Familja Mehmeti jeton në bodrum, rrezikohen nga minjtë e gjarpërinjtë - Bota Sot
Familja Mehmeti jeton në bodrum, rrezikohen nga minjtë e gjarpërinjtë

Sociale

Familja Mehmeti jeton në bodrum, rrezikohen nga minjtë e gjarpërinjtë

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 16:50
Familja Mehmeti

Familja Mehmeti jeton në bodrum, rrezikohen nga minjtë e gjarpërinjtë

Në varfëri, mjerim të skajshëm, e me probleme të mëdha shëndetësore po jetojnë familja e Tahir Mehmetit nga “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Në pak metra katrorë, kjo familje, anëtarë të përhershëm të kësaj “shtëpie” ka edhe gjarpërinjtë dhe minjtë. Ushqimi dhe nevojat e tjera bazike po sigurojnë me të ardhurat nga ndihma sociale prej 120 euro, të cilat nuk po u mjaftojnë as për barna.

Tash e disa muaj, Selvija, Tahiri e tre fëmijët e vegjël po jetojnë në bodrum. Çdo centimetër të këtij vendi ku po mundohen të gjejnë strehim, e ka mbuluar myku e vlaga, derisa kundërmon era e lagështisë së mureve. Kurse, dyert prej druri pothuajse janë të rrëzuara. Çdo gjë e kanë të improvizuar, e nuk janë të rralla rastet kur i zë gjumi të uritur.

Ushqimin që po e sigurojnë me ndihmën sociale mujore, mund të jetë edhe i dëmshëm për ta, pasi që në një dhomë flenë, përgatisin ushqimin dhe ushqehen.

Selvije Mehmeti- E zonja e shtëpisë/ Kodra e Trimave

Mehmeti: Fëmijët prej erës e vlagës janë të sëmurë

“Jemi pesë anëtarë, burrin e kam të sëmurë prej zemrës, është i paralizuar, fëmijët janë të vogël. Edhe këta më shumë prej skamjes, prej erës, prej vlagës, janë sëmurë. Ne nuk kemi as tokë, as shtëpi. Nuk po kemi më çka, burri është sëmurë, ne me një social jetojmë, çka me bo me to përpara. Në këtë pandemi na i qitën ka dy sociale, ne i marrshim ka 240 euro, se 120 euro e marrim një social. Me ato çka (blejmë) ilaçe për burrin, kontrolle te spitali. Bën vaki në gjysmë të natës u sëmurë, e kapte zemra, veç u dridhke. E thirrsha emergjencën u vonoheshin. Ky nuk pritke emergjencën, u dashke me thirr një taksi në pikë të natës me e dërgu. Pesë euro deri te spitali, pesë euro andej, pesë këndej. Plus ilaçet e tij, u dashke me i ble maskat. Ka 60 cent një maskë, më ka ra shpesh me i ble këtij, shpesh për veti, doreza. Pse? Se ky u sëmurke i ka pas do kontrolle pardje, analiza, prapë nuk i kanë dal mirë”, rrëfen ajo.

Që 20 vjet jetojnë në shtëpi me qira. Jeta për ta po vështirësohet çdo ditë e më shumë. Të papunë mezi arrijnë të sigurojnë kafshatën e gojës, e brengë kryesore Selvija e ka sigurimin e një shtëpie për fëmijët. Bodrumin në të cilin po jetojnë, po e paguajnë 60 euro në muaj.

Mehmeti: Çka me bo na përpara me 120 euro,

“Ne që tri vjet jemi këtu por ai (pronari) na ka thanë gjithë dimrin, në pranverë t’ia lirojmë shtëpinë. Se po i vyen, por i ka ardhur keq shumë atij prej nesh. Se ne nuk e kemi pas shumë shtrenjtë qiranë, 60 euro e kemi pas, po na a me la qiranë, a të pagujmë rrymën, ujin, a bërllokun, a çka përpara. A ilaçe, a kontrolla. Çka me bo na përpara me ato, po atij i ka ardhur gjynah shumë prej fëmijëve, prej burrit. Më shumë dimrit hiç nuk i ka marrë, se e ka dit qysh jena ne. Por, i ka ardhur keq me na thonë ‘dilni’. Po atij po i duhet shtëpia, na ka thanë rrini qitu në bodrum, derisa ta bëjë një zgjidhje se vera është, se po na duhet shtëpia”, shton Selvija.

E zonja e shtëpisë, Selvija, nuk ka as ku të pastrojë fëmijët. Me raste detyrohet të mbledh rrobat e palara e t’i dërgojë te motra e saj.

Mehmeti: Teshat me shumë i laj në dorë

“Na qitu flemë, qaty njëfarë kade i lajë fëmijët. Edhe teshat më shumë në dorë, më shumë i çoj te motra, i mbledhë me një thes edhe te motra i çoj, se e kam qitu te shkolla, më andej. Qashtu në karrocë edhe i çoj i lajë. Edhe fëmijët më shumë i çoj atje i pastroj, veç shumicën qitu”, shton ndër të tjera ajo.

40-vjeçarja po kujdeset për të gjithë. Burri i saj ka pasur tri herë sulm ne zemër, një pjesë të trupit e ka edhe të paralizuar. E nga skamja, thotë se kanë filluar të sëmuren edhe fëmijët.

Situata me pandeminë ua ka vështirësuar jetesën edhe më shumë. Jo të rralla kanë qenë rastet kur iu pamundësua të dërgonte bashkëshortin tek mjeku, në mungesë të maskave.

Frikësohet se gjatë natës mund të dalin minjtë e gjarpërinjtë.

Mehmeti: Krejt i kam kryer, më shumë jam frikësuar për fëmijët

“Halli për burrë për fëmijët, krejt i kam pas në kry vet, a po sëmuren, a po më duhet me nga’ pas tyre. Me u sëmurë këta qysh me lanë këta, me u sëmurë ky qysh me i lanë këta. Më së shumti frikësohesha për shëndetin e fëmijëve se shumë keq, shumë shtëpia e keqe, shumë vlagë, erë. Qitu përfund shkallëve u tutshim që po na del ndonjë gjarpër. Shumë herë i këqyri fëmijët natën, se tutna që po i kap najsan, edhe minj ka këtu, prej kanalizimit po dalin, po ka gjithçka këtu. Ne që 20 vjet jemi në dyer të hallkut, që 20 vjet jemi qashtu ne”, thotë ajo.

Brengë të madhe e ka gjendjen e fëmijëve të saj, thotë se dy vajzat kanë mbetur mbrapa me mësime, meqë nuk kishin se me çfarë të mësojnë gjatë kohës së pandemisë. Ndërsa, djalin nuk ka arritur ta regjistrojë fare në shkollë, si shkak i kushteve të rënda ekonomike.

Mehmeti: Prej skamjet nuk ki ku i çon

“Fëmijët këtë shkollën që e patën, një drejtoreshë e shkollës ja ka dhanë kësaj çikës të madhe një laptop, po herë punonte, herë jo për të mësuar. Televizorin më shumë e kishim rrjetin me komshi, kjo çika e vogël shumë mbrapa ka mbet. Herë i kanë mësuar mësimet, herë si kanë mësuar. Kjo ka kaluar me 4-she, kjo me 4-she. Djalin kam pas të regjistruar këtë vit në shkollë, po nuk e kam regjistruar hiç. Pse? Prej skamjes, nuk ki ku e çon, ku me çu. Tre fëmijë po i lypin senet sikur krejt fëmijët. Edhe këta kanë qejf me pas një shtëpi sikur krejt fëmijët. Po i shohin fëmijët tu i pas krejt senet, shtëpitë, këta po thonë pse ne jo. Unë po them kur të është kësmet, kur të bën Allahu emër, atë herë e do ta bëjmë ne një shtëpi”, shton Selvija.

Brenda në këtë bodrum po qëndrojnë me maska. Selvija thotë se nuk po frikësohen nga koronavirusi, por nga sëmundjet që mund të marrin nga lagështia e era që kundërmon.

Mehmeti: Kështu sëmuremi më shumë

“Unë po të tregoj të drejtën, më shumë për erë, për vlagë, se më shumë sëmuremi kështu se ndoshta prej virusit. Se shumë është tmerr këtu, shumë. Këtë derë nuk e çeli hiç se këtu, veç i pastroj shpejt fëmijët edhe e mbylli derën krejt. Më shumë fëmijët jashtë rrinë, veç gjumin hyjnë e bëjnë këtu”, rrëfen ajo për KosovaPress.

Për vet kryefamiljarin, Tahir Mehmeti, halli më i madh mbetet shëndeti. Frikësohet se do të sëmuren fëmijët, dhe se nuk do të ketë mundësinë t’i dërgojë për vizitë mjekësore.

Mehmeti: Hallin më të madh e kam për fëmijët

“Halli më i madh i jemi është shëndeti, sepse nuk e kam shëndetin. E gjatë kësaj pandemie kam pasur problem edhe për fëmijët jam frikësuar që po infektohen fëmijët. Edhe më duhet të respektoj këtë orarin, as nuk kam mundur të dal. Veç për raste urgjente që nuk kam pas qare, te mjeku ose diku. Se mu ka desh qitu me nejt. Hallin më të madh e kam pasur edhe e kam për qita fëmijë, më shumë. Ashtu edhe për gruan. Hall më i madh nuk di ku të shkoj”, shprehet ai.

Për Selvijen e Tahirin, lutje më e madhe para gjumit është që një ditë të zgjohen në shtëpinë e tyre, dhe të strehojnë fëmijët, të cilëve çdo ditë e më shumë po u rrezikohet shëndeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat