Studimi: Ndryshimi nuk ndodh brenda natës, si shkojnë tek suksesi lëvizjet sociale

Sociale

Studimi: Ndryshimi nuk ndodh brenda natës, si shkojnë tek suksesi lëvizjet sociale

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 16:33
Foto ilustruese

Njëra ka nisur nga një fëmijë në shkollë dhe pankarta e saj; tjetra pasi u bë virale në rrjet si një hashtag. Vite më vonë, këto lëvizje të fuqishme sociale- që kërkojnë veprime konkrete kundër ndryshimit të klimës dhe drejtësi racore – janë në aktivitet të plotë, me miliona njerëz që ngrenë zërin në mbështetje të kësaj kauze.

Ndërsa nëngrupet e komuniteteve, kanë ngritur zërin e tyre në protestë përgjatë gjithë historisë, gjërat tani janë ndryshe. SHBA-ja nuk ka përjetuar më parë shifra kaq të larta të pjesëmarrjes sa në lëvizjet aktuale. Gjë që i bën studiuesit të pyesin se si lëvizjet shoqërore të shekullit XXI, kanë sukses në nxitjen e ndryshimeve sociale.

Tani, një analizë e re që ofron njohuri mbi hulumtimin e sjelljes së konsumatorit, sugjeron se fushatat më efektive fillojnë si lëvizje të vogla, duke i shndërruar lidhjet lokale, në rrjete më të mëdha përmes organizimit dhe ndikimit shoqëror.

Është më se e qartë se ku fillojnë lëvizjet – me një shqetësim të përbashkët midis mbështetësve për një çështje të veçantë, shoqëruar me urgjencën për të ndërmarrë ndryshime. “Në thelbin e tyre, lëvizjet sociale ecin përpara kur njerëzit veprojnë kolektivisht, duke u solidarizuar me një qëllim të përbashkët për të adresuar padrejtësinë dhe pabarazinë”- shkruajnë studiuesit në punimin e tyre.

“Megjithatë, ndodh shpesh që ne ndërgjegjësohemi për këto lëvizje, vetëm kur misioni i tyre është afër fundit, kur zërat që bërtasin për drejtësi sociale arrijnë kulmin e tyre, dhe kur lëvizja është bërë shumë e përhapur”- theksojnë ata.

Po si ka mundësi që lëvizjet shoqërore që mobilizojnë njerëz që në ditët e para, ndërtojnë një masë kritike, ruajnë vrullin e tyre dhe arrijnë ndryshime domethënëse? Si e shndërrojnë ato shqetësimin e përbashkët të njerëzve, në një angazhim goxha ta madh?

Në këtë rast, psikologjia e konsumatorit njeh fuqinë e ndikimit shoqëror, ku një person mund të ndikojë tek bindjet dhe sjelljet e një personi tjetër. Gjatë viteve të kaluara, historianë, sociologë, antropologë dhe politologë kanë analizuar të gjitha elementët, që e bëjnë të suksesshme një lëvizje shoqërore.

Ndërsa analiza e re përdori elementët e sjelljes së konsumatorit, për të kuptuar arsyen pse disa lëvizje ngrihen dhe arrijnë synimet, dhe pse shumë të tjera dështojnë. Studimi i fundit u drejtua nga ekspertja e marketingut Gia Nardini nga Universiteti i Denverit në shtetin e Kolorados, SHBA, që më parë ka shqyrtuar sesi sipërmarrësit e suksesshëm socialë, kanë zgjeruar dhe forcuar organizatat e tyre.

Ajo u përqëndrua mbi mënyrën se si lëvizjet i kthejnë “spektatoët” që e shohin në fillim nga larg lëvizjen, në “kryengritës”, të cilët janë të prirur të kontribuojnë, duke analizuar posaçërisht protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” në SHBA.

Analizimi i tyre, zbuloi se lëvizjet e suksesshme janë në gjendje që t’i lidhin njerëzit me kauzën dhe me njëri-tjetrin, edhe përpara se ata të krijojnë një rrjet për të zgjeruar ndikimin e  tyre. Sipas bashkëthemeluesit të lëvizjes “Black Lives Matter”, Patris Kulors, parimet e këtyre lëvizjeve bëjnë bashkë “shokët, aleatët dhe familjen në një grupim, ku secili person ndihet i dukshëm, i dëgjuar dhe i mbështetur”, dhe ku respektohen si dallimet, ashtu edhe të përbashkëtat”.

“Individë që nuk kishin marrë kurrë më parë pjesë në protesta, dhe që nuk mund ta imagjinonin veten se do të ndiheshin të detyruar të përfshiheshin në lëvizje, e bënë këtë gjë” shtuan studiuesit, ndoshta pasi ndiheshin të mbështetur për ta bërë këtë, ose të detyruar nga një ndjenjë përgjegjësie.

Duke parë studimin e sjelljes së konsumatorit, autorët gjithashtu vunë re se si lëvizjet duhet të vendosin ekuilibrin e duhur me mesazhet e tyre emocionale, pasi kjo i ndihmon “spektatorët” të bëhen pjesë e një lëvizjeje. Ndërsa zemërimi ndaj padrejtësisë i motivon disa njerëz, të tjerët duhet të dëgjojnë mesazhe shprese dhe përparimi, për ta kapërcyer frikën ekzistenciale që mund të ndiejnë.

Për shembull, përballë një të ardhme të frikshme për shkak të ndryshimit të klimës. Studimet sugjerojnë që kjo qasje, siguron mbështetje më të gjerë sociale dhe nxit veprime. Këtu, një faktor kyç është edhe lidershipi. Por lëvizja “Black Lives Matter“ i motivoi mbështetësit në një mënyrë tjetër nga lëvizja amerikane për të drejtat civile e viteve 1960, e cila u tubua pas aktivistit social Martin Luter King, dhe figurave të tjera kryesore.

Nardini thotë se që nga viti 2013, udhëheqësit e lëvizjes “Black Lives Matter” i kanë fuqizuar të tjerët të drejtojnë komunitetet e tyre. “Ata e njohin fuqinë e komuniteteve lokale, dhe ata i fuqizuan ato komunitete”- thekson ajo. Gjithsesi ndryshimi nuk ndodh brenda natës, dhe mbështetësit duhet të jenë gati për një angazhim afatgjatë.

Lëvizjet shoqërore priren të rriten dhe të zbehen, në atë që studiuesi i lëvizjes sociale Sidni Tarrou e quan “cikël të protesës”. “Është e lehtë të ndihesh i demotivuar nga mungesa e progresit apo nga ngadalësia e progresit”- thotë Nardini.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që pjesëmarrësit ta dinë se procesi mund të jetë i gjatë ose i mundimshëm”- shton ai. Lëvizjet e suksesshme i motivojnë njerëzit nga poshtë-lart, dhe siç ka sugjeruar një studim tjetër, ato kërkojnë ndryshime duke lobuar më tepër në sferat shoqërore të shoqërisë, sesa duke synuar segmente të qeverisë. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat