Kaktusi Saguaro, simbol i shkretëtirës Sonora në Arizona

Speciale

Kaktusi Saguaro, simbol i shkretëtirës Sonora në Arizona

Më: 6 maj 2019 Në ora: 07:03
Kaktusi Saguaro

Kaktusi Saguaro është simbol i shkretëtirës Sonora. Mund të arrijë deri në 18 metra lartësi dhe jeton deri në 200 vjet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Daria Dieguts shkoi në Arizona për të mësuar më shumë rreth kësaj peme madhështore:

Saguaro është kaktusi më i madh në Shtetet e Bashkuara - ai është shumë karakteristik për shkretëtirën Sonora dhe njihet në mbarë botën.

Me një lartësi që shkon deri në 18 metra, bima madhështore ka "gjymtyrë" apo degë që rriten vazhdimisht, më lart se sa shumë pemë të tjera.

Kaktuset impozante Saguaro - të mbuluara me gjëmba mbrojtës, shpesh quhen "Rojet e Jugperëndimit".

Por çuditërisht, rrënjët e tyre janë vetëm 15 centimetra të thella.

"Këta kaktusë vërtet mund të kenë rrënjë të cekëta, por ato shtrihen gjerësisht, përhapen po aq sa lartësia e bimës; ka shumë mundësi që tani ne jemi duke qëndruar mbi rrënjët e këtyre dy bimëve gjigande,"- thotë zëdhënësi i Parkut.

Mund të duhen 10 vjet që Saguaro të rritet vetëm 3.8 centimetra.

"Shumica e kaktuseve Saguaro kanë lartësinë e ndërtesave me tre deri në katër kate. Ata mund të zgjaten edhe më shumë, por zakonisht kapin atë lartësi," - thotë zëdhënësi i Parkut.

Kjo bimë vlerësohet shumë nga amerikanët indigjenë. Zyrtarët e parkut dhe banorët lokalë e mbrojnë së tepërmi këtë simbol të shkretëtirës. Ata që e presin, përballen me gjoba dhe mund të ndëshkohen edhe me burgim.

Saguaro ka lule të bardha në pranverë dhe fruta të kuqe në verë. Lulet dhe frutat janë të ngrënshme, por ata që pijnë ujin e kaktusit mund të sëmuren, thonë zyrtarë të Parkut Kombëtar Saguaro. Por uji nuk është i dëmshëm për kafshët.

Në gatimet e zonës përdoren lloje të tjera kaktusi.

"Opuntiat janë një prej kaktuseve të pakta që mund të hahen, si degët e rrafshta, edhe frutat. Shumë njerëz marrin veçanërisht degët e reja, u pastrojnë gjembat, i presin në copa dhe i skuqin në tigan si mashurkat - ne i quajmë ato nopalitos,"- thotë zëdhënësi i Parkut.

Një restorant lokal në Tuson shërben kaktus të skuqur, me një salcë të shijshme me hudhër - shija i ngjan asaj të patëllxhanit. Por një nga pjesët më të shijshme janë lulet e kaktusit, me të cilat banorët lokalë bëjnë karamele dhe prevede, madje edhe verë...

Por Saguaro mbetet kaktusi më i njohur në jugperëndim amerikan dhe një nga arsyet përse miliona njerëz vizitojnë çdo vit këtë zonë./VOA

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat