Gruaja-viktimë e traditave të përligjura

Sociale

Gruaja-viktimë e traditave të përligjura

Nga: Lekë Imeraj Më: 24 shtator 2020 Në ora: 14:31
Lekë Imeraj

Femra, nga natyra, lindet njeri por, pushteti mashkullor e shndërron atë në “send”. Historikisht, gruaja njeri, ka qenë pjesëtare aktive, në të gjitha rastet vendimtare për shoqërinë dhe kombin. Nuk janë të pakta rastet kur gratë, për krah etërve dhe burrave të tyre, u hodhën në fushën e betejës kundër pushtuesve, për të mbrojtur vatanin e tyre.

Historiani, Nikolai Karamsin, thotë se, 400 vjet para Krishtit, gratë athinase u hodhën në fushën e betejës për krah etërve dhe burrave të tyre, në luftë kundër pushtuesve.

Aleksandri i Madh (356-323) ishte shembulli tjetër që i angazhoi gratë në luftë, direkt në fushën e betejës.

Në vitin 626, në Konstandinopojë, në mes të të rënëve sllavë në luftë kundër grekëve, u gjet një numër i madh kufomash grash. Karamsin shkruan se: Gratë sllave shkonin në luftë, pas etërve dhe burrave të tyre, pa pasur frikë nga vdekja.

Në vitin 1560-1620, në Angli gratë u mobilizuan për shërbime shëndetësore ndaj të plagosurve në luftë.

Në luftën e Parë Botërore, u aktivizuan 100 mijë gra, gjermane, ruse franceze, direkt në luftë.

Lufta e Dytë Botërore do të ishte ajo që, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, do të mobilizonte numrin më të madh të grave në luftë. Amerika mobilizoi 45 mijë, Anglia 225 mijë, Gjermania 500 mijë dhe rekordin e mbajti Bashkimi Sovjetik me mbi një milion.

As që mund të numërohen aktet patriotike dhe heroike të gruas shqiptare, në luftë për mbrojtje dhe zhvillim të vendit.

Dhe, megjithatë, gruaja për botën mashkullore, ka mbetur “send”. Papushtetshmëria e femrës në shoqëri, e favorizoi plotpushtetshmërinë e mashkullit, duke e kthyer atë në kult. Që kur gruaja u “ndërgjegjësua” për pozicionin e vet inferior në shoqëri, u shtuan teoritë dhe ideologjitë për shfrytëzimin dhe dhunimin e saj.

Nëse duam të kuptojmë, përse gratë vazhdojnë të jetojnë aty ku dhunohen dhe me ata që i dhunojnë, duhet kuptuar edhe (ideologjitë) mekanizmat që e mbështesin dhunën dhe poshtërimin ndaj saj.

Mitet e lashta të inferioritetit të gruas ndaj burrit, i shërbejnë shoqërisë së sotme për të justifikuar të drejtën mashkullore si forcë qeverisëse, në familje dhe shoqëri. Gjurmët e këtyre miteve i gjejmë, të paktën para 2500 vjetësh, dhe si në formë „virusi“, kalojnë nga gjenerata në gjeneratë, pa u dobësuar aspak.

Mary Metzger, mendon se, janë të paktën tri “teori” kryesore që e mbajnë të gjallë këtë „virus“.

“Teoria” e parë, e koncepton gruan, “burrë i mëngët”. Asaj i mungon nga natyra diçka dhe këtë diçka e kanë vetëm burrat. Aristoteli, këtë diçka e mendonte “paaftësi e gruas për të prodhuar spermë”. Sipas Freudit, kjo diçka, është mungesa e penisit.

“Teoria” e dytë mendohet natyra e njeriut, e krijuar kjo në mënyrë të pabarabartë, mashkull dhe femër. Sipas këtij motivi, kufiri midis burrit dhe gruas është natyror. Forca, agresiviteti, pasiviteti, vartësia, janë burimet e këtij shembulli.

“Teoria” e tretë vjen nga mitologjia klasike e krishterimit çifut, sipas të cilës gruaja u krijua si nevojë e burrit. Zoti e krijoj Evën si ndihmëse të Adamit. Kjo teori gjeti përhapjen dhe përkrahjen më të gjerë në gjithë njerëzimin. Edhe sot e kësaj dite gruaja mendohet e tillë, makinë lindëse, fshesë, kuzhinë, krevat.

Këto teori janë mekanizmat mbi të cilat meshkujt mbështeten, gjithnjë e më shumë, si burim i të drejtës së tyre për të sunduar gratë. Ato mendohen burimi themelor i të drejtave të meshkujve mbi femrën, si pronë e tij. Gratë që guxojnë të sillen ndryshe nga tradita, nga sa është parashikuar nga shoqëria dhe burri, ndëshkohen me dhunë, rrahje, torturë, përdhunim, me vdekje ose, me forma të tjera të parashikuara sipas rastit në “ligjet” e shoqërisë mashkullore.

Nga historia e së kaluarës ne e dimë se, dhuna ndaj gruas ka qenë e hapur dhe e ligjshme. Antropologia Ruby Rohrlich-Leavitt, thotë se, në kultura të ndryshme, emri i gruas që kundërshtonte burrin, gdhendej në tullë me të cilën ajo goditej në dhëmbë. Një veprim i tillë ishte i ligjshëm.

Kodeksi i Hamurabit, 1728 para Krishtit, e mbështeste një veprim të tillë, shenjtëronte familjen dhe përligjte sjelljet e saj të dhunshme ndaj gruas. Soloni, si ligjvënës i Greqisë së lashtë, shkruante se: -Gruaja që tradhton burrin (në atë kohë në ligj, për tradhti bashkëshortore ndëshkohej vetëm gruaja), nuk guxon të zbukurohet dhe as të marrë pjesë në festat publike. Nëse ajo nuk i bindet ligjit, çdo burrë ka të drejtën t’ia rrëmbejë stolitë nga trupi dhe ta rrahë.

Në Romën e lashtë shprehja ”Patria Potestas” do të thoshte pushtet absolut i burrit mbi gruan, fëmijët dhe skllevërit. Morali i dyfishtë, sundonte deri në ekstrem. ”Nëse gruaja e tradhton burrin, burri ka të drejtë ta vrasë atë pa gjyq”; nëse burri shkon me gratë e huaja, edhe nëse i barrëson ato, nuk i preket as qimja”, kështu thuhej në ligj.

Pirja e verës (çka nënkuptonte të qenët me burrat e huaj dhe mendohej thyerje martese) ishte e ndaluar për gratë. Gratë nuk guxonin të grindeshin afër fuçive të verës dhe as tu afroheshin atyre gjatë kohës së menstruacioneve pasi që, mendohej se thartohej vera.

Në Evropën mesjetare, burri kishte të drejtë ligjërisht, ta rrihte gruan. Të gjitha sistemet ligjore e lejonin një gjë të tillë. Në të drejtën franceze, në shek. 13, thuhej: -Ligjërisht, nëse burri e rrah apo vret gruan e vet, është e drejta e tij, në rastet kur gruaja ia jep trupin e saj dikujt tjetër, kundërshton, fyen, nuk respekton. Në të gjitha këto raste dhe të tjera të ngjashme me këto, burri ka të drejtë ta rrahë dhe ndëshkojë gruan sipas vendimmarrjes së vet.

Pushteti i burrit mbi gruan, në Anglinë mesjetare, ishte rregulluar kështu me ligj: -Nëse burri rrah, ndëshkon apo syrgjynos tradhtarin, paganin, gruan e vet, kjo nuk përbën krim dhe as shkelje të ligjit”. Deri në shek. e 17-të, në Angli, burrat kishin ligjërisht të drejtë që ta rrihnin gruan me shkop, por me kusht që shkopi të mos ishte më i trashë se gishti i madh i tyre.

Në Kaliforni, deri vonë ka ekzistuar një ligj i cili mendohej i paligjshëm, sipas të cilit: ”Burri duhet ta rrahë gruan çdo ditë, pas orës 22 të mbrëmjes”.

Fillimi i fazës së kapitalizmit solli ideologji të tjera dhe për rrjedhojë, norma të tjera të dhunimit të gruas. Studimi i teorisë së evolucionit dhe psikologjisë, nuk solli ndonjë ndryshim në lidhje me qëndrimin ndaj gruas. Ajo përsëri u mendua si njeri i dytë, dhe një shtesë e burrit. Nëse dhuna ndaj gruas nuk u mbështet më ligjërisht, nuk iu kushtua ndonjë vëmendje duke e justifikuar me natyrën agresive të meshkujve (maqoizëm ndaj grave). Edhe sot e kësaj dite, analistë të ndryshëm, duke u mbështetur mbi teorinë maqoiste, thonë se gruaja, herë pas here, e ka të nevojshëm ndëshkimin fizik.

Sipas traditës dhe kulturës patriarkale, gruaja është menduar dhe vlerësuar thjeshtë si pronë e burrit, pronë me të cilën ai mund të sillet dhe veprojë si të dojë. Gruaja është një send i blerë pasi, në të vërtetë ajo blihej. Sipas shumë analistëve, martesa ka qenë thjeshtë një çështje tregtie. Gruaja, si send i blerë, kishte vetëm detyra. As që bëhej fjalë për të drejta. Detyrat e saj kryesore ishin, të shkonte e virgjër tek burri, të lindte fëmijë, dhe sa më shumë djem dhe t’i bindej burrit. E gjithë jeta e saj zhvillohej në trekëndëshin, fshesë, kuzhinë, krevat.

Çmimet e shitblerjes së gruas ishin të ndryshme. Në shek. 19-të, në Ballkan, një vajzë kushtonte, një herë 3000 piastra dhe një herë tjetër 300 piastra. Çmimi varej nga dera prej nga vinte vajza, dhe nga oferta dhe kërkesa e tregut. Gratë e përdorura (vejushat), për çdo rast shiteshin dhe bliheshin shumë më lirë se ato të papërdorurat. Dhe nëse do të ishte cilësi e tretë, më shumë se dy herë e ndarë apo vejushë, ajo mund të këmbehej me një pushkë. Nëse blerësi nuk kishte para kesh, blerja bëhej me kafshë,  lopë, qe, kuaj, mushka dhe kafshë të tjera. Gruaja, nga dita që dilte nga shtëpia e prindërve, nuk gëzonte më asnjë të drejtë aty, në derën nga e cila dilte.

Një traditë e tillë ka qenë e njohur në të gjithë Shqipërinë. Sipas J. G. Hans, në Shqipërinë e jugut, çmimi i gruas ishte sa vlera e një kali. Në Kosovë çmimi i gruas ishte më i lartë. Në periudhën midis dy luftërave botërore, çmimi i gruas u rrit aq shumë sa i varfëroj familjet.

Sipas ligjit, prindërit e gruas kishin të drejtë t’i kërkonin shtëpisë së dhëndrit, të ashtuquajtura dhurata me vlerë deri në 100 Gulden.

M. Mitterauers, thotë se, në të gjitha kulturat ku gruaja blihej, ajo kthehej në pronë të familjes. Nëse i vdiste burri, sipas traditës së ligjëruar, levirat-it, ajo detyrohej të martohej me vëllain e burrit ose me cilindo tjetër brenda familjes dhe fisit, sipas vendimit të të parit të familjes.

Sipas Kaser, në shumë fise shqiptare, levirati ka qënë i përhapur dhe i detyrueshëm, dhe kjo jo vetëm në fiset myslimane ku, sipas të drejtës së Sheriatit, poligamia nuk përbënte problem. Burrat, në kundërshtim me moralin kishtar, e ndjenin veten të detyruar që e veja, të martohej me cilindo, brenda familjes dhe fisit, me përjashtim të babait. Në fillim të shek. 20, në shumë fise katolike, levirati ishte ligj i detyrueshëm.

M. Filipoviç, thotë se, në Dukagjin dhe Mirditë, sipas traditës, të parët ishin vëllezërit e vëllait të vdekur që gëzonin të drejtën e martesës me gruan e tij të lënë pas. Pastaj vinin meshkujt e tjerë të gjinisë dhe të fisit.

Mary Edith Durham (1863-1944) shkruan se, megjithëse kisha e ndalonte leviratin, burrat katolikë të Shqipërisë së Veriut e kishin ligjëruar atë dhe e mendonin si akt normal. Në raste të tilla, e gjithë familja çkishërohej. Durham vizitoi një familje me tetëmbëdhjetë anëtarë në Aprripën e Gurit, ku të gjithë ishin çkishëruar për një rast të tillë. Njëri nga djemtë, 30 ditë pas vdekjes të vëllait, ishte martuar me gruan e tij. Megjithëse çkishërimi nuk ishte i lehtë, djali e ndjente për detyrë të martohej me gruan e vëllait të vdekur. Në fiset shumë të izoluara të Nikaj-Merturit, Toplanë, Berishë, në fillim të shek. 20, levirati ka qenë jo vetëm normal por, edhe i detyrueshëm. Në fisin Nikaj me 300 shtëpi, kishte 50 raste të leviratit, në Merturë, me rreth 300 shtëpi, kishte 45 raste.

Nga tradita të tilla, të cilat u përligjën nga pushteti mashkullor ndër shekuj, gruaja u transformua substancialisht në një qenie „send“ shitblerje, pa asnjë lloj pushteti për vetveten.

Edhe sot e kësaj dite, shumë prej tyre mendojnë se gratë duhet të rrihen nga burrat dhe bashkohen me burrat kundër grave.

Elisa tregon se: “Isha bindur se unë isha gjithmonë fajtore kur më rrihte burri por, nuk e dija se cilat ishin gabimet e mia. Një natë isha shtrirë në krevat dhe po flija. Burri erdhi vonë dhe më rrahu. Mendova me veten time: Mirë herët e tjera, po tani ku e provokova unë atë”?

Në ditët e sotme, shumë nga gratë e dhunuara provojnë ta gjejnë vetë “rrugëzgjidhjen”, shitjen e trupit, alkool, drogë por edhe vetëvrasje. Shoqëria heshtë, politika heshtë. Klerikët i fryjnë zjarrit.

Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat