Letra e çamëve myslimanë të Filatit, Gumenicës dhe Margaritit drejtuar Lidhjes së Kombeve (1924) : “Nuk jemi turq, mos na shkëmbeni !”

Speciale

Letra e çamëve myslimanë të Filatit, Gumenicës dhe Margaritit drejtuar Lidhjes së Kombeve (1924) : “Nuk jemi turq, mos na shkëmbeni !”

Nga: Aurenc Bebja Më: 12 maj 2019 Në ora: 09:24
Letra

Në faqen n°238 të dokumentit të “Société des Nations – Journal Officiel”, botuar në shkurt të 1925, gjejmë një letër të veçantë të çamëve myslimanë drejtuar asokohe Komisionit Miks të Lidhjes së Kombëve, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Letër presidentit të Komisionit Miks

“Pas ekspozesë që patëm nderin të bëjmë në Prevezë, ne po nxitojmë t'i paraqesim Komisionit të Lartë argumentet në vijim, të cilat përkrahin racën shqiptare të Çamërisë, që do të thotë rrethet e Margaritit, Gumenicës dhe Fulatit, për të cilat ne jemi përfaqësuesit e tyre dhe ku asnjë mysliman, sipas mendimit tonë, nuk duhet të jetë subjekt i shkëmbimit.

 Myslimanët e Çamërisë, duke përfshirë ata të Paramithisë, janë shqiptarë të njohur si të tillë nga të gjithë historianët, historikisht, dhe veçanërisht nga ata të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe të fillim të nëntëmbëdhjetës.

 Këta historianë dhe udhëtarët janë anglezë, francezë dhe grekë; do të mjaftojë të citojmë Leake, Pouqueville, Gervinus, Finlay, Aravantinos. Të gjithë kanë thënë se Çamët, si Suliotët, janë shqiptarë nga raca, gjuha dhe zakonet. Ka ende sot, në fshatin Gardhioi, një lagje e quajtur Kopolat, të gjithë muslimanët që janë kushërinjtë e heroit të famshëm suliot Xhavella.

 Në të vërtetë, ajo që dallon një racë nga një tjetër, ajo që dëshmon se çamët janë shqiptarë është gjuha e tyre, gjuha shqipe e folur në familje, zakonet e tyre, të cilat ndryshojnë plotësisht nga ato të turqve, zakonet dhe traditat shtëpiake, ato që lidhen me martesën, funeralet, lindjen e një fëmije, vallet, këngët, etj.

 Kostumi i Çamëve është mjaft karakteristik; ai është krijuar që në kohën e Pellazgëve dhe është i përbashkët për të gjithë shqiptarët, për çamët si dhe për të tjerët. Sa për ata që argumentojnë se Çamët erdhën nga Damasku (Chem en lyre), këto janë fjalë të pandershme të njerëzve të paditur në fushën e historisë dhe që veprojnë për interesa personale. Disa “hoxhallarë” kanë pretenduar gjithashtu se jemi turq, sepse dëshironin të shkonin në Anatoli, duke shpresuar, kështu, të gjenin atje Khalifin.

 Ne do të ishim jashtëzakonisht mirënjohës, nëse një vendim do të merrej sa më parë në favorin tonë, duke na dekretuar jashtë shkëmbimit, dhe nëse merren masa për heqjen e kufizimeve ndaj elementit shqiptar mysliman, dhe kështu, të jemi të lirë që të gëzojmë pronat tona, lirinë tonë, të drejtat tona civile, në mënyrë që të kthehemi në një gjendje normale, diçka pas së cilës kërkojmë për gjatë pesëmbëdhjetë muajsh.

 Ne ju lutemi, z. President, që të bindeni për sigurimin e respektit tonë më të thellë.”

 Në emër të Hysni Abezit (Husni Abez), Haki Mazës (Haki Masa), Qazim Xhaferit (Kasim Djafer), Ramadan Sulejmanit (Ramad Suleiman) nga Filati; Sheko Hamidit (Cheko Hamid), Abedin Xhemalit (Abidin Djemali), Adem Sehmetit (Aden Sehmeti) nga Gumenica; Haxhi Brahit (Hedji Brahi), Mehmet Duzes nga Margariti.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat