Familjes Musliu iu ndërtohet shtëpi e re

Sociale

Familjes Musliu iu ndërtohet shtëpi e re

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 15:21
Shtëpia e re

Familja Musliu nga Klina e Ultë, nga sot nuk do të kenë më hallin se si do e kalojnë netët e ftohta të stinës së dimrit. Kësaj familje shtatë anëtarëshe në natën e Fiter Bajramit, iu janë dorëzuar çelësat e shtëpisë së re, shtëpi kjo e mobiluar në tërësi, duke përfshirë orenditë e reja të dhomave, aparaturën e kuzhinës dhe dhomën e ditës.

Me iniciativën e Unionit Humanitar Shqiptarë, e cila deri më tani ka ndihmuar mbi 50 familje në Kosovë, dhe në bashkëpunim me komunën e Skenderajt, ata kanë ndërtuar shtëpi të re për familjen Musliu.

Fatmir Osmani nga Unioni Humanitar Shqiptarë, thotë se e ndjejnë përgjegjësi që të kontribuojnë për vendlindjen e tyre, e sidomos për ato familje që kanë nevojë.

Osmani: Po mundohemi ta ndihmojmë atdheun

Image

"Për ne lufta ndërkombëtare tash ka filluar, ne po mundohemi në të gjitha format me ndihmu, por edhe ndihma në atdhe, që krijon vende pune , mundësi për zhvillim, e ndoshta edhe një mundësi që liria jonë të mos largohet....Mbi 50 familje i kemi ndihmuar deri sot, çdo gjë shkon me short, ju keni qenë fatlum, ky ka qenë shorti, kanë qenë 42 komuna në pyetje. Skenderaj është tërheq, e kemi lënë në dorën e kryetarit, dhe gjithë kolegëve këtu, që të na ndihmojnë të zgjedhin një familje që ka nevojë", tha ai.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka falënderuar Unionin Humanitar Shqiptarë që kanë zgjedhur pikërisht këtë komunë për të gëzuar një nga familjet skamnore.

Jashari: Në natën e bajramit këta hyjnë në shtëpi të re

"Ju falënderoj për këtë gjest human që keni përzgjedh komunë që sot me gëzu një familje. Në natën e bajramit këta hyjnë në shtëpi të re, nesër është festa e Fitër Bajramit pas një muaj agjërim. Uroj që mos kemi raste të tilla tek ne shqiptarët, por që fatkeqësisht ka. Gjithë donatorëve që kanë marrë pjesë qoftë edhe me 1 euro, Zoti ua kthen dhjetëfishin edhe në anën financiare por edhe shëndetin. Gjesti më i mirë i mundshëm që njeriu mundet me tregu është vepra e tillë", tha Jashari.

Jashari thotë se të ndihmosh këto familje është një nga obligimet që kanë ndaj popullit. Megjithatë, ai pohon se Kosova ka nevojë për ndërtimin e fabrikave, për të ofruar kështu punë për gjithë qytetarët e Kosovës.

Edhe Rifat Krasniqi, kryetar i Unionit Humanitar Shqiptarë është lutur që sa më pak të ketë familje skamnore, duke i uruar zotit të shtëpisë, Haredin Musliut hyrjen në shtëpi të re.

Musliu ani pse i shkurt në urimin e tij, thotë se është falënderues ndaj gjithë atyre që ua mundësuan në natën e Fiter Bajramit të hyjnë në shtëpi të re.

Musliu: Faleminderit që më ndërtuat shtëpinë

"E falënderoj shumë edhe gjeneralin edhe kompaninë edhe firmën që e ka ndërtuar shtëpinë, gjithçka është në rregull. Faleminderit shumë, Allahu ju shpërbleftë", thotë ai.

Familja Musliu nga fshati Klinë e Ultë, ka kontribuar edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga ku si dëshmorë kishin rënë tre persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat