Çfarë mund të na mësojë sot, Epidemia e Madhe e Athinës së Lashtë

Speciale

Çfarë mund të na mësojë sot, Epidemia e Madhe e Athinës së Lashtë

Nga: Katherine Kelaidis Më: 24 mars 2020 Në ora: 16:03
Athina

Kjo nuk është koha e duhur për një pandemi. Jo se ka një kohë të duhur për një pandemi, por disa raste ato qëllojnë të shfaqen në momentet më të papështashme të mundshme. Dhe asnjë kohë nuk është më keqe, sesa kur një komb është tashmë në krizë, dhe kur besimi tek liderët e tij dhe tek vetja është tashmë i ulët.

Një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare janë tensionuar, dhe ku sherret e brendshme janë shumë të përhapura. Në thelb, nëse fibra sociale dhe morale e një shoqërie është nën provë, frika e përhapur nga vdekja për shkak të një vrasësi të padukshëm, e bën gjithçka eksponencialisht më të keqe.

Famirësisht (apo ndoshta fatkeqësisht; është shumë e vështirë të thuhet në këtë pikë), historia na ofron një numër shembujsh kur një epidemi ka goditur në kohën e gabuar. Dhe asnjë prej këtyre shembujve nuk është më i mirë se Epidemia e Madhe e Athinës.

Kjo epidemi vdekjeprurëse, e mbërtheu qytetin në vitin 430 Para Krishtit, viti i dytë i Luftës së Peloponezit, duke vrarë ndoshta 100 mijë njerëz, dhe duke zbuluar përçarje të mëdha në jetën dhe politikën athinase. Sëmundja, e cila besohet nga studiuesit modernë se ishte ajo e tifos, vrau edhe Perikliun, gjeneralin dhe burrështetasin e madh athinas, gruan e tij dhe djemtë Paralus dhe Ksanthipi.

Ishte një katastrofë me përmasa epike, që ndryshoi jo vetëm Luftën e Peloponezit, por gjithë historinë e Greqisë, dhe rrjedhimisht edhe atë të botës. Edhe pse lufta nuk do të mbaronte për gati 26 vjet pas valës së parë të epidemisë, ka pak dyshime se Epidemia e Madhe e ndryshoi rrjedhën e luftës (duke qenë të paktën pjesërisht përgjegjëse për humbjen e Athinës), dhe e formësoi në mënyrë të konsiderueshme paqen që erdhi më pas, duke hedhur “farat’ që do të dobësonin dhe më pas do ta shkatërronin demokracinë athinase.

Rrëfimi më i mirë antik i Murtajës së Madhe, ashtu si për gjithë Luftën Peloponeziane, mund të gjendet në librin e Tukididit “Historia e luftës së Peloponezit”. Tukididi, ishte një gjeneral athinas i internuar nga Athina, për shkak se u cilësua fajtor për një humbje katastrofike.

Në mërgim, ai ishte në gjendje të udhëtonte lirshëm, duke na dhënë një dëshmi të veçantë okulare të asaj periudhe të trazuar. Edhe ai ra viktimë e epidemisë, megjithëse arriti të mbijetojë, duke e bërë rrëfimin e tij mbi simptomat dhe ndjesitë e sëmundjes jo vetëm të besueshëm, por edhe mjaft të ndjerë.

Tukididi është quajtur “babai i realizmit politik”. Ai i kuptoi mënyrat, përmes të cilave frika dhe interesi vetjak, diktojnë motivet individuale, dhe rrjedhimisht edhe fatin e kombeve. Kësisoj, në rrëfimin e tij mbi Epideminë e Madhe, Tukididi përshkroi me sinqeritet dobësitë praktike dhe morale të njerëzve, që u shfrytëzuan më së miri nga sëmundja.

Ai vë në dukje se si mbipopullimi i Athinës, së bashku me problemin e strehimit dhe kanalizimeve të papërshtatshme të ujërave të zeza, ndihmoi në përhapjen e shpejtë të epidemisë, dhe në shtimin e numrit të viktimave. Tukudidi ishte i vetëdijshëm, se mungesa e vëmendjes ndaj masave të rëndësishme të shëndetit publik, i dhanë mundësi epidemisë të hedhë rrënjë për një kohë të gjatë, duke i bërë efektet e saj shumë më të rënda, sesa do të ishin në rrethana të tjera.

Por Tukididi nuk shqetësohet vetëm mbi planifikimin e dobët urbanistik, që shkaktoi vdekjen e mijëra bashkatdhetarëve të tij. Ai është një kritik i madh moral dhe politik. Në rrëfimin e tij, ai përshkruan rastet e vetëmohimit dhe guximit, por edhe ato të egoizmit dhe burracakërisë.

Për të, vdekja dhe vuajtja gjatë një epidemie të madhe (ashtu si lufta), e teston shëndetin moral të individëve dhe të shoqërive. Dhe një popull që nuk është i fortë moralisht, kur frikësohet, kalon shpejt në paligjshmëri dhe kaos:”Sepse egërsia e fatkeqësisë ishte e tillë, që njerëzit duke mos ditur se kujt t’i drejtoheshin, u bënë më të shkujdesur ndaj të gjitha ligjeve, njerëzore dhe hyjnore”.

Ndërkohë, është e qartë është se Tukididi nuk mendon se rënia në imoralitet, është thjesht pasojë e epidemisë. Përkundrazi, “njerëzit u bënë atëherë më të guximshëm”. Për të parafrazuar Mishel Obamën, pandemitë nuk e ndërtojnë, por ato e zbulojnë karakterin e një njeriu.

Dhe ky është rreziku real, si për Athinën dikur, ashtu edhe për ne sot. Dhe pasojat nuk mund të ishin më të mëdha sesa kaq. Ekziston një argument dominues, se demokracia athenase ishte viktima më e madhe e Luftës Peloponeziane. Pasi u dorëzua Athina, kontrollin e qytetit e mori një oligarki pro-spartane, e njohur si Tridhjetë Tiranët.

Ndonëse ata u rrëzuan më vonë në një grusht shteti të udhëhequr nga Trasibulusi (një veteran pro-demokrat i Luftës Peloponeziane që nuk e pranoi që disfata e Athinës të parathoshte edhe fundin e demokracisë së saj), demokracia athinase nuk do ta rifitonte më kurrë vetëbesimin e saj.

Kjo ishte Athina që ekzekutoi Sokratin (marrëdhënia e të cilit me demokracinë dhe parimet e saj ishte e ndërlikuar). Ajo ishte gjithashtu bota në të cilën Platoni do të shkruante “Republikën”, traktati politik që u bë manuali i totalitarizmit për mijëvjeçarë.

Dhe kur demokracisë në Athinë i erdhi fundi, kjo ndodhi për shkak të pushtimit të mbretit maqedonas Aleksandrit të Madh, të cilit Athina i kishte dhënë dikur mësuesin e tijm personal Aristotelin, një njeri që ia kishte transmetuar nxënësit të vet mbretëror ankthet e tij rreth teprimeve të demokracisë, sidomos ato që lindnin si rezultat i mangësive morale tek njerëzit.

Në mesin e panikut gjatë Epidemisë së Madhe, athinasit kishin provuar diçka për botën e tyre, si dhe kishin zbuluar diçka për veten e tyre, që nuk të mund ta harronin kurrë. Kishin ikur kohët kur ata mund ta shihnin veten tek fjalët e Perikliut në fillim të Luftës Peloponeziane, përpara se epidemia ta çonte edhe atë drejt një vdekje më pak të lavdishme:”Ne nuk jemi dyshues për njëri-tjetrin … një frymë nderimi i përshkon të gjitha veprimet tona publike; ne e kemi të ndaluar që të bëjmë keq, dhe respektojmë autoritetet dhe ligjet”.

Dhe Epidemia e Madhe e testoi këtë vetë-konceptim athenian. Njerëzit besojnë në mënyrë kolektive, se kanë një rëndësi të madhe, veçanërisht në një demokraci ku popullit i ngarkohet përgjegjësia e madhe e qeverisjes. Por vetëqeverisja kërkon vetëbesim. Një demokraci, nuk ka gjasa të mbijetojë kur njerëzit janë të pasigurtë për veten, udhëheqësit, ligjet dhe institucionet e tyre.

Për gati 4 vjet, Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar krizën e vet të identitetit. Presidenca e Donald Trumpit, nuk ka qenë vetëm një seri gabimesh politike, por edhe një provë serioze (me siguri testi më serioz që nga Lufta Civile) e vlerave themelore dhe institucioneve që e mbajnë më këmbë Amerikën.

Por shfaqja e koronavirusit, është diçka krejtësisht e ndryshme. Së pari, virusi na prek të gjithëve në një mënyrë që shumica e dështimeve të administratës Trump, për mirë a keq, nuk e bëjnë. Asnjë privilegj apo mungesë interesi, nuk mund t’ju mbrojë nga një pandemi.

Këtë e vuri në dukje edhe Tukididi:”Sëmundjet prekin të pasur dhe të varfër, të devotshëm dhe jo të devotshëm”. Tom Hanks është po aq i prekshëm sa edhe ju. Pra askush nuk mund ta injorojë këtë pandemi. Veprimet më katastrofike të Trumpit, janë zbutur nga koka të tjera më të ftohta (ose të paktën më pak të paqëndrueshme). Por një virus nuk ka mend. Ai është jo vetëm i paarsye, por edhe pa motiv. Ai është në fakt vetëm gjysmë i gjallë.

Dhe s’ka asgjë për të fituar, dhe asgjë për të humbur. Nuk ka asnjë kuptim të vetvetes. Asnjë dëshirë për të jetuar, diçka që kafshët dhe madje disa planete e zotërojnë. Kjo është arsyeja pse sëmundjet dhe kërcënimet që ato sjellin, na godasin kaq fort. Shpirti i vetëm në këtë ekuacion është i yni. Është prova e fundit.

Dhe është një prove, në të cilën deri më tani Donald Trump dhe administrata e tij, po dështojnë. Ajo që mbetet për tu parë, është se si do të sillet pjesa tjetër prej nesh në këtë provim. Njerëzit në Athinës së lashtë dështuan. Kur njerëzit nisën të vdisnin nga një sëmundje që nuk e kishin parë kurrë më parë, ata i braktisën vlerat që kishin qenë në zemër të aftësisë së tyre për të qeverisur veten e tyre.

Ata dështuan në përgjegjësinë e tyre ndaj njëri-tjetrit, pasi nuk besuan më se kjo gjë kishte rëndësi. Çdo gjë që kishte ndodhur para krizës dhe gjithçka që ndodhi gjatë saj, dështoi t’u jepte atyre besim. Dhe kjo është ajo ndaj së cilës duhet të rezistojmë. Murtaja e Madhe e Athinës, e shkruajti kapitullin e parë në fund të demokracisë athinase.

Por ne nuk duhet që ta pranojmë fatin e saj. Gjëja më e mirë e të kaluarës, është se ajo mund të jetë mësuesi ynë, edhe pse ne e lejojmë rrallë këtë gjë. Në përgjithësi, grekët e lashtë besonin se virtyti ishte diçka që praktikohet çdo ditë. Si shumica e të gjithë atyre që jetuan para filozofit Zhan Zhan Ruso, Tukididi dhe bashkëkohësit e tij, nuk besonin se ne njerëzit lindim të mirë.

Ne bëhemi të mirë, duke zgjedhur të bëjmë mirë. Ne bëhemi kurajozë, duke zgjedhur kurajon. Ne i kapërcejmë veset e interesit vetjak dhe të frikës, duke i hedhur poshtë ato në mënyrë aktive. Athinasit e lashtë dështuan ta bënin këtë përballë epidemisë, dhe e humbën demokracinë e tyre. Ne jemi jemi përballë të njëjtës zgjedhje.

Shënim: Katherine Kelaidis, studiuese në Muzeun Helenik, dhe asistente profesore në Studimet Klasike në Universitetin Lojola në Çikago, SHBA. / “The Atlantic” – Bota.al

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat