​Dy anëtarët e familjes Gubetini, të sëmurë dhe në varfëri ekstreme

Sociale

​Dy anëtarët e familjes Gubetini, të sëmurë dhe në varfëri ekstreme

Më: 17 maj 2020 Në ora: 13:51
Anëtarët e familjes Gubetini tash e sa kohë po jetojnë në varfëri të skajshme.

Dy anëtarët e familjes Gubetini tash e sa kohë po jetojnë në varfëri të skajshme. Veç kushteve të rënda ekonomike, burrë e grua kanë janë edhe të sëmurë, çka po e vështirëson edhe më shumë jetesën e tyre në këtë vend. E të ardhurat e vetme i kanë nga ndihma sociale prej 130 euro, me të cilat nuk po arrijnë t’i mbulojnë as gjysmën e nevojave mujore.

Dyert nga druri janë pothuajse të rrëzuara, ndërsa muret e kësaj shtëpie i ka mbuluar myku, e nga vjetërsia e lagështia e tyre kundërmon e gjithë kjo hapësirë ku po jetojnë Ekremi e Elmija nga Vranjevci.

Nënë Zahidja, e cila është rreth të 60-tave detyrimisht duhet të kujdeset për djalin, e nusen, të cilët janë edhe të sëmurë. Jetën këta po e bëjnë tërësisht të vetmuar, në shtëpinë ku banojnë, të cilën po e paguajnë 100 euro në muaj.

Zahidja jeton me djalin tjetër, por pasi kishte martuar Ekremin, për shkak edhe të gjendjen jo të mirë ekonomike që ka edhe vet, ishte ndarë me të.

Për djalin ajo ka ‘dronë’ që ka mbetur me trauma nga lufta, në kohën edhe kur ia kishin vrarë burrin gjatë masakrës në Grashticë.

Gubetini: Djali është sëmurë prej luftës në vitit 1999

“Djali mu ka smu pothuajse prej luftës, në 99, me 20 prill jena ra në masakër të Grashticës, te guri i keq. Aty kemi përjetuar shumë keq, burri u zhduk tre muaj nuk e kemi gjetur, pas tre muajve e kemi gjetur me OSBE-në në varrezat e Krasniqve. Ka qenë bashkëpunëtor me UÇK-në, e kanë njoft shkijet edhe e kanë zhduk. Djalit i kanë ra në traktor, kemi qenë me nënën, vëllaun natën, automatin në fytyre ja kanë qit, kur ia dhashë 100 euro diqysh e lëshuan. Qaty djali ka marrë depresion shumë”, rrëfen ajo.

Të vetmen ndihmë e kanë nga nënë Zahidja, e cila e lodhur tregon që për të është vështirë të shohësh djalin me nusen duke jetuar në këtë gjendje. Derisa tregon për ato që po i përjeton, thotë se është shumë e shqetësuar se një ditë Ekremi e Elmija do të ‘djegën’, ngase jo rrallë herë harrojnë shporetet elektrikë të ndezur.

Gubetini: Po tutna që po kallen shumë herë

“Këta nuk punojnë, nuk kanë aftësi për kurgjo, për një punë me thënë eh ta kryjmë. Me çky dru nuk dinë, me dhez zjermin, rrobat poshtë ua pastrojmë… Bile po tutna që po kallin shumë herë, i harrojnë plloçat lëshut…tutna që po, se nuk janë të vetëdijshëm, harrojnë, e lëshojnë shkojnë hajt anej, hajt knej”, shton ajo.

Ekremi e Elmija të cilët po trajtohen edhe në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, muajin po e kalojnë me vetëm 130 euro.

Gubetini: Me 130 euro jetojnë

“Djali jem me nusen, ky i merr me librezë me aftësi të kufizuar 75 euro edhe kjo e merr 60 euro socialin. Me qito jetojnë, çka ka mundësi ju ndihmojmë edhe ne, por sot kushtet nuk janë, pa punë, jo tash korona virusi, tëra të zezat”,

Nënë Zahidja, e cila pothuajse gjithë jetën e ka kaluar e vetme, thotë se pret një ditë që dikush nga bamirësit të shkojë e t’u dal në ndihmë sa do pak.

Gubetini: Thirrja jem si nanë është që t’iu ndihmojë dikush për banim

“Thirrja jem si nanë, kush ka mundësi me zgjat dorën me ua dhënë një banim diqysh, se janë keq. Unë nuk kam mundësi, ju tregova gjendjen, këta veç sa janë rritur, nuk kanë as axhallar, as kërkon hic, vec me mu janë rrit qishtu”, shton ajo.

Të vetmen dëshirë, ashtu si të nënë Zahides, e kanë edhe vet Elmija me Ekremin.

Gubetini: Kemi nevojë për strehim

“ Kemi nevojë për një banesë, strehim… strehim se shtëpia e keqe, po e shihni edhe vet. Qikjo po na mungon edhe më shumë, edhe me pas mundësi më shumë për idare… Vështirë e ftohtë, po ngrihet uji”, thonë ata.

Derisa dikush të dëgjojë për dy anëtarët e familjes Gubetini, burrë e grua po jetojnë në këtë shtëpi, që as e tyre nuk është. Ndërsa, ushqimin që po e sigurojnë me ndihmën sociale mujore, mund të jetë edhe i dëmshëm për ta, pasi që në një hapësirë flenë, përgatisin ushqimin dhe ushqehen.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat