Mbrojtja e fëmijëve nga politika

Sociale

Mbrojtja e fëmijëve nga politika

Nga: Lekë Imeraj Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 23:14
Lekë Imeraj

Tashmë jemi mësuar që në fushata elektorale, tribunat dhe paratribunat e partive politike, t’i shohim të mbushura me fëmijë. Dëgjojmë, që liderë të ndryshëm politikë, urdhërojnë edhe mbylljen e shkollave, për të mbushur sheshet dhe tribunat me fëmijë.

Në raste të tilla, dhe për çdo rast tjetër, kur politikanët i përziejnë fëmijët me politikë, të jep të kuptosh se ata nuk janë politikanë, por perversiteti i politikës.

Është paturpësi, e kundërligjshme, dhe akt kriminal, përzierja e fëmijëve në politikë.

Për mbrojtjen e fëmijëve, ka shumë ligje të posaçme, kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilët edhe një konventë ndërkombëtare, të cilën pushtetarët tanë të verbër nuk duan ta njohin. Të njëjtin vlerësim do t’u jepja edhe atyre drejtorë shkollash dhe trupave pedagogjike, që vetëm zbatojnë urdhra të tilla nga lart. Duhet t’i japim fund dhunës politike ndaj fëmijëve, dhunë e cila vjen nga politikanët sharlatanë, mashtrues, gënjeshtarë, shpifës, të cilët, të maskuar pas maskave të ndryshme politike, kujtohen për nxënësit dhe studentët, vetëm një herë në katër vjet, kur iu duhen për të mbushur sheshet dhe tribunat në fushatë elektorale. Këta të pafytyrë, edhe fëmijët mundohen t’i përçajnë, si në kohën e diktaturës, në blu dhe rozë.

Nënkoshienca e adoleshentëve nuk është në gjendje që ta kuptojë dhe përpunojë një “parim” të tillë të politikës. Në shumë raste kjo sjell konflikte të ashpra midis të rinjve, në familje, në shkolla, në grupe dhe kudo.

Psikika e adoleshentëve nuk është formuar deri në atë masë sa të mund t’i rezistojë dhunës emocionale që shkaktojnë fjalimet e liderëve politikë nga tribunat e mitingjeve.

Shkalla e ndërgjegjësimit të adoleshentëve, për arsye të mungesës së përvojës dhe të njohjes, nuk është në gjendje që të bëjë dallimin midis të rëndësishmes, të zakonshmes dhe normales. Në shumë raste ata, atë që është fare e zakonshme dhe e parëndësishme, por që politikanët e bëjnë nga më të rëndësishmet, e marrin jo vetëm si shumë të rëndësishme, por edhe jetike.

Kjo mund të sjellë pasoja të rënda, psikike dhe shpirtërore tek adoleshentët.

Nga propaganda urryese e partive politike, ndaj kundërshtarit të vet, ata mësojnë që ta shikojnë dhe vlerësojnë ligësinë me ngjyra, duke u përçarë në militantë, të partive politike.

Sistemi i vetëmbrojtjes tek adoleshentët, nuk është i pajisur akoma me elementet e nevojshme që të përballojë dhunën e makinës së rëndë politike.

Të menduarit dhe të arsyetuarit tek ata, nuk janë formuar deri në atë shkallë, sa të jenë në gjendje të bëjnë “sitjen” e pallavrave të politikanëve nga tribunat, nëse ato janë të vërteta, të nevojshme dhe të mira. Në të shumtën e rasteve, premtimet e politikanëve nuk janë gjë tjetër veçse gënjeshtra, shpifje dhe mashtrime. Ato nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën, me të drejtat dhe lirinë e personit, as me nevojat e njerëzve dhe as me mirëqenien e tyre. Nëse adoleshentët do t’i marrin këto për të vërteta, do të zhgënjehen, do të përjetojnë konflikte dhe kriza.

Është fare e natyrshme që midis dy liderëve politikë, një adoleshent të shkojë pas atij që premton shumë, dhe jo pas atij që qëndron më afër së vërtetës me premtimet e tij. Fundi do të jetë zhgënjimi.

Detyrë numër një e propagandës së makinerisë së rëndë të politikës është, që të shpëlajë trurin e njerëzve, me qëllim që të besojnë dhe të shkojnë pas një lideri mashtrues. Kjo propagandë mundohet që të gjithë njerëzit t’i bëjë skllevër të një force të caktuar politike dhe të liderit të saj.

Shkollat dhe universitetet duhet të depolitizohen dhe departizohen. Shkolla e politizuar prodhon vetëm merioneta politike, dhe jo të ardhmen e kombit.

Mësueset dhe profesorët e politizuar, janë rreziku potencial në shkolla dhe universitete.

Shumë prindër, vazhdojnë ta mbajnë helmin dhe urrejtjen e tyre brenda vetes, por jo për veten e tyre. Ata ua përcjellin fëmijëve të tyre, duke helmuar psikikën dhe shpirtin e tyre, duke i shndërruar në të vet burgosur të përjetshëm.

Babai i mirë, i zgjidh vetë konfliktet me të tjerët, jashtë mureve të shtëpisë. Ai nuk çon sherre në shtëpi, nuk mbjell dhe trashëgon urrejtje te pasardhësit e vet.

Ne jemi një popull i vogël, aq sa të gjithë, diku dhe në njëfarë mënyre, jemi të lidhur me të gjithë, pavarësisht nga bindjet politike, besimet fetare dhe prejardhja krahinore.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat