Jetë e vështirë e romëve në Plemetin

Sociale

Jetë e vështirë e romëve në Plemetin

Më: 8 prill 2018 Në ora: 17:29
ilustrim

12 familje të komunitetit RAE ende jetojnë në barakat që ndodhen në Plemetin të Obiliqit.

Në këto baraka jetojnë edhe 68 fëmijë nën moshën 13 vjeqare që po rriten në kushte të tmerrshme për jetë.

Në këto baraka jetojnë edhe familja e Ibrahim Gashit dhe Shaip Kurta.

Në këto baraka mungon gjithqka, dyer të shkatërruara, pa dritare dhe pa dysheme.

Puna kryesore që bëjnë këta banorë është mbledhja e kanaqeve dhe shisheve të plastikës.

Edhe sot në Ditën Ndërkombëtare të Romëve për të mbledhë kanaqe me shitjen e të cilave sigurohet buka e gojës është edhe gruaja e Ibrahim Gashit. Ajo mungonte në shtëpi pasi që me katër fëmijë kishte shkuar në kryeqytet për “të punuar” në mënyrë që të sigurojë të holla për familjen 13 anëtarëshe.

I zoti i shtëpisë Ibrahimi kishte mbetur në shtëpinë barakë për t’i ruajtur 6 fëmijët tjerë.

Ai ankohet se dikush po  përfiton në kurriz të pjesës tjëtër që jeton në kushte tejet të vështira, siç është edhe gjendja e familjes së tij aktualisht.

Gashi: E shoqja ka shkuar me katër djem nëpër kanta me tubu ndonjë lemenk

"Vet i 13-ti jam me fëmijë. Qe çfarë jete kemi ne... Qe e shoqja ka shkuar me katër djem nëpër kanta me tubu ndonjë lemenk ose najsen e me pru me hangër e me pi. Se këtu janë shumë. Bajrush Berisha(kryetari i lagjes) nuk e di se çfarë po bën atje me Xhafer Gashin(kryetarin e komunës). Po na rren. Qe ku e ka Mercedesin”, thotë Gashi.

Vajzat dhe djemtë e tij që po qëndronin aty kishin një shikim plot dritë, ndonëse shumica prej tyre nuk vijojnë as mësimet.

Ndërsa  babai i tyre  vazhdon të tregojë se sa e vështirë është të rrisësh fëmijë në rrethana të tilla të vështira, duke mos mundur t’u plotësojë as nevojat më elementare.  Teksa shfryen mllefin e tij ndaj udhëheqësve për të cilët thotë se duhet të shkojnë t’i vizitojnë për t’iu ndihmuar të dalin nga ai vend.

Gashi: Nuk kemi as sapunë për t’u larë

"Fëmija po lypin me hangër e me pi. S'kena qysh me i çu fëmijët në shkollë. Qe a çohet kështu fëmija në shkollë. A çohet zdralan fëmija në shkollë. Si te serbët si te shqiptarët, duhet më u la e me u shpërla. Kur shkojnë të serbët ose shqiptarët, thonë : eh,po të vjen era’. Na nuk kemi as sapunë motra jem. Po Hashim Thaçi, Haradinaj le të vijnë me fol me mua. Këqyrni çfarë jete kemi", rrëfen ai.

Si rezultat, fëmijët rrinë kryesisht në rrugë, pa shkuar në shkollë, ndërsa mblidhen para rrugëve, duke pritur që dikush t’iu zgjasë dorën për t’iu dhënë ndonjë cent.

Kurse pakënaqësinë me politikanët e shfaqin edhe banorët e tjerë.

Milaim Fazliu, përfaqësues i barakave thotë se këta të fundit përkundër premtimeve të tyre të bukura, asgjë nuk kanë bërë për ta.

Madje përkundër deklaratave të qeveritarëve se Kosova më nuk ka ndonjë kamp, Fazliu thotë se kampi në Plemetin ekziston tash e 19 vite, edhe në kushte shumë të vështira.

Fazliu: Kampi në Plemetin ekziston hala

"Kushtet për momentin janë katastrofale. Siç po e shihni edhe vet si me qenë llogore. Këtu jetojnë gjinja prej 99-ës, qe 19 vite. Sa i përket komunës, komuna nuk merr parasysh kurrgjë hiç. Qe 19 vite nuk ka marrë. As Qeveria. Qeveria e ka cekë që më nuk ka kamp në Kosovë. Kampi në Plemetin ekziston hala, siç po e shihni edhe vet... Në shekullin 21, me e marrë lopën e me e shti brenda, pasha Zotin 5 minuta nuk jeton aty, e le që jetojnë njerëzit në ta. Së pari, nuk kemi kontenjera ku me e gjujtë bërllogun. Po e marrim bërllokun e gjujmë mbas barakave. Se përpara tmerr ka qenë këtu. E kemi marrë e kemi pastruar këtu përpara se tash vera, edhe nxehtë edhe bërlloku, kjo është për me marr epidemi. Këtu ka kallaballëk fëmijë", tha Fazliu.

E sot kur kremtohet Dita Ndërkombëtare e Romëve, Habib Gashi banor i Plemetinit ka përkujtuar rëndësinë e kësaj dite duke thënë se dikush duhet t’i ndihmojë ata.

Ai thotë se edhe komuniteti rom duhet t’i gëzojë të drejtat e veta, derisa thekson se ata nuk kanë as kushtet elementare për të jetuar.

E ajo që e bënë edhe më të vështirë jetën e tyre, Gashi thotë të jetë edhe fakti se nuk kanë ndonjë vend tjetër ku të jetojnë.

Gashi: Ne shtet rezervë nuk kemi

"Secili komunitet e ka festën e vet. Edhe ne jemi pjesë e Republikës të Kosovës dhe jetojmë në këtë shtet. Ne shtet rezervë nuk kemi... Jeta e komunitetit ashkali, rom dhe egjiptian është shumë e vështirë. Kështu që ne ma shumë i shohim fëmijët tonë nëpër kontejnerë të Prishtinës duke jetuar për një kafshore bukë, se sociali i Republikës të Kosovës nuk mjafton sepse ka 10-15 anëtarë me një shtëpi. Ajo nuk mjafton vetëm shpenzimet komunale me i pagu", thotë Gashi.

Megjithatë banorët rom të Plemetinit i mban shpresa. Ata besojnë se një ditë dikush do t’i ndihmojë të dalin nga kushtet ekstreme në të cilat sot jetojnë dhe se herdokur popujt e tjerë do t’i shohin më miqësisht.

Ndryshe, romët janë një grup etnik që jeton kryesisht në Evropë, dhe ka prejardhjen nga India. Gjenetika dhe gjuhësia tregojnë se romët kanë një prejardhje nga popuj që sot janë në zonën mes Indisë dhe Pakistanit. Burimet historike tregojnë se romët mbërritën në Ballkan dhe Evropën Qendrore rreth shekujve 13-14. Ndërsa ardhja e tyre në Evropë nuk u prit mirë, dhe vendasit krijuan ndjenja urrejtje dhe intolerance ndaj kësaj popullsie nomade.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat