesa e ujit në këto asete të mëdha të Kosovës, do të sillte ndërprerjen e garave të shumta të skitarëve së Kosovës, do të paralizonte komplet qendrat e skijimit, do ta ulte vlerën e këtyre qendrave në procesin e privatizimit, do të ulte veprimin e shumë bizneseve dhe do ta zvogëlonte në masë të madhe numrin e vizitorë në këto qendra.

Federata Skitare e Kosovës pas inspektimit të vendit të ngjarjes, ku janë duke u zhvilluar punimet në Qendrën Skitare në Brezovicë, konstaton se përkundër protestave të qytetarëve dhe bizneseve të kësaj zone, punimet ende nuk janë ndalur.

FSK kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të organeve kompetente të shtetit si: Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministri i Sportit, kryetarët e komunave ku janë duke u zhvilluar ndërtimet, të marrin masa të menjëhershme për ndaljen e shkatërrimit të qendrave skitare të Kosovës.
Njëkohësisht, FSK kërkon që deri të bëhet një zgjidhje për sigurimin e ujit për qendrat skitare, të pushojnë punimet.
Në sportin e skitarisë uji është elementi kryesor për zhvillimin e qendrës, pa të cilin nuk mund të trasohet shtegu për mbajtjen e garave, e njëkohësisht as nuk mund të prodhohet bora artificiale që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e garave ndërkombëtare, si dhe për vetë cilësinë e shtegut.
Besojmë që shteti të marrë masat e nevojshme sa më parë, dhe të bëjë një zgjidhje për qendrat skitare të Kosovës.
Nëse organet kompetente nuk marrin masa, FSK bashkë me të gjitha klubet dhe garuesit do të detyrohet të marr masa të nevojshme qoftë me protesta apo ndërprerjen e punimeve, deri në gjetjen e një zgjidhjeje nga vetë shteti”, shkruan në komunikatën e Federatës Skitare të Kosovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat