Të ndihmohen familjet me faturimin e energjisë elektrike

Sociale

Të ndihmohen familjet me faturimin e energjisë elektrike

Ahmet Pllana Nga Ahmet Pllana Më 25 dhjetor 2020 Në ora: 21:41
Foto ilustrim

U bënë nëntë muaj e gjysëm, prej 15 marsit 2020 e deri më tani në prag të Vitit të Ri 2021, kur edhe ne në Kosovë jemi ballafaqur me një krizë shëndetësore, sikurse në gjithë botën për shkak të përhapjes së virusit korona. Pandemia nga virusi korona ka imponuar marrjen e masave kufizuese nga ana e qeverisë dhe institucioneve përkatëse.

Masat janë marrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve dhe pasojat të jenë sa më të vogla, si dhe vdekjet të jenë sa më të pakta. Izolimi në shtëpi, moslejimi i tubimeve dhe mbyllja dhe shkurtimi i orareve i lokaleve biznesore, mbetja e një numri të punëtorëve pa punë, ka bërë që të bjerë ekonomia në nivel vendi në një shkallë më të ulët.

Nga kjo situatë e krijuar, qeveria ka ndërmarrë masa shtesë për rimëkëmbje ekonomike, duke i mbështetur bizneset financiarisht me një pako emergjente. Pakoja emergjente për rimëkëmbje ekonomike prej 365 milionë eurosh është majft e mirë dhe e mirëseardhur për bizneset, por edhe për ekonominë e vendit.

Pakoja bën që mos të falimentojnë shumë biznese, ndonëse ka të tilla që tashmë kanë falimentuar dhe vështirë se do ta marrin veten përsëri. Ndihma nga kjo pako është shumë e mirëseardhur për bizneset, të cilat e kanë mirëpritur, por edhe për ekonominë e vendit.

Tani çështja është në realizimin e këtij projekti të madh që mos të bëhen vonesa dhe trajtime të paduhura në procedura. Mendoj që në këtë kohë pandemie, jo vetëm bizneset, por edhe familjet duhet të ndihmohen.

Kjo do të arrihej nëse familjeve, energjia elektrike e shpenzuar në këta tre muaj të dimrit t’u faturohet me një përqindje më të ulët dhe jo me tarifën e dimrit, siç po ndodhë për çdo vit.

Futja e tarifës së dimrit, përkatësisht faturat e larta të energjisë elektrike do të ndikonin shumë keq tek familjet, gjegjësisht tek qytetarët. Faturimi i energjisë elektrike siç po ndodhë, rëndom bëhet një muaj përpara, ende pa u shpenzuar energjia elektrike dhe ende pa u ditur se sa ka shpenzuar një familje.

Kjo tregon se faturimi bëhet paushall, ndërsa faturimi paushall, që i bie se familja paguan para ‘kesh’ para se të shpenzohet energjia elektrike. Sipas rregullave të Zyrës së Rregullatorit për Energji elektrike, nuk lejohet faturimi paushall.

Faturimi duhet të bëhet pasi të përfundojë muaji dhe pasi të merren numrat e orës digjitale se sa është shpenzuar energji elektrike dhe duke u bazuar në këtë të shtypen faturat dhe t’u shpërndahen familjeve, përkatësisht konsumatorëve.

Për shembull, për muajin dhjetor faturat e energjisë elektrike do të duhej të shpërndaheshin në muajin janar, prej datës 10 janar deri më 20 janar, kurse pagesa të bëhej në muajin janar prej datës 20 janar deri më 31 janar. Dhe jo për muajin janar të vjen fatura në muajin dhjetor dhe të paguhet në muajin dhjetor.

Kjo nuk është në rregull dhe është jo njerëzore dhe jashtë çdo norme në ekonominë e tregut, duke u shkelur në këtë mënyrë të drejtat e konsumatorit. Prandaj, edhe në këtë aspekt do të ishte mirë që qeveria të mendojë dhe të merr masa për shkak të pandemisë për t’i ndihmuar qytetarët, sepse jemi në një gjendje të vështirë me rënien ekonomike.

Mbetemi me shpresë që qeveria e vendit në bashkëpunim me KEDS-in dhe KEK-un, të kenë mirëkuptim dhe t’u dalin në ndihmë familjeve, duke ua lehtësuar faturat me mospërfshirjen e përqindjes së tarifës dimërore në faturim, por edhe ulje të përgjithshme të përqindjeve tatifore.

Ndërkaq, falja për tre muaj do të ishte një hap dhe një masë edhe më e mirë, e cila do të ishte jashtëzakonisht e mirëseardhur. Mirëpo, për këtë mund të bëhen analiza nga ana e institucioneve përkatëse që mundësisht të ndihmohen familjet në faturimin e energjisë elektrike.

Në këtë drejtim të merret vendimi, sikurse që është marrë vendimi për Pakon emergjente për rimëkëmbje ekonomike, ngase edhe kjo masë me faturimin e energjisë elektrike do të ndikojë drejtpërdrejtë në ndihmë familjeve, por edhe në rimëkëmbje ekonomike.

Rimbëkëmbja ekonomike bëhet edhe në këtë mënyrë, me faturimin me përqindje të ulëta, pa tarifë dimërore dhe tarifa tjera shtesë apo me faljen për tre muaj të dimrit, duke i ndihmuar kështu familjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat