"Jeta së bashku është më e lehtë"

Sociale

"Jeta së bashku është më e lehtë"

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 22:41
Lleposava Stojanoviq (djathtas) dhe Afërdita Bojniku (majtas) shpresojnë që të gjithë banorët e barakave të vendosen së bashku në një lokacion të ri banimi.

Lleposava Stojanoviq dhe Afërdita Bojniku, do t’i presin festat e fundvitit në barakat që gjenden në kampusin e Universitetit të Prishtinës, të cilat është dashur të shemben në fillim të dhjetorit. Në atë zonë do të ndërtohet parkingu nëntokësor.

Në hapësirën e kampusit të Universitetit të Prishtinës, që gjendet në qendër të kryeqytetit të Kosovës, jetojnë 14 familje, shqiptare dhe serbe, në baraka, shumicës e të cilave i kanë marrë për shfrytëzim nga Qendra e Studentëve rreth 50 vjet më parë.

Parkingu nëntokësor në qendër të Prishtinës po ndërtohet nga komuna dhe është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Sipas projektit, parkingu do shtrihet mbi 23.000 metra katrorë me rreth 700 hapësira parkimi.

Kjo është arsyeja pse autoritetet lokale u kërkuan qiramarrësve të barakave, të cilët janë të vendosur në vendin ku po ndërtohet parkimi, të largohen deri në 1 dhjetor. Por, kjo ende nuk ka ndodhur për shkak se ende nuk është gjetur një zgjidhje për strehimin e këtyre familjeve, ndonëse punimet për ndërtimin e parkingut kanë vazhduar.

Premtimi i papërmbushur

Koha e ka bërë të veten dhe barakat vit pas viti janë dëmtuar. Banorët nuk e kundërshtojnë rrënimin e barakave, por kërkojnë që t’u sigurohen banesa sepse nuk kanë se ku të shkojnë.

Lleposava Stojanoviq, 86-vjeçare, thotë që zgjidhja për problemin e tyre, është gjetur.

“Ata premtuan që do të gjenin apartamente, që ne të jetojmë privatisht, derisa ata të ndërtojnë ndërtesën. Shpendi (Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës) premtoi që do ta gjejë lokacionin dhe vetëm po e pret Jevtiqin (Dallibor Jevtiq, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim) që të japë paratë për ndërtimin e objektit dhe të gjithë ne që kemi jetuar këtu, të banojmë aty”, thotë Stojanoviq.

Edhe Afërdita Bojniku shpreson që në fillim të janarit të vitit të ardhshëm, institucionet kompetente do t’i përmbushin premtimet e tyre dhe se i pret një e ardhme më e mirë dhe më e sigurt.

“Shpresoj nga pak, por nuk jam e sigurt. Kështu na thanë, por a do të jetë ashtu?”, pyet Afërdita dhe shton:

“Kanë ardhur, na i kanë marrë emrat. Na kanë dhënë një farë shprese, vetëm të mos jetë e rrejshme. Po na ngarkojnë kështu. Asgjë nuk është pandemia në krahasim me këtë që na ka gjetur”, thotë Afërdita, ndërkaq që fqinja e saj Lleposava ndërlidhet duke thënë: “Tash është Viti i Ri, fund, nuk ka buxhet. Na thanë ‘të ,mos fillojmë tash dhe ta ndërpresim’”.

Ministria për Komunitete dhe Kthim, deri në publikimin e këtij teksti, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, se a është arritur vërtet një zgjidhje për banorët e barakave.

Por, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sqaron që aktualisht janë në zhvillim e sipër bisedimet ndërmjet autoriteteve lokale dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

“Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me këtë çështje sepse do të ndërrohet qeveria, por Ministria për Komunitete dhe Kthim ka thënë që do të ndërtojë shtëpitë ose banesat në qoftë se ne ua japim tokën. Unë ju kam thënë që nuk do të ketë problem për këtë, por megjithatë, mendoj që Komuna e Prishtinës do të jetë ajo që do të gjejë zgjidhjen”, theksoi Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi që rreth 50 familje i kanë vendimet për shfrytëzimin e atyre barakave, por siç ka thënë ai, do të bëhen përpjekje që çështja e banimit të zgjidhet për të gjithë dhe se askush nuk do të zhvendoset dhunshëm.

“Në disa herë kemi tentuar që ta zgjidhim këtë problem, por me ligj jemi të kufizuar, sepse ekziston ligji për financimin e banimit special. Unë kam propozuar që t’u paguajmë qiranë derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme, derisa të mos ndërtohen banesat ose derisa në (komuna) të mos marrim aprovimin nga qeveria se mund të bëjmë diçka më shumë”, tha Ahmeti.

Banuesit nuk dëshirojnë të ndahen

Lleposava dhe Afërdita thonë se ato gjithmonë kanë këmbëngulur në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjithë, domethënë që pas gjysmë shekulli bashkëjetese, të mos i ndajnë tash.

“Të gjithë kemi kërkuar që të na e ndërtojnë ndërtesën ashtu që të mund të jetojmë të gjithë së bashku, sepse nëse na shpërndajnë nëpër ndërtesa të ndryshme, nuk e di se me kë po banon. Kështu, kur jemi së bashku të gjithë, do të jetë më e lehtë, sepse ne këtu kemi jetuar mirë të gjithë", shprehet Lleposava Stojanoviq, një nga serbet e rralla, e cila që nga viti 1999, gjatë gjithë kohës, ka jetuar në qendër të Prishtinës.

Ajo thotë që asnjëherë nuk i ka shkuar ndërmend që të largohet dhe me këmbëngulje i ka refuzuar të gjitha ofertat që t’i ndërtojnë një shtëpi në territorin e Graçanicës, e cila është e banuar me shumicë serbe.

“Unë kam thënë që nuk largohem e gjallë nga Prishtina”, rrëfen Lleposava.

Vazhdimësisë së jetesës së përbashkët fqinjësore i gëzohet me sinqeritet edhe Afërdita Bojniku.

“Për ne është mjaft domethënëse që të jemi bashkë, sepse kur njeriu ka ndonjë brengë ose çfarëdo qoftë, këtu janë fqinjët”, tha Afërdita.

Ajo shtoi që për vite të tëra i kanë ndarë së bashku momentet e mira dhe të këqija.

“Kur më vdiq nëna, unë së pari vrapova te tezja Mile (Lleposava). Ajo ka qenë këtu me mua për të gjitha, si një nënë”, thotë Afërdita.

Edhe Lleposava ka përjetuar tragjeditë, kur brenda një viti i vdiqën djali dhe vajza. Ajo i ka pesë nipa e mbesa që i jetojnë në Serbi, por fqinjët e saj të parë i kanë qëndruar gjithmonë afër për ta ndihmuar, t’i ofrojnë mbështetje dhe ta ngushëllojnë.

“Fqinjët e mi, këta i kam më të rëndësishmit. Asnjëherë nuk kanë shkuar në dyqan e të mos më pyesin se a kam nevojë për ndonjë gjë”, thotë Lleposava dhe shton që ka pasur mjaft momente të bukura që kanë ndarë së bashku.

“Këtu i kam lindur fëmijët. Janë rritur të gjithë së bashku. Deri në 12 të natës fëmijët luanin bashkë dhe kemi qenë një familje. Djalin e kam martuar këtu, me 350 krushqi. Edhe festat i presim të gjithë së bashku. Kur ata kanë Bajram, në nuk ndahemi. Edhe kur është Krishtlindja. Ja, le të thonë, në mbrëmje të Krishtlindjes unë i thërras që të darkojmë së bashku. Në ditën e Krishtlindjes tek unë vjen djali i saj që është student”, thotë Lleposava.

Ato kanë ripërsëritur se nuk do të heqin dorë nga ajo që u është premtuar, pra, që edhe pas shembjes së barakave, të katërmbëdhjetë familjet të jetojnë nën një çati./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat