“Me kancer jam, të paktën të strehoj vajzat” – Fund i lumtur për nënën 37 vjeçare, e ndihmojnë shqiptarët!

Sociale

“Me kancer jam, të paktën të strehoj vajzat” – Fund i lumtur për nënën 37 vjeçare, e ndihmojnë shqiptarët!

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 18:04

Një fëmijë tashmë e ka humbur, kurse tre vajzat minorene i sheh përditë në pamundësi për t’i dhënë ushqim. Kurrë nuk i ka ngopur me bukë dhe shpirti i dhemb pikërisht prej këtij fakti.

Kujton të birin vetëm me forcën e mendjes. Nuk kishte para t’i bënte as edhe një foto. I vetmi kujtim që i ka mbetur është një shenjë në dorë, në momentin kur djali e ka mbërthyer, teksa jepte shpirt.

Lavdija ka mbi supe jo vetëm tre frymë, por edhe mbi kurriz hijen e një sëmundje të rëndë. Nëse sëmundja do t’ja marrë jetën, kjo është një çështje që nuk e shqetëson 37 vjeçaren, e cila tashmë ka humbur dhe flokët për shkak të seancave mjekësore.

Emisioni shqiptarët për shqiptarët e përcolli rastin e nënës shqiptare, e cila kishte vetëm një lutje për shqiptarët, të mund ta ndihmonin për të patur një banesë për tre vajzat e saj.

Shqiptarët për shqiptarët menduan t’i bëjnë një festë njërës prej vajzave të Lavdijes, e cila sapo kishte mbushur 3 vjeç. Vogëlushja nuk kishte festuar ndonjëherë ditëlindjen. Festa u organizua dhe shoqet e klasës së Namikes, vajzës së Lavdijes mbushën një shtëpi plot me gëzim.

Lavdija vetë shihte e habitur gëzimin e fëmijëve. Mbase i kujtohej koha kur në duar bante djalin 1 vjeç e gjysëm, i cili i vdiq nga të ftohtit.

Përveçse ditëlindjes së vajzës, Elvis Naçi në emër të të gjithë kontribuesve, i uroi lumturi Lavdijes duke i dhënë një çelës, një çelës që i jep një zgjidhje kësaj familje të vuajtur.

Naçi: Lavdije, siç gëzojnë sot fëmijët e ty këtu, merri këto çelësa sepse kjo këtu është banesa jote dhe shpresoj ta gëzosh gjithë jetën me fëmijët e tu.

Lavdija: Nuk e besoj dot… (qan)…

Naçi: Ta besosh që ç’ke me të. Lavdije, edhe me shëndetin besoj gjithçka do të shkojë mirë. Uroj ta ndjeni ngrohtësinë e shqiptarëve.

Lavdija: Nuk di si t’ua shpërblej, unë nuk e bëj dot, por shpresoj që Zoti t’ua shpërblejë.

E teksa Lavdija qeshi për herë të parë pas shumë kohësh, ajo që kishte mbetur ishte sëmundja e saj. I shoqi i 37 vjeçares prej kohësh ka udhëtuar drejt Greqisë për të punuar ç’të gjejë, në mënyrë që të mund të përballojnë operacionin për të cilin ka nevojë Lavdija. Por falë shqiptarëve, nëna e tre fëmijëve arriti të shkojë në spital, atje ku deri dje nuk mund të shkonte as për të kryer seancat për shkak të varfërisë.

Para operacionit, Lavdija thotë se e ka mendjen tek fëmijët. Nuk i tregoi se do të hyjë në operacion.

Lavdija: Rrugës po mendoja për fëmijët. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, fare nuk kam frikë, por mall për fëmijët e mi kam që tani.

Operacioni zgjati disa orë, e teksa nëna e saj priste e përlotur të bijën e vuajtur, mjeku del nga salla për të dhënë një lajm të gëzueshëm. Lavdija doli me sukses nga operacioni dhe tashmë jeta e saj nuk rrezikohet. Pas humbjes së një fëmije, kjo nënë shqiptare do të arrijë t’i rrisë vetë tre vajzat, falë dhjetëra kontributeve që shqiptarët mblodhën për të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat