Në 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit - Bota Sot
Në 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Speciale

Në 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nga: Haki Latifi Më: 10 qershor 2020 Në ora: 09:59
Haki Latifi

Lidhja Shqiptare e Prizrenit është simbol i ringjalljës së shpresës të bashkimit kombëtar dhe gur themeli i shtetësisë shqiptare.

Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte pavarësimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Lidhja e Prizrenit është mbajtur, më 10 qershor 1878 në Prizren dhe ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numëri i delegatëve ishte 110-të.

Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah Pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar Bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj.

Ymer Haxhi Prizreni, (ose njohur si Ymer Drini ose si Ymer Prizreni) lindi në vitin 1826 . Në pranverë të vitit 1878 kryesoi komisionin që organizoi në Prizren mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm, i cili themeloi Lidhjen Shqiptare. Kuvendi e zgjodhi Ymer Prizrenin anëtar të Këshillit të Përgjithshëm në gjirin e të cilit u rreshtua krahas atdhetarëve të rrymës radikale. Në tetor 1879 u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare, kurse në janar të vitit 1881, kryetar i qeverisë së përkohshme autonome. Si kryetar i saj drejtoi veprimtarinë politike që çoi në vendosjen e administratës shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe në organizimin e qëndresës së armatosur të Lidhjes shqiptare kundër ushtrive osmane në pranverë të vitit 1881.

Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare. Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm, i cili kryente funksione legjislative.

Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni u arratis për të mos rënë në dorë të autoriteteve osmane. U vendos në Ulqin dhe nuk pranoi të kthehej, megjithëse sulltani i premtoi falje e ofiqe të larta. Vdiq në Ulqin ku gjendet dhe varri i tij.

Haxhi Ymer Drini-Prizreni ka qenë myderriz, myfti, udhërrëfyes shpirtëror dhe njëri nga ideatorët, themeluesit dhe udhëheqësit më të spikatur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ishte kryetari i parë i Shtetit të parë Autonom Shqiptar.

Lidhja jo vetëm që kërkoi e luftoi për krijimin e shtetit shqiptar, por arriti më në fund të formonte qeverinë e përkohshme, pothuajse të pavarur nga Porta e Lartë. Me rëndësi të madhe historike është lufta e vendosur diplomatike dhe me armë që zhvilloi Lidhja për të mbrojtur viset shqiptare në veri dhe në jug që rrezikoheshin të copëtoheshin. Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar, të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për të krijuar shtetin kombëtar. Në saje të Lidhjes së Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën diplomatike ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat