Shtatë prioritetet e “gjysmëhënës” femër ndaj “gjysmëhënë” mashkull

Sociale

Shtatë prioritetet e “gjysmëhënës” femër ndaj “gjysmëhënë” mashkull

Nga: Lekë Imeraj Më: 2 tetor 2020 Në ora: 14:37
Lekë Imeraj

Shumë meshkuj nuk duan kurrsesi t’i pranojnë prioritetet e gjinisë fëmërore, në krahasim me ato të tyre. Duan apo nuk duan ata, femra ka shumë prioritete, shtatë prej të cilave mendohet të jenë këto: vëmendshmëria, arsyeja, kujdesi, ndershmëria, paraqitja, fleksibiliteti, mirënjohja. Ndoshta kjo për faktin se femra, gjatë gjithë jetës së saj, është biologjikisht e «dënuar» të jetojë me tre «armiqtë» e saj të mëdhenj, ndjenjën e frikës, të pasigurisë dhe të fajësisë.

Këta tre «armiq» janë fshehur diku brenda saj dhe nuk e lënë atë kurrë të qetë. Lufta e tyre kundër femrës dhe e femrës kundër tyre, nuk merr fund kurrë. Fatkeqësisht, ne meshkujt, edhe nëse duam, nuk e shpëtojmë dot femrën nga këta «armiq» dhe as nga lufta e saj kundër tyre. Si çdo luftë, edhe kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta pranojmë këtë luftë dhe të shfrytëzojmë të mirat e saj.

Nëse mashkulli e ndien për detyrë që të jetë i vëmendshëm dhe vigjilent, femra vuan nga kjo. Për kapitenin e anijes thuhet: « Kapiteni nuk fle kurrë, por vetëm dremit». Kështu është edhe femra. Femrës nuk i shpëton asgjë. Aparati «marrës» i saj është gjithmonë në «marrje». Çdo femër lindet me këtë aparat. Prej qindra shekujsh ai transmetohet nga nëna tek e bija. Gjithësecila e trajnon në mënyrën e vet, për të kapur sa më shumë valë gëzimesh dhe hidhërimesh, detyrash dhe të drejtash, për veten e saj, familjen, mjedisin, shoqërinë. Nëpërmjet vigjilencës së saj, femra arrin të njohë deri në thellësi botën e të tjerve, të fëmijëve, të burrit, të kafshëve dhe të gjithë asaj që e rrethon atë. Kjo, ndryshe mendohet dhe shqisa e gjashtë e femrës, intuita. Asaj nuk i shpëton gjë.

LEXO EDHEXhelozia personale e mashkullit ndaj femrës

Një dhunti e tillë, për femrën është e suksesshme, por dhe e dëmshme. Është e kundërta e egoizmit të mirë. Intuita e pengon femrën në pragmatizmin e saj, në marrjen e vendimeve. Dyshon shumë. Në njëfarë mënyre, sakrifikohet për të tjerët, duke u munduar t’ua presë rrezikun atyre. 24 orë në përgjim dhe vazhdimisht. Vëmendshmëria e pandërprerë e femrës, nuk e nxit atë për «luftë», por nuk i jep asnjëherë fitoren në luftë. Kush ia vlerëson asaj vigjilencën e pandërprerë për të tjerët, kohën dhe energjitë e investuara dhe harxhuara për suksesin, shendetin dhe jetën e tyre? Në të shumtën e rasteve, të gjitha faturat i duhet t’i paguajë vetë. Kjo e lë atë prapa dhe ata, për të cilët ajo ka investuar që të ecin përpara, e parakalojnë dhe nuk kthejnë as kokën për ta parë. Femra është si qiriri, që digjet për të tjerët.

Femrat janë pjesa më e ndërgjegjshme e shoqërisë. Meraku i tyre është rregulli për të gjithë. Tek ato mbizotëron arsyeja. Ndoshta kjo ndodh për faktin se, një ndër armiqtë e përhershëm të femrës, është frika e saj e brendshme. Sidoqoftë, shoqëria përfiton nga kjo.

Aty ku «kuvendojnë nënat», hesht pushka. Nënat i këndojnë jetës dhe jo vdekjes. Jeta, është detyra e parë biologjike e femrës dhe ajo i qëndron me besnikëri kësaj. Kjo është ndergjegjja e saj. Kjo duhet menduar njëra nga arsyet kryesore që bota e qytetëruar kërkon ta tërheqë gjithnjë e më shumë femrën në politikë dhe qeverisjen e vendit. Nevoja për siguri dhe paqe arrihet vetëm me një pjesëmarrje sa më të madhe të femrës në jetën qeverisëse të kombit. Femra i merr me vete instinktet e nënës kudo që shkon. Ato nuk e lënë të gabojë. Nuk e lënë të korruptohet, të dhunojë, të gënjejë, të mashtrojë, të vrasë. Femra është programuar biologjikisht të sjellë jetë dhe ta zhvillojë jetën. E vetmja gjë, mbi të cilën ndërgjegjja e femrës qëllon pa mëshirë, është tradhtia. Sepse tradhtia vret jetën. Prandaj meshkujt nuk i kanë shumë qejf femrat përkrah tyre në qeverisje, as në familje dhe as në jetën sociale dhe politike.

Shumanshmëria e femrës është shumë më e zhvilluar se e mashkullit. Femra është shumëplanëshe dhe shumëvariantëshe. Për femrën, «nuk bëhet», nuk ka. Për atë, gjithçka është e mundshme. Askush deri më sot, nuk ka mundur të shpjegojë tamam burimet e pashterrshme të energjisë mendore dhe fizike të femrës, po, ja që ajo ashtu është. Njëkohësisht, e shumëvendndodhur. Te fëmija, te burri, te puna, te prindërit, te shoqëria, te kuzhina, te pastrimi, te studimi dhe... gjithkund. Kujdesi i saj është i papërshkrueshëm dhe i paimagjinueshëm. Kështu është programuar femra, për të kënaqur të tjerët duke u vetësakrifikuar. E keqja është se kujdesi i saj, deri në vetësakrificë, në të shumtën e rasteve nuk vlerësohet nga të tjerët. As në familje dhe as në shoqëri. Ndodh dhe e kundërta : «Mami punët, ne të tjerët qejfin».

Një dhunti e tillë e femrës ka prioritete për familjen dhe shoqërinë nga njëra anë, por, nga ana tjetër shkakton dhe prapambetje të theksuar tek femra. Dhe kjo prapambetje reflektohet në mënyrë të padiskutueshme në familje dhe shoqëri. Me grua të prapambetur nuk mund të ketë as familje moderne dhe as shoqëri të përparuar.

Nëse një bashkëshort pretendon një familje moderne, duhet të mendojë për mënyrën se si mund ta tjetërsojë gruan, nga hamalli i shtëpisë, në grua moderne. Nëse shoqëria mendon për emancipimin e vet, duhet, në radhë të parë, të mendojë për emancipimin e femrës. Nuk mund të ketë kurrë shoqëri të emancipuar, me grua të poshtëruar dhe të skllavëruar.

Për mënyrën e ndërtimit dhe të funksionimit të «mekanizmit të ndjnjave» te mashkulli dhe femra, psikologët kanë konstatuar ndryshime të konsiderueshme. Ky mekanizëm, te femra është shumë më i ndjeshëm dhe shumë më i saktë. Ndoshta është dhe «shqisa e gjashtë», intuita e femrës, që e ndikon atë. Femra nuk gabon lehtë në ndjeshmërinë e saj. Në fakt një veçori e tillë e bën atë të vuajë, pasi meshkujt, edhe nëse duan, jo gjithmonë janë në gjendje ta kuptojnë atë që ndien dhe dëshiron femra. Pjesës më të madhe, as që u intereson fare një gjë e tillë. Meshkujt, në përgjithësi e kanë të vështirë të flasin mbi ndjenjat e gruas. Femrat e kanë të domosdoshme një gjë të tillë. Femra e ka të domosdoshme t’ia rrefejë dikujt, si kënaqësitë, poashtu dhe trishtimet. Asgjë nuk i shijon, sado e ëmbël apo e hidhur qoftë, nëse nuk e ndan me dikë tjetër. Edhe nëse gruaja, qoftë larg, e ka tradhëtuar burrin, qoftë dhe një herë të vetme, ajo do ta gjejë një shoqe, shumë, shumë të ngushtë që t’ia tregojë aventurën. Është mekanizmi i saj i ndjenjave që ia detyron këtë.

Për një emancipim dhe siguri më të madhe në familje, nuk do të ishte aspak gabim, nëse meshkujt do ta vlerësonin dhe merrnin në konsideratë mekanizmin e ndjenjave të femrës.

Femra vuan shumë nga dëshira për të qenë sa më e bukur, dhe nga ndjenja e shëmtimit.

Maksi, në orët e vona të natës, ngrihet nga krevati për të shkuar në banjo. Para pasqyrës, në këmbë, shikon gruan e tij, Lizën, e cila e kishte mbërthyer fort kokën me të dyja duart e saj.

«Si është puna, Liza ? Çfarë të ka ndodhur, që po qan, je e sëmurë”?-e pyeti ai.

“Si të mos jem e sëmurë? Shiko sa e shëmtuar jam bërë! Shiko flokët e mi si janë bërë, si fshesë bulevardi! Oh,... !

«Liiiza ! Ti je ngritur të bësh urinën apo të dalësh në fotografi për pasaportë !? Është ora katër e mëngjesit»,-i tha Maksi. E mori hopa dhe e shtriu në krevat.

Ndoshta shumë prindër, sidomos nënat, janë në gjendje të kujtojnë ditën e parë të shkollës së vajzave të tyre. Dëgjojnë nga ato një fjalor ndoshta fare të papritur: «Shiko sa të shëmtuar që i kam flokët (të hollë, të trashë, kaçurrelë...). Kam shumë pak ose nuk kam asgjë për të veshur, kofshët, krahët, mesi, janë të dhjamosura, të dobëta, të trasha, të holla. Kështu nuk kam sesi të shkoj në shkollë. Të gjithë do të më urrejnë, që ditën e parë. Edhe mësuesit do të më mendojnë fëmijë të braktisur. Këto vajza, që mendojnë që ditën e parë të shkollës kështu, për fat dikur bëhen gra. Ndoshta jo gjithnjë, por kur u afrohen të dyzetave, vazhdimisht qëndrojnë para pasqyrës dhe mbi peshore, dhe ua fusin atyre me shqelm, kur nuk u pëlqen vetja. Shpesh bëhen të bezdisshme me ankesat e tyre të pafundme për mospasje sa duhet dhe humbjen e freskisë. Kanë frikë se kjo do të ndikojë në raportet e dashurisë me të tjerët. Masën e dashurisë nga të tjerët ato e lidhin me vitet, freskinë, peshën dhe veshjen. Në fakt, këtu gabohen, pasi kërkimet shkencore kanë vërtetuar se pamja e jshtme nuk është, as primare dhe as vendimtare për marrëdhëniet e femrës me të tjerët. Se si gruaja e ndien dhe vlerëson veten, trupin dhe bukurinë e saj, kjo është puna e saj, por gjëja më e suksesshme për të, është vlerësimi dhe pranimi i vetvetes, ashtu siç është. Nëse ajo do të ndihet mirë ashtu siç është, nën lëkurën e saj, edhe në familje e shoqëri do të ndihet mirë. Nëse njeriu nuk e pranon veten ashtu siç është, si mund të mendohet ta respektojnë të tjerët, ashtu siç dëshiron ai!?

Por ja që kjo «sëmundje» është tipike për femrat dhe detyrimisht, në njëfarë mase, do ta vuajnë edhe meshkujt. Nuk dihet shumë për këtë «sëmundje», por një gjë dihet me siguri që, kjo nuk luftohet dhe nuk shërohet me dhunën mashkullore. Durim, tolerancë, mirëkuptim, kompromise. Ky është mjekimi i mundshëm.

Për të përballuar detyrat e ditës, femrës i duhen nëntë duar, nëntë këmbë dhe tri koka. Njëkohësisht femrën e ke gjithkund. Si është e mundur kjo!? Ka vetëm një përgjigje, felksibilitet.

Fjala fleksibilitet vjen nga latinishtja flectere, që do të thotë përkulshmëri, kthyeshmëri. Mendoni për një moment një kukull «barbi» prej gome, gjymtyrët e së cilës mund t’i përdredhësh si të duash dhe as nuk i dëmtohen, as nuk i dhembin. Janë fleksibile.

Askush nuk është në gjendje të thotë se në sa drejtime i duhet femrës të vrapojë në ditë dhe sa gjëra i duhet të riparojë, rregullojë, prekë, nuhasë, shikojë, kontrollojë etj., në ditë. Sa më të mëdha që janë ngarkesat ditore të femrës, aq më fleksibile është ajo.

Të jesh fleksibile, do të thotë që në çdo situatë të re, në çdo aspekt të jetës, ku lind nevoja e ndryshimit, të gjendesh në kohën e duhur dhe të reagosh në mënyrë të arsyeshme për zgjidhjen e problemeve. Do të thotë, të ngresh dhe të përmbysësh, të shembësh dhe të ndërtosh. Do të thotë të përballesh dhe të përballosh. Femra ndërton ura komunikimi, mashkulli i pret urat dhe ndërton barriera. Tringa tregon se tërë jetën e saj iu desh të luante rolin e «zjarrfikëses», për të shuar zjarret e konflikteve të burrit të saj në familje, farefis, shoqëri, miqësi dhe kudo. Por, fatkeqësisht, jo në të gjitha rastet ia ka dalë me sukses. Si rrjedhojë e fanatizmit dhe mungesës së theksuar të fleksibilitetit të burrit të saj, ajo ka humbur dy djem.

Fleksibiliteti është njëra ndër aftësitë e natyrshme të femrës, është dhunti e saj. Prandaj, meshkujt duhet të mirëkuptohen me këtë aftësi të femrës, ta pranojnë dhe t’i hapin rrugë në familje, shoqëri dhe qeverisjen politike dhe shtetërore. Meshkujve u mungon kjo aftësi. Mashkulli është fanatik. Ata duhet ta pranojnë vetë këtë. E keqja më e madhe është se ata nuk duan as ta mësojnë. Bile, shumë prej tyre bezdisen nga kjo dhunti e femrës. Kjo sjellje mushkërishte e meshkujve, dëmton jo vetëm familjen, por dhe shoqërinë. Sidomos kur është tipike për politikanët dhe pushtetarët e ndryshëm. Për femrën, e nesërmja nuk është më e sotmja. Për fshatarin politikan, e ardhmja është e kaluara.

Edhe atëherë kur femra nuk përfiton asgjë nga tjetri, thjesht për një mirësjellje apo shenjë respekti, e falënderon atë. I shpreh mirënjohje. Mirënjohja është në natyrën e femrës. Mashkulli e ka shumë të vështirë t’i përdorë tri fjalët magjike, të dua, faleminderit dhe më fal. Megjithëse femra, pjesën më të madhe të kohës e kalon, jo në tavolinë me të tjerët, por rreth tavolinës, merr shumë pak ose aspak mirënjohje nga ata për të cilët ajo vetësakrifikohet. Dhe megjithatë, ajo kurrë nuk harron ta shprehë mirënjohjen.

«Faleminderit që më more në punë, faleminderit që ma rrite rrogën, faleminderit që ma ndërrove vendin e punës... »- i thotë ajo shefit apo pronarit. I është mirënjohëse.

«Faleminderit që i ke derdhur plehrat, faleminderit që nuk i hedh më rrobat e pista në dysheme, faleminderit që na nxore në fund të javës, faleminderit që merresh me fëmijët... »- i thotë gruaja burrit të vet. I është mirënjohëse.

Burimin e mirënjohjes së femrës dhe mosmirënjohjes së mashkullit, ndoshta duhet t’i kërkojmë në ndarjen e roleve në familjen prehistorike. Detyra e mashkullit ishte siguria materiale dhe fizike e familjes. Detyra e femrës ishte përkujdesja për burrin dhe familjen, brenda mureve të shtëpisë. Askujt nuk i shkonte ndërmend që burri, kur kthehej nga gjuetia, të pastronte prapanicën e fëmijës apo të derdhte plehrat diku jashtë. E gjithë përkujdesja e gruas ishte që ta kënaqte sa më shumë burrin, që ai të ndihej sa më mirë të nesermen, kur do t’i duhej përsëri të gjurmonte egërsirat në pyll. Për gruan, burri ishte zot dhe zotin duhet ta falënderosh dhe t’i biesh në gjunjë. Për mashkullin, gruaja ishte vetëm fëmijëlindëse e rritëse, dhe fshesë shtëpie. Nuk kishte shumë arsye ta falënderonte apo t’i shprehte mirënjohje. Vartësia e femrës nga burri, rriti pushtetin e burrit mbi femrën dhe e kaloi atë deri në skllavërinë e saj. Kjo është trashëguar deri te njeriu i sotëm, si te femra dhe te mashkulli. Femra ka mbetur mirënjohëse, ndërsa mashkulli mosmirënjohës.

Mirënjohja është vlerësim dhe respekt për tjetrin. Mosmirënjohja është injorim, përçmim, simptomë e fanatizmit dhe tendencë e skllavërisë së tjetrit. Pavarësisht nga masa e trashëgimisë, mirënjohja është një mënyrë e mirësjelljes, plotësisht e mundshme për t’u mësuar nga cilido. Mirënjohja nuk duhet menduar thjesht si normë morali apo mirësjelljeje në familje dhe shoqëri. Ajo është domosdoshmëri dhe si e tillë, është detyrë për të gjithë. Mosmirënjohja shkakton indiferentizmin, apatinë dhe pasigurinë tek të tjerët. Dëmton rëndë ndjenjën e unitetit dhe të solidaritetit. Askush nuk bën gabim kur kujdeset për veten e vet por, gjithkush që kujdeset vetëm për veten e vet dhe nuk falënderon të tjerët për kujdesin ndaj tij, bën gabim të madh.

Femra nuk e bën këtë gabim. Meshkujt e bëjnë.

Mirënjohja midis njerëzve, është si puna e lojës së shahut. Për aq kohë sa vazhdon loja, çdo figurë ka rolin dhe vlerën e vet. Kur mbaron loja, të gjitha përfundojnë në një qese së bashku, pa rol dhe vlera.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat