Humbja e një jete të pafajshme është shumë

Sociale

Humbja e një jete të pafajshme është shumë

Nga: Sadik Elshani Më: 17 prill 2018 Në ora: 16:53
Ilustrim

Para dy - tri  ditësh në fshatin Mushtisht të Therandës (Suharekës) ndodhi një tragjedi familjare, në një gëzim familjar: Axha, duke shtirë me revole, plagosi veten dhe vrau nipin e tij 14 vjeçar, Edi Sopa. Çfarë tragjedie, një djalë humb jetën sapo ka filluar moshën e djalërisë! Kuptohet, ky ishte një aksident qe nuk duhej të ndodhte. Aksidentet nuk ndodhin vetvetiu, ato shkaktohen nga pakujdesia, papërgjegjësia. Pra, aksidentet janë të parandalueshme! Askush nuk dyshon se axha tani është bërë "me i nxjerrë sytë e vet", siç shprehemi ne në Kosovë, por tani është tepër vonë: Edi Sopa nuk kthehet më në jetë, ndërsa as për axhën jeta nuk do të jetë e lehtë.

Secili popull i ka traditat e veta, të mira e të këqija. Traditat e mira t'i zhvillojmë, t'i kultivojmë e t'i ruajmë brez pas brezi, ndërsa traditat e këqija t'i zhdukim njëherë e përgjithmonë. Njëra ndër këto tradita të këqija, të prapambetura e të rrezikshme, që shpesh përfundojnë edhe në tragjedi, është shtirja me armë zjarri në gëzimet, festat, ahengjet familjare: dasma, fejesa, syneti, etj. Me armë nuk shkohet në dasëm, por në luftë, në fushëbetejë. Prandaj, që gëzimet tona familjare të mos u ngjajnë fushëbetejave, shtirja me armë nuk duhet lejuar kurrsesi. Si të rregullohet kjo, le të vendosin organet përkatëse. Një masë e tillë do të parandalonte tragjeditë e tilla, do te shpëtonte shumë jetëra të pafajshme. Por siç duket te ne jo shumëkush e çanë kokën për këtë, kur jemi dëshmitarë se edhe disa ministra e zëvendësministra shtijën me armë nëpër ndeja e festa familjare. Nëse dikujt i pëlqejnë krismat, shpërthimet, atëherë le të përdorin fishekzjarrë, kuptohet, me kujdes e në mënyrë të kontrolluar.

Ajo që më shtyri t'i shkruaj këto radhë është tragjedia e ndodhur në fshatin Mushtisht, por edhe postimi në Facebook (botuar ne Bota Sot) i deputetes Vjosa Osmani, shoqëruar edhe me një video që paraqet diskutimin e saj në Kuvendin e Kosovës, lidhur me këtë dukuri negative. Në fjalën e saj deputetja Osmani me pasion ngul këmbë që Kuvendi duhet të bëjë diçka, te miratojë ligje për të parandaluar tragjedi të tilla të panevojshme. Por mënyra sesi reaguan një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe vetë Kryeministri i vendit, është mjaft shqetësuese, tepër brengoseshe dhe për çdo kritikë: ata reaguan me të qeshura, me mospërfillje, thua se nuk është duke ndodhur asgjë, se jeta e njeriut nuk ka vlerë. Sipas mendësisë së tyre kjo është krejt normale dhe këtu nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Kjo është, injoranca, arroganca jonë, kapadaizmi ynë. Kryeministri i patrazuar fare tha se nuk duhet ekzagjeruar gjërat. Zoti kryeministër, këtu nuk ka asgjë të ekzagjeruar: humbja e vetëm një jete të pafajshme është shumë! Nëse diçka ndodh njëherë, do të ndodh edhe një herë dhe shumë herë të tjera, fatkeqësisht, siç është duke ndodhur vazhdimisht në Kosovë. Kryeministri e përmendi pastaj Amerikën, duke theksuar se në Amerikë qytetarët kanë të drejtë të mbajnë armë. Kjo është e vërtetë, por armëmbajtja është e rregulluar me ligj. Ka shumë këtu për t'u diskutuar, por për të mos dalur nga tema, nuk është vendi këtu për t'u zgjeruar më tepër në këtë çështje amerikane. Si një njeri që jetoj në Amerikë dhe i përcjell me vëmendje rrjedhat shoqërore - politike të vendit, dua t'i përkujtoj kryeministrit se, kur ndodh një tragjedi e tillë në Amerikë, ngjarja trajtohet me seriozitet, qytetarët, veprimtarët, politikanët reagojnë për ta ndërgjegjësuar publikun, ligjvënësit, për ta bërë çështjen të ndjeshme dhe ushtrojnë trysni që Kongresi të miratojë ligje që do të parandalonin ose do t'i zvogëlonin dukshëm ndodhitë e tilla në të ardhmen. Dhe ligjet e tilla të aprovuara, zakonisht e mbajnë emrin e viktimave: "Megan's Laë ("Ligji i Meginit"), "Amber Alert" ("Alarmi i Amberit"), etj. Pse edhe ne të mos e kemi "Ligjin e Edit"?!

Ajo që është duke munguar në Kosovë e Shqipëri, është: ndjeshmëria, përgjegjësia, shqetësimi dhe kujdesi për mirëqenien e qytetarit. Shpesh e dëgjojmë arsyetimin: "Kemi shumë probleme tjera më të rëndësishme..." Po, vërtet kemi shumë probleme, sepse nuk merremi seriozisht me zgjidhjen e asnjërit prej tyre dhe kështu problemet shumëzohen, grumbullohen dhe janë duke e ngulfatur popullin e Kosovës. Qeveritarët, politikanët, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të merren seriozisht me problemet e shumta të Kosovës dhe jo të shahen, kacafyten me njëri- tjetrin si rrugacë. Për shkak të këtyre zënkave të pakuptimta seancat e Kuvendit shpesh ndërpriten. Çdo problem e ka zgjidhjen e vet, por për këtë duhet përkushtim, angazhim i pandërprerë.

Prandaj, sipas shembullit amerikan, të angazhohen të gjitha familjet që kanë pësuar tragjedi të tilla, ata që i kanë shkaktuar këto tragjedi, të angazhohen të gjithë veprimtarët që merren me këto çështje dhe të ushtrojnë trysni te politikanët, institucionet e Kosovës, që të bëjnë diçka për t'i ndaluar këto tragjedi, për të shpëtuar jetëra njerëzish të pafajshëm. Po ashtu, duhet bërë edhe një fushatë e gjërë informuese për ta edukuar, ndërgjegjësuar popullin, për ta bërë këtë çështje sa më të ndjeshme. Të shtiesh me armë në gëzimet familjare ku janë tubuar fëmijë, gra e burra për të festuar, nuk është trimëri, por marrëzi që merr jetëra njerëzish të pafajshëm.

Filadelfia, 16 prill 2018

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro - amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat