Familja e Sinan Sinanit nga fshati Baks i komunës së Skenderajt jeton në kushte shumë të vështira për jetën tash e 19 vjet pas përfundimit të luftës, pasi që shtëpia e tyre ishte djegur nga forcat okupatore serbe në Kosovë.
Kryefamiljari Sinani, 65-vjeçar, rrëfen situatën e vështirë në të cilën gjendet ai dhe familja e tij.
Ai thotë se në pamundësi të ndërtimit të një shtëpie të re, janë vendosur pas luftës në një objekt të vëllait të tij që dikur ka shërbyer për vendosjen e drurëve dhe gjërave ushqimore, dhe si i tillë nuk i plotëson aspak kushtet për jetesë.
Sinani: Jetojmë në objektin që dikur linim drutë dhe gjësendet e tjera
“Kjo përpara ka qenë depo, i kemi lënë drutë, ushqimin, mirëpo është dashur ta adaptojmë për banim dhe kemi mbetur këtu. Kjo nuk është e imja, është e vëllait, pasi e pa se nuk kam ku të shkoj dhe më lejoi të hy këtu dhe të jetoj deri tash jemi këtu”, tha ai.
Pasi objekti ku jetojnë nuk ishte i paraparë për banim, jeta aty është shumë e vështirë, por familja Sinani nuk ka kushte për të ndërtuar shtëpi apo të gjejë një objekt me qira.
Sinani: Jetesa këtu gjatë dimrit është shumë e vështirë
“Duhet pasi nuk po kemi ku tjetër, me pagua qira nuk po kemi mundësi, duhet këtu me zor. Dimrit shumë vështirë, ka shumë lagështi, është e rrethuar me blloqe betoni. Ajo e ngreh të ftohtit shumë, por po duhet, çka me bë”, tha Sinani.
Familjarët thonë se kanë kërkuar ndihmë nga komuna, por që deri tani nuk u ka asnjë rezultat.
Kryefamiljari 65-vjeçar ka bashkëshorten dhe tre fëmijë dhe ai ka një kërkesë për të gjithë ata që kanë mundësi që t’ia ndërtojnë një shtëpi, e cila plotëson kushtet elementare për banim, pasi që një pjesë të tokës e ka në pronësi.
Sinani: Kemi nevojë për një shtëpi
“Shumë kemi nevojë për një shtëpi, sado, veç të jetë e jona, me dalë në truall tonin, me qëndruar lirë”, tha Sinani.
Familja Sinani jeton me një pension të kryefamiljarit që nuk mjafton aspak për nevojat e shumta elementare për jetë.