Gruaja kundër gruas

Sociale

Gruaja kundër gruas

Nga: Lekë Imeraj Më: 3 tetor 2020 Në ora: 17:02
Lekë Imeraj

Përse femrat janë kaq kritike dhe ambicioze ndaj njëra-tjetrës? Përgjigjja e saktë mund të ishte kjo: -Sepse edhe ndaj vetvetes ashtu janë.

Te femra, biologjikisht, janë programuar tre „armiq“ të mëdhenj të saj, të cilët nuk i ndahen gjithë jetën dhe që janë: Ndjenja e frikës, e fajësisë dhe e pasigurisë. Intensiteti i pushtetit të këtyre ndjenjave mbi femrën, do të varet nga mjedisi ku ajo jeton.

Hierarkia patriarkale nuk prek vetëm shoqërinë por, në radhë të parë, mendimin dhe ndjenjat e individit. Ndikon aq shumë në to, sa i bën të rrezikshme. Mendimi mashkullor e tabuizon jetën dhe moralin e shoqërisë, dhe femrat, meqënëse nuk munden ndryshe, përshtaten me tabutë e diktuara nga shoqëria e mashkullizuar. Tek femra, ekulibri midis autonomisë dhe varësisë është shumë i brishtë. Qëndrueshmëria e tij varet nga mjedisi ku ajo jeton. Në shoqëritë patriarkale, meqënëse femra as që mund të mendojë për autonomi, pranon varësinë e plotë mashkullore dhe kthehet kështu në gruan tradicionale. E dorëzon vullnetarisht pushtetin e vet. Socializimi i saj do të thotë, rikthim në periudhën e skllavërisë. I gjithë aktiviteti i saj jetësor, zhvillohet në trekëndëshin: Fshesë, kuzhinë, krevat.

LEXO EDHE: Shtatë prioritetet e “gjysmëhënës” femër ndaj “gjysmëhënë” mashkull

Kjo sjell konkurencën e madhe midis femrave. Ajo ndihet gjithnjë e më shumë e pasigurt nga femrat tjera, dhe ka gjithnjë e më shumë frikë prej tyre, si konkurente, në jetën e saj private dhe sociale. Është lufta për mbijetesë. Tek ajo zhvillohen, ashtu si pa u ndier, disa cilësi negative si, arroganca, përçmimi dhe poshtërimi, ndaj llojit. Gradualisht tek ajo zhvillohet morali i dyfishtë, skllave para burrave dhe arrrogante me gratë. Kjo sjell luftën brenda llojit. Pra, lind fenomeni, gruaja kundër gruas.

 

Në shoqëritë patriarkale, femra, psikikisht, është plotësisht e varur nga psikika e burrit dhe kultura sociale. Në kulturën mashkullore, meshkujt, thuajse gjithnjë, ndiehen mirë ashtu siç janë, ndërsa femrat, thuajse gjithnjë, nuk ndiehen mirë ashtu siç janë dhe mundohen shumë që të jenë krejt ndryshe. Në princip kjo do të thotë, konkurencë, luftë brenda llojit.

Kjo konkurencë është shumë e lashtë, aq sa vetë gruaja. Me kalimin e kohës, ajo u rrrënjëzua aq thellë te gruaja, sa u programua në trurin e saj.

Dhe kjo natyrë konkuruese e femrës, në kulturat patriarkale, ka shkuar aq larg, në familje dhe jetën sociale, sa është kthyer në dhunë nga gruaja mbi gruan, edhe brenda familjes.

Në kulturën tonë, shqipfolëse, vihet re lufta e pasosur, midis vjehrrave dhe nuseve (rejave). Kur martohet djali, vështirë se dëgjon një vjehërr të thotë: U bëra dhe me një vajzë, por erdhi gruaja e huaj, dhe m’a mori djalin. Dhe djali vihet midis dy zjarreve, nënës dhe gruas.

Jo vetëm kaq. Burrat vërtetë i përgojojnë gratë, por përgojimet e grave nga gratë, nuk kanë fund. Nëse dëgjohet diku një shpifje për një grua, me siguri që atë e ka „prodhuar“ një grua tjetër. Të paktën në 90 për qind të rasteve.

Syri dhe veshi i gruas, për të kontrolluar gratë e tjera, kushdo qofshin ato, janë gjithmonë në përgjim.

Eshtë tragjik fakti, që në të shumtën e rasteve, gratë mbështesin krimin dhe kriminelin mashkull mbi gruan, dhe jo gruan, viktimë të dhunës. Gruaja viktimë varroset pa varr, ndërsa mashkullit kriminel, i ngrihet lapidar.

Kjo është kulturë e egër, barbare.

Perëndimorët, me plane dhe programe ekstra, mundohen të bëjnë diçka për çlirimin e gruas së botës së tretë, nga dhuna brenda llojit por, shpesh dështojnë. Dhe dështimi, kryesisht, vjen për faktin se vet gratë, nuk duan të jenë ndryshe nga ç’janë. Kur një psikolog perëndimor, në krye të nje grupi për Lirinë dhe emancipimin e gruas islame, u takua me një grup mjekesh dhe infermieresh në Riad, ato e fishkëllyen atë dhe iu kundërvunë:

Ç’punë keni ju të huajt me mënyrën se si vishemi ne, gratë myslimane? Çfarë ju hyn juve në punë kjo gjë? Mos vallë shamitë dhe perçet tona janë problemet më të mëdha botërore sot? i tha njëra nga ato.

Ndërsa një mjeke iu drejtua atij: -Ju mendoni se ne jemi viktima për faktin se mbulojmë flokët dhe mbajmë veshje për të mbuluar turpin? Ne mendojmë të kundërtën për gratë tuaja atje në Perëndim. Ne mendojmë se ato janë të dhunuara pasi ju i detyroni me dhunë që të zbulojnë trupin dhe të rrezikojnë jetën e tyre me operacione bukurie, që të bëhen sa më të pëlqyeshme për burrat.

Një tjetër ju drejtua atyre: E shikoni, kur ne jemi me njëra-tjetrën nxehemi në diskutimet mbi ligjet dhe normat. Është vërtetë qesharake që ne gratë saudioarabe nuk guxojmë të ulemi në timon. Por, këto janë problemet tona dhe jo tuajat. Ne nuk duam që dikush tjetër të luftojë për ne dhe mbi të gjitha, ne nuk e pranojmë mëshirën e të tjerve.

 Sipas filozofit egjiptian, Hamed Abdel-Samad thotë: „Në Arabinë Saudite, në 78 % të rasteve të synetisë së vajzave, vendosin gratë dhe jo burrat.

Dikur, shumica e grave të mbyllura në kafaz, e harrojnë botën jashtë kafazit dhe kujdesen vetëm për ushqimin e tyre, brenda kafazit. Vajzat bëhen synet, vullneti thyhet, intelekti sterilizohet. Diktatura krijohet në kokë“, thotë ai.

Sipas UNICEF-it (studim i vitit 2010) , në Egjipt, 85 për qind e vajzave bëhen synet. Këtë e bëjnë gratë, nëna vajzën e vet, dhe jo burrat.   

Në prill të vitit 2009, qeveria e Kabulit, nxori një seksligj sipas të cilit, gratë e martuara, detyrohen që, çdo tri ditë, të bëjnë seks me burrat e tyre, duan apo nuk duan. Gratë e levizjes feministe, edhe me mbështetjen e organizatave feministe nderkombëtare, organizuan një demonstratë paqësore në Kabul, kundër këtij ligji. Por, demonstrata përfundoi në perleshje dhe gjakderdhje pasi, përballë tyre u ngritën gratë antidemonstruese, për të shtypur gratë “rebele” që guxonin të ngrinin krye kundër ligjit dhe shtetit.

 Gruaja kundër gruas, nuk është fenomen vetëm në shoqërinë patriarkale dhe botën e tretë. Në mënyra të ndryshme dhe në masë të ndryshme, çdo shoqëri e përjeton atë. Është një problem universal.

Në shoqëritë e sotme, të ashtuquajtura demokratike, gruaja është e përçarë në “NE” dhe “ATO”, në të djathta dhe të majta. Në gra rozë, të kaltra, të zeza, të gjelbëra etj. Nga ana tjetër kemi grupet e organizuara të grave (shoqatat e grave) që përbëjnë lëvizjen për liritë dhe të drejtat e gruas, dhe shumicën tjetër të grave që presin rezultatet e këtyre lëvizjeve. Ato, në bashkëpunim me politikën, i atribuojnë vetes të drejtën e vendimmarrjes për të gjitha gratë. Askush nuk e di se, kush janë ato gra vendimmarrëse, sa të afta janë ato në rolin që kanë marrë përsipër, dhe sa autonome janë ato në vendimmarrjet e tyre nga politika.

Me ndryshimin e sistemit, pas viteve 90-të, edhe tek ne filloi lëvizja feministe me gra, të cilat formuan të ashtuquajturat shoqata për mbrojtjen, liritë dhe të drejtat e gruas. Shumë shpejtë u shuan nga diktati dhe dhuna e politikës. U bënë pjesë e politikës, duke u kthyer kështu në një zhgënjim të madh për gruan. Kjo ndoshta edhe për faktin se ato ishin gratë e gabuara, në të domosdoshmen historike.

Kush e drejton ekonominë? Kush e drejton politikën? Kush e dominon jetën sociale dhe atë familjare? Cila gjini e dhunon dhe vret tjetrën?

Besoj se përgjigjia është e qartë. Kudo është mashkulli, ndërsa femra, ashtu nëpër të.

Shoqëria jonë e sotme, karakterizohet pjesërisht nga patriarkaliteti, dhe masivisht nga mashkullizimi. Ky nuk është emancipim i gruas. Organizatat jo qeveritare, te ne, përbëhen nga njerëz që vuajnë për të dalë në dritat e skenës ose që janë vegla qorre të politikës. Njohuri mund të kenë të gjithë, por kjo nuk do te thotë se të gjithë e kanë aftësinë e të menduarit. Aty ku të gjithë mendojnë se jemi të aftë të mendojmë, nuk ka mendim. Mendimi është një dhuratë e natyrës e shpërndarë në mënyrë shumë të „padrejtë“ tek njerëzimi.

Aq kohë, sa gratë nuk do të bëjnë përpjekje për t’a ndriçuar trurin, për t‘u bashkuar dhe solidarizuar gruaja me gruan, në luftë kundër dhunës mashkullore, dhuna mbi ato, vetëm do të modernizohet, por nuk do të ndalet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat