Rrëfimi prekës: President me faljen e vrasësit të vëllait tim, ma more atë për herën e dytë

Sociale

Rrëfimi prekës: President me faljen e vrasësit të vëllait tim, ma more atë për herën e dytë

Nga: H.O. Më: 16 prill 2018 Në ora: 14:32
Alban Kastrati

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka shpallur një dekret për falje për 14 të dënuar që  vuanin dënimin në Burgun e Dubravës.

Në mesin e të burgosurve të falur nga Presidenti është edhe Kadri (Mehmet) Krasniqi, i lindur në Prizren, më 05.04.1958, të cilit i është falur pjesa e mbetur e dënimit.

Ai vuante dënimin për vrasjen e Alban Kastratit.  

Rreth 7 vite më parë kishte ndodhur vrasja e Alban Kastratit, një të riu nga Prishtina. Vrasja kishte ndodhur tek parkingu i ndërmarrjes “Ramiz Sadiku”.

Siç raportohej në media, vrasja kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes anëtarëve të familjeve Krasniqi e Kastrati, e cila më 24 shtator 2011 eskaloi në përleshje ku u përdorën edhe armë, ndërsa nga plumbat vdiq Alban Kastrati 24 vjeç.

Motra e tij, Enkeleda Kastrati ka rrëfyer për gazetën “Bota sot”, se si i ishte vrarë vëllai, duke shprehur revoltën ndaj vendimit të Presidentit, për faljen e vrasësit.

Enkeleda tregon se si vëllai i saj, ishte duke u kthyer nga namazi i xhumasë, kur gjeti vdekjen nga tre plumbat e vrasësit të tij, që ajo thotë se e njohin mirë, madje jetojnë në një lagje.

Ajo tregon se familjen e vrasësit i sheh shpesh, e madje shpesh edhe merr provokime nga ta.

Mirëpo, shprehet se vrasësit e vërtetë nuk mbajtën asnjë ditë burg, pasi familja me të cilën kishin mosmarrëveshje, kishte paguar dikë me para që të ‘kryente dënimin’ në vend të tyre.

Mirëpo edhe ‘i paguari’ është falur, falë një vendimi të Presidentit Hashim Thaçi, për faljen e 14 të dënuarve.

Për Enkeleda Kastratin, ky akt i Presidentit, përbën një vrasjen të dytë të vëllait të saj.

Enkeleda rrëfen si ndodhi vrasja

“Vrasja e vëllait ka ndodhur më 23 shtator të vitit 2011. Atë ditë vëllai ka humbur jetën duke u kthyer prej xhumasë, ka kaluar me veturë ka restorani Che Bistro ku njëkohësisht ajo familje janë pronare e kanë fillu provokime pa ndonjë arsye të fortë ku edhe ka humb jetën vëllai atë ditë duke e qëlluar me tre plumba”, rrëfen Enkeleda.

Ajo thotë më tutje se e njeh vrasësin e vëllait të saj, për të cilin thotë se asnjë ditë nuk ka qenë në burg. Enkelejda, thotë se shpesh e sheh atë pasi banojnë në një lagje, madje herë pas here edhe ka provokime nga familja e tij.

“E njoh vrasësin e vëllai tim për shkak se vrasësi i vëllait nuk ka mbajtur as edhe një ditë burg po vëllai i vrasësit. Më bie shumë shpesh me i pa, pasi që edhe banojnë në të njëjtën lagje ku jetoj unë bile shumë shpesh ndodhë edhe provokime me pas”, tregon ajo.

“Vrasësi i vërtetë nuk ka hyrë asnjëherë në burg, por pagoi dikë me para”

Enkeleda thotë se për vrasjen e vëllait të saj, vrasësi i vërtetë nuk ka mbajtur as edhe një ditë burg, ndërsa në vend të tij ka hyrë dikush tjetër, që sipas saj është ‘blerë’ me para.

“Vrasësi siç e thash, tash e 6 vite është i lirë s’ka mbajtur as edhe një ditë burg, po tjetër kush e çka kanë zi mes veti një Zot e di, parja po i ndërron krejt”, vazhdon ajo.

Por një vendim i fundit i Presidentit, Enkeledes dhe familjes së saj ia ka hapur plagën sërish.

“Këto ditë e kom marr vesh këtë lajm, pasi më rastisi me e pa atë që ka mbajt burg në liri duke u endur  shumë lirshëm! Presidenti na ka hap plagën mu e krejt familjes”, rrëfen ajo.

E pyetur nëse janë njoftuar familja për këtë vendim, ajo përgjigjet…

“As edhe njoftimin më të vogël se kemi pas krahas këtij vendimi”.

“President me këtë vendim më morën vëllaun për herën e dytë”

Por ajo, duke e kujtuar sërish vrasjen e vëllait të saj ka një mesazh të fortë dhe të dhimbshëm për Presidentin e vendit dhe zyrtarët e tjerë shtetëror.

“Presidentit edhe institucioneve të vendit s’ka mbetë edhe diçka me ju thonë, fjala jonë fjala e viktimës s’po merret kurrë parasysh po gjithsesi kom disa fjalë për ta. Është shumë e lehtë prej një karrigeje me marr vendime që i djeg shumë zemra! Po thoni që ne të rinjtë jemi e ardhmja e këtij vendit po ju mu së pari ma keni shuar çdo shpresë me jetu në këtë vend, asnjëherë mos ju qoftë hallall, s’jeni as ju më të mirë se ata që më morën vëllanë, se me atë vendim ti President ma more për herën e dytë”, përfundon rrëfimin e saj Enkeleda, motra e Albanit të vrarë 7 vite më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat