Psikologia: Izolimi 9-javor do ketë kosto psikologjike, është shtuar stresi dhe ankthi në popullatë

Sociale

Psikologia: Izolimi 9-javor do ketë kosto psikologjike, është shtuar stresi dhe ankthi në popullatë

Më: 8 maj 2020 Në ora: 19:57
Artemis Shehu

Psikologia Artemis Shehu deklaroi se izolimi 9-javor nga koronavirusi mund të ketë pasoja fatale në shoqërinë shqiptare, sa i takon shëndetit mendor.

Sipas psikologes Shehu, pas karantinës do të ketë rritje të njerëzve që kanë probleme me shëndetin mendor, duke shtuar se këto 9 javë izolimi kanë shtuar ankthin dhe stresin në popullatë.

“Ishte e papritur dhe ne ishim të papërgatitur psikologjikisht. Një situatë e tillë do të ishte gati e paimagjinueshme që ne t’ia dilnim, megjithatë ne jemi në javën e nëntë të izolimit dhe them se ja kemi dalë me sukses. Ka pas shumë ankth, mbi të gjithë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ka pas një shtim të personave për t’u konsultuar me psikologë. Ka pas dhe nisma nga më të ndryshmet për t’i ardhur në ndihmë popullatës për të përballur situatën me shëndetin mendor”, u shpreh psikologia ne News 24.

Si i keni qetësuar njerëzit?
Në varësi të nevojave më të ndryshme që njerëzit kanë pasur. Ka pas njerëz me probleme, njerëz që i ka shqetësuar pandemia, por edhe njerëz me trauma të tërmetit, dhe që pandemia i ka agravuar. Ata që kanë qenë në terapi kanë vijuar online me seancat e tyre për të përballur të përditshmen. Një nga rastet më të vështira dhe sfiduese kanë qenë situatat e familjarëve, që kanë pas një person me aftësi të kufizuara, dhe që nuk arrinin dot të përballen me mënyrën si të organizojnë karantinën, izolimin. Ka pas dhe persona të tjerë me nevoja nga më të ndryshme, me ankth, simptoma depresioni. Ka pas dhe raste kur njerëzit i janë drejtuar psikiatërve. Në situate të tilla njeriu duhet të kuptojë ku është vetë, dhe më pas të kuptojë si duhet të përballë realitetin, por edhe të ardhmen.

A ka pas agravim të gjendjes nervore të ndokujt, që më herët ka qenë duke vuajtur një problematic të shëndetit mendor?
Shumica e atyre që kanë problematikë të shëndetit mendor, një nga elementet kryesor që nxit ose mban krizën, ose e përkeqëson, është stresi, mjedisi përkeqësues ku individi gjendet. Nuk është vetëm pjesa e pandemisë, por edhe familjarët. Për një person të tillë nuk është vetëm izolimi, por edhe gjendja psikologjike e familjarëve të tij, dhe më pas edhe gjendja e tij. Pagjumësia ka qenë një nga patologjitë më të mëdha gjatë kësaj kohe, por edhe ankthi se si do të jetë e ardhmja.

Mbajtja nën presion e popullit, me fasha oraresh lëvizjeje, çfarë mendoni?
Vërtet jemi të nënshtruar, jemi në eksperiment, edhe pse jeta në vetëvete është një eksperiment, por ky ka qenë një eksperiment kaq i madh social dhe botëror, dhe kjo është gjë pozitive. Nga ana tjetër, ne shohim që kjo po zgjat, 24 orëshi pasues nuk e dimë çfarë do të sjellë, dhe e gjithë kjo ka një kosto. Kostot e kësaj gjëje ende nuk mund t’i matim. Ajo që na pason më pas mund të jetë fatale edhe përsa i përket shëndetit mendor. Ne mund të kemi rritje të problematikave të tilla. Nuk mund të themi që rikthimi në normalitet do të na kthejë në pikën zero, ku ishim para pandemisë. Në momentin kur do të dalim nga ky izolim, do të shohim se ku jemi me shëndetin mendor si shoqëri.

Sa gati do të jemi për t’iu rikthyer normalitetit?
Ne kemi humbur sens orientimi në një realitet mes katër mureve. Nga çfarë rruge do të shkoj në punë, si do jetë ritmi i punës… Ndaj dhe rimarrja e normalitetit nuk mund të jetë dot i njëjtë, pa një kosto psikologjike. Pasojat e gjithë kësaj situate nuk mund t’i shohim tani, kemi një kosto që do ta vlerësojmë më vonë.

Si mund të përgatitemi për ta përballuar më mirë rikthimin në normalitet?
Gradualiteti i masave ka qenë pozitive, pasi njeriu nuk mund të përballet menjëherë me izolimin, se ndikon në shëndetin mendor. Gradualiteti i shtrëngimit mund të ketë ndihmuar në përballjen me izolimin. Por tani njerëzit janë të etur për të ecur, për t’iu rikthyer jetës, por kjo nuk do të jetë njësoj si në normalitet, pasi ne do të kemi sërish masat e distancimit, mbajtjes së masave, etj, pra rikthimi nuk do të jetë i mirëfilltë. Kjo është dicka shumë e vogël me atë me të cilën ne do të përballemi, ndaj një realiteti që nuk do të ishte i njëjtë me atë të para 9 marsit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat