Dhuna strukturore dhe brenda mureve, e meshkujve mbi gratë

Sociale

Dhuna strukturore dhe brenda mureve, e meshkujve mbi gratë

Nga: Lekë Imeraj Më: 30 shtator 2020 Në ora: 15:44
Lekë Imeraj

Sipas J. Galtung, dhuna ndaj gruas zhvillohet në dy forma kryesore: -Në formën strukturore (indirekt) dhe në formën individuale (direkt). Dhuna strukturore nuk ka si autor individin njeri. Ajo është e instaluar në sistemin shoqëror, jeton prej tij dhe shfaqet në pabarazinë e shpërndarjes së resurseve, në pabarazinë e ndarjes së pushtetit dhe nga kjo vjen pabarazia e shanseve.

Heissenberger e mendon dhunën strukturore si të pashmangshme dhe të legjitimuar. Ajo vepron indirekt, latente, jo personalisht dhe ushqehet nga kushtet sociale, ekonomike dhe kulturore. Shkaqet e dhunës strukturore, nga njëra anë janë, nevoja e individit për siguri, respekt, rregull, mbrojtje, zhvillim dhe vetëpërmbushje, dhe nga ana tjetër, nevoja e shtetit për kontroll, ndikim, frikësim dhe bindje. Dhuna strukturore, në jetën sociale, shprehimisht, është për mbrojtjen e direktivave, traditave, zakoneve dhe normave.

Dhuna e burrit ndaj gruan është një traditë historike e lashtë, për të gjithë popujt dhe të gjitha kulturat. Gruaja i përkiste burrit të saj dhe ishte e detyruar, jo vetëm ta dëgjonte por, edhe t’i bindej për çdo rast. Burri ishte i plotpushtetshëm mbi pronat e veta, njëra nga të cilat mendohej edhe gruaja.

Dhuna ndaj gruas ishte pjesë përbërse e jetës bashkëshortore. Kjo e drejtë dhe detyrim, i të dyja palëve reciprokisht, ishte institucionalizuar dhe mbrohej me ligjet e shkruara dhe të pashkruara të kohës. Tek ne ishte Kanuni ai që i kishte rregulluar këto marrëdhënie, burrë-grua.

Në të drejtat dhe detyrimet reciproke, burrë-grua, ”ligjvënësit” e kohës u bazuan thjeshtë në anën sociologjike dhe aspak në atë biologjike. Sipas të drejtës zakonore, të institucionalizuar, të burrit mbi gruan, ai kishte të drejtë ta rrihte, për çdo rast kur ai bindej se është rasti. Dhe rasti, nëse nuk gjendej, sajohej. Nderi në përgjithësi, por ai seksual në veçanti, kundërshtimi, kokëngritja, mospërkujdesja, ishin gjithmonë burimet kryesore të përdorimit të dhunës së burrit ndaj gruas. Këto ishin për të gjitha kulturat, deri nga fundi i shek. 19-të.

Në botën perëndimore, nga fundi i shek. 19-të, u mendua për më shumë liri dhe të drejta të gruas. Ligjërisht, grave iu dha e drejta e divorcit, e shkollimit, e punësimit dhe e votës. Por kjo, nuk donte të thoshte se gruaja u çlirua nga pushteti i burrit. I. Vogt mendon se, lidhjet asimetrike midis gjinive, sipas traditës patriarkale të pushtetit të burrit mbi gruan, vazhdojnë dhe përforcojnë dhunën strukturore ndaj gruas.

Në gjysmën e parë të shek. 20-të, gruas iu dha e drejta e zgjedhjes së bashkëshortit. Por jo në të gjithë popujt dhe kulturat. Në trojet tona shqipfolëse, edhe sot, në shek. e 21, shumë vajaza martohen me shkuesi. Madje, edhe vajza të lindura dhe rritura në botën perëndimore, detyrohen të rikthehen në vendet e prindërve të tyre, dhe të martohen me ata që nuk i kanë parë as njohur kurrë.

Kjo e drejtë, nuk mjaftonte për të përmbysur raportet tradicionale të burrit dhe gruas në familje. Burri mbeti burrë dhe gruaja mbeti grua.

Pavarësisht nga rregullimi ligjor i pozicionit të gruas në familje dhe shoqëri, edhe sot e kësaj dite, në shumë kultura, në të gjitha sferat e jetës, nga më e vogla deri tek më e madhja, në jetën private, sociale dhe politike, gruaja mendohet dhe trajtohet si person i dorës së dytë dhe përjeton forma të pafundme dhune. Kjo është tipike për kulturën tonë, në të gjitha trojet shqiptare. Gruaja mbrohet me ligj por, ligji është i papushtetshëm mbi burrat e rrënjëzuar në traditat e vjetra të sundimit dhe poshtërimit të gruas.

Shumëllojshmëria e dhunës në jetën sociale, është aq e madhe sa, gati e bën dhunën të pakontrollueshme. Sipas B. Schweikert, dhuna ndaj gruas është një kompleks formash keqtrajtimi, shfrytëzimi, shtypjeje dhe kontrolli të cilat ushtrohen mbi atë nga bashkëshortët, partnerët apo persona të tjerë, në të gjitha sferat e jetës së saj.

Traditat, kultura dhe zakonet, janë ato që përcaktojnë edhe format e dhunës ndaj gruas. Në kulturën tonë, sipas traditave dhe zakoneve, është shumë e njohur dhuna fizike ndaj gruas, deri në jetëmarrjen e saj.

Duket sikur edhe vet shekujt janë kundër femrës. Shekulli 21, filloi me shumë rregullime ligjore mbi të drejtat dhe liritë e gruas. Dhe, kaq ishte. Praktikisht nuk ndryshoi asgjë. Familja, shoqëria, politika dhe shteti vazhduan të funksionojnë dhe sundohen sipas vullnetit dhe pushtetit mashkullor.

Në të gjitha sferat e jetës, në masën 70-80 % janë meshkujt ata që drejtojnë. Në politikë, në qeveri, në administratë, kudo, ndeshesh me burra. Baraspesha e drejtimit dhe qeverisjes midis dy gjusmëhënave, duket e largët, kështu që femrës do t’i duhet të përballet dhe të përballojë dhunën strukturore ndaj saj.

Dhuna mashkullore mbi femrën, në të shumtën e rasteve, kryhet jashtë syrit dhe veshit të shoqërisë, në vende të fshehta dhe prapaskena. Meqënëse kjo dhunë është e pandjeshme dhe e padukshme, duket sikur edhe shoqëria dhe strukturat shtetërore, nuk i kushtojnë shumë vëmendje.

Më tipikja nga këto është dhuna e brendamureve. Brendamureve, në shtëpi dhe në punë, pa u ndier dhe pa guxuar të ndihen, gratë rrihen, poshtërohen, dhunohen, përdhunohen, fyhen, injorohen, skllavërohen, gjakosen dhe vriten. Familja, shoqëria dhe shteti, për të ruajtur imazhin e tyre, priren nga tendenca e minimizimit të dhunës brendamureve, duke injoruar kështu, edhe rrezikun e saj. Në të shumtën e rasteve, e mendojnë atë thjeshtë si problem privat, të brendamureve dhe si mundësi për zgjidhjen e konflikteve bashkëshortore. Kështu që, brendamuret janë kthyer në vatra të sigurta për burrat tiranë, për dhunimin dhe terrorizimin e grave dhe vajzave. Kjo është dhuna memece, e cila nuk dëgjohet jashtë mureve. Sado që femra të bërtasë, zëri i saj nuk dëgjohet jashtë. Dhe, kur dikush e shikon me hematoma apo kocka të thyera, ajo thotë se ka rrëshqitur diku ose është përplasur me diçka. Sipas lëvizjes feministe ”Bota e gruas”, një e treta e vetëvrasjeve të grave dhe 60 % e vdekjeve të tyre, lidhen me dhunën e brendamureve. Dhuna e brendamureve, i kapërcen të gjithë kufijtë e nacioneve, klasave, kulturave dhe etnive. Në Gjermani, një ndër katër gra, do ta përjetojë, të paktën një herë në jetë, dhunën e brendamureve. Në Etiopi e përjetojnë sistematikisht, 50 % e grave. Në Ugandë, 70 % e burrave dhe 90 % e grave, e mendojnë rrahjen e gruas si mjet të efektshëm për zgjidhjen e konflikteve bashkëshortore.

Respektimi i sferës private dhe paprekshmëria e familjes e favorizojnë dhunën mashkullore,brenda mureve, mbi femrën. E drejta e ndërhyrjes së organeve antidhunë në familje, mendohet vetëm kur kërkohet ndihmë nga dikush prej anëtarëve të familjes. A është e mjaftueshme kjo!? Nëse jo, si mund të rregullohet që dikush t’i ndiejë rënkimet e gruas nga dhuna, dhe të ndërhyjë në kohën e duhur!?

Ndryshe nga dhuna strukturore, ajo individuale është konkrtete, direkte, e dukshme dhe subjektivisht e perceptueshme. Dhuna individuale kërkon një autor dhe lidhet direkt me një veprim konkret. Dhuna strukturore dhe ajo individuale lidhen në mënyrë të ndërsjellë me njëra-tjetrën.

Heissenberger thotë se, nëse normat kulturore e lejojnë dhunën e burrit ndaj gruas, brenda familjes, atëherë kjo është pasojë e dhunës strukturore. Nëse personat e dëmtuar nga dhuna strukturore, vetëmbrohen nga dhuna dhe diskriminimi, atëherë dhuna individuale është një reaksion ndaj dhunës strukturore. Kur një person shkel normat apo ligjin, kjo nuk ka të bëjë me dhunën strukturore por, është dhunë individuale. Kalimi nga njëra formë e dhunës tek tjetra, bëhet në mënyrë të rrjedhshme dhe të heshtur. Dhuna personale mund të drejtohet edhe kundër strukturave shoqërore.

Vogt mendon se, dhuna individuale shërben si demonstrim dhe stabilizim kundër plotpushtetshmërisë së sundimtarëve, në familje dhe shoqëri. Përplasjet zhvillohen për pozicionet përballë njëri-tjetrit, për rangje dhe statuse. Në shoqëritë tipike patriarkale, personi me një status të lartë social, grumbullon shumë më tepër pushtet rreth vetes dhe për veten e tij. Njëkohësisht i përligj vetes të drejtën e plotpushtetshmërisë. Sipas Vogt, veprimtaritë e dhunshme janë shprehje e demonstrimeve të pushtetit. Burri, si disponues i një pushteti të legjitimuar, mund të ushtrojë dhunë në forma të ndryshme mbi gruan dhe familjen, për aq kohë sa sjellja e tij nuk do të sanksionohet shoqërisht.

Organizata Botërore e Shëndetësisë arrin në përfundimin se, 10 deri në 50% e grave janë viktima të dhunës brendamureve ose të përdhunimeve, ku në rastet më të shumta kriminelët janë të afërm, shokë apo të njohur. Një e treta e të gjitha vetëvrasjeve tek femrat, dhe 60% e të gjitha vdekjeve tek femrat, lidhen me dhunën e brendamureve.

Dhuna e brendamureve, e bashkëshortëve dhe partenrëve mbi femrën, shfaqet në intensitetin e saj më të lartë, në ato nacione dhe kultura ku pabarazia midis mashkullit dhe femrës është e cilësuar dhe e institucionalizuar, ku rolet gjinore janë të prera, ku normat kulturore injorojnë plotësisht ndjenjat e femrës dhe mbështesin për çdo rast barbarinë mashkullore dhe që para sjelljeve të tilla, shoqëria kthen kokën mënjanë. Në shoqëri të tilla, gruaja e ka të pamundur kokëngritjen.

Nëse ajo guxon, do t’i shtohet doza e dhunës dhe mund t’i afrojë vetvetes një fund tragjik.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat