Historia e gruas nga Hasi: Lash burrin dhe fëmijët pas për të punuar infermiere në Gjermani

Sociale

Historia e gruas nga Hasi: Lash burrin dhe fëmijët pas për të punuar infermiere në Gjermani

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 15:16
Ilustrim

Me sy të përhumbur nga lodhja, paksa e zbehtë në fytyrë dhe veshur me bluzën e bardhë, atë mund ta gjesh duke i ardhur në ndihmë pacientëve në një prej spitaleve të Frankfurtit në Gjermani. E vetme ka zgjedhur të jetojë në një dhomë të vogël, me kokën pas nga dy fëmijët e saj e bashkëshorti që jetojnë në Has të Shqipërisë.

Ajo quhet Antigona Mazrreku e në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” rrëfen gjithë rrugëtimin e saj për të punuar si infermiere në shtetin gjerman. Paga e pamjaftueshme në Shqipëri e vështirësitë ekonomike e detyruan të largohej nga familja e të niste një jetë krejtësisht të re. Më tej, 28 vjeçarja nga Hasi tregon se është e kënaqur nga jetesa në Gjermani e kushtet e jetesës, por ajo çka e vret paksa është malli për familjen e mungesa e tyre.

Sa vjeç jeni dhe cili është profesioni juaj?
Unë jam 28 vjeç dhe në vitin 2009-2012 kam ndjekur studimet për degën Infermieri e Përgjithshme në Fakultetin e Infermierisë së Përgjithshme, filiali i Kukësit, pjesë e Universitetit të Tiranës.

A e keni ushtruar profesionin e infermieres në Shqipëri?
Normalisht që po! Kam arritur të ushtroj profesionin tim si infermiere për 4 vite në poliklinikën e Hasit ku mbuloja sektorin e Check-up-it. Por pavarësisht punës së palodhur si infermiere, paga ime ishte shumë e ulët, vetëm 325 mijë lekë të vjetra në muaj.

Pra, ishin kushtet ekonomike që iu detyruan të largoheshit nga Shqipëria?
Po, isha e pakënaqur me pagën dhe këto të ardhura nuk më mjaftonin.
Unë jetoja me bashkëshortin, prindërit e tij, si dhe me dy fëmijët e mi e fatmirësisht shtëpia është e jona, por shpenzimet e tjera ishte shumë e vështirë që t’i mbuloja në një kohë që im shoq ishte i papunë. Kështu që e gjithë kjo situatë e vështirë më bëri që të lija familjen time dhe të merrja vendimin për të shkuar në Gjermani e për të provuar fatin aty.

Pse pikërisht zgjodhët Gjermaninë?
Kisha shumë kohë që po mendoja të shkoja në Gjermani për të punuar meqenëse kam qenë edhe më përpara dhe më pëlqen si vend. Në internet shpeshherë kontrolloja në faqe të ndryshme që ofronin punësim për infermierë në Gjermani. Por një ditë një kolegia ime e punës më bëri me dije se kishte parë një njoftim nga Auxila Academy, agjenci punësimi që operon vetëm në shtetin gjerman. Kështu që kontaktova me këtë agjenci dhe mu përgjigj një djalë shqiptar nga Gramshi, i cili më ndihmoi jashtëzakonisht shumë me gjithë procedurat, madje deri me biletën e avionit.

Cilat janë hapat që ndoqët deri në momentin e përzgjedhjes?
Pasi aplikova, nuk vonoi shumë përgjigjja dhe më kërkuan skanimin e diplomës, listën e notave, licencën e ushtrimit të profesionit si dhe plan programin e shkollës. Pas kësaj më kthyen përgjigje me email e bëra përkthimin e noterizimin e dokumentacionit që më kishin kërkuar mora kontratën e punës në Gjermani.

A ishte kusht i domosdoshëm gjuha e mbrojtur gjermane?
Unë në Tiranë kisha bërë disa kurse gjermanishteje e kisha arritur ta mbroja në nivelin B1. Vlen të theksoj faktin që gjuha këtu në Gjermani nuk është kusht i domosdoshëm pasi mund të përzgjidhesh e pranohesh edhe në rastin kur nuk e di fare gjermanishten. Gjithsesi unë në datën 4 shtator 2017 u nisa në Gjermani ku bëra kursin e gjuhës që kushtonte 450 euro për 4 nivele deri në B2, ku në këtë tarifë ishin të përfshira edhe akomodimi, ushqimi dhe taksa e provimit nga Telc. Në 4 nëntor jam kthyer sërish në Shqipëri ku kam pritur përgjigjen përfundimtare nga ambasada gjermane, ku në dhjetor mora përgjigje pozitive.

Sa shkuan shpenzimet në total në momentin që u nisët për Gjermani?
Shpenzimet në total kanë arritur shifrën 600 euro dhe në 27 janar 2018, pas aprovimit të ambasadës gjermane, u nisa sërish ku arrita së pari në Shtutgart e qëndrova për 2 ditë te disa të afërmit e mi, ndërsa në 29 janar të këtij viti kam qenë në Frankfurt, qyteti në të cilin edhe punoj…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat